Instituti Arkeologjik i bllokuar, lokalitetet rrezikohen nga mosintervenimi

Lehtësimi i masave të marra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe kthimi në punë i punonjësve të sektorit publik e atij privat nuk kanë pasur kurrfarë ndikimi në projektet e Institutit Arkeologjik të Kosovës. Puna në terren për arkeologët nuk ka nisur ende. Madje nuk ka një afat se kur do të mund t’iu kthehen lokaliteteve arkeologjike.

Problemet që e kanë përcjellë IAK-në gjatë dy vjetëve të kaluar sivjet janë “trashur”. Nuk mund të zhvillojnë veprimtari as në kohën kur kushtet klimatike janë më adekuatet për punë në lokalitete arkeologjike. Ulpiana, Dresniku, Vuçaku, pastaj lokaliteti i Dardanës, Artanës, Harilaqit, Marecit, Barilevës, Vendenisit ose Gllamnikut planifikohej që të mbusheshin me punonjës lokalë e profesionalë. Pos atyre që njihen si investime kapitale, IAK-ja për sivjet ka planifikuar edhe hulumtime në mbetjet e kështjellave të Bizantit të hershëm. Për pasojë, lokalitetet arkeologjike ku është punuar viteve të kaluara edhe mund të pësojnë. Problem dalin të jenë vonesat e pagesave për punonjësit e angazhuar e edhe për materialet që blihen.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se i janë drejtuar me disa shkresa Ministrisë së Kulturës. Pos kësaj, shqetësimet janë ngritur edhe në takime me zyrtarët ministrorë. Në dy vjetët e kaluar puna ishte ndërprerë në gjysmë shkaku i vonesës së pagesave. Prej qershorit të vitit 2018, institucioneve vartëse të MKRS-së u janë bllokuar llogaritë. Zyra Kombëtare e Auditorit kishte gjetur se ato ishin të paautorizuara nga Thesari i shtetit. E prej shtatorit të atij viti të gjitha pagesat bëhet nga zyrtarët financiarë të MKRS-së. Kësisoj, shkaku i shumë lëndëve vonesat janë të mëdha. Në fund të javës së kaluar nëpërmjet një komunikate për media Ministria e Kulturës ka njoftuar se janë funksionalizuar nënkodet buxhetore për institucionet vartëse. Por institucionet nuk e kanë të qartë se si do të funksionojnë nënkodet.

“Duhet të zgjidhet çështja e pagesave në terren, pagesave të materialit që po zvarriten për një vit. Pastaj pagesat për punëtorët lokalë që angazhohen”, ka thënë drejtori Rexha. Sipas tij, është e papranueshme që të kenë detyrime të papaguara qysh nga vitit i kaluar. Ka thënë se IAK-ja lidh kontrata me punonjës, kurse nuk mund t’iu përgjigjet atyre.

“Kam kërkuar sqarim me shkrim se si të veprojmë”, ka thënë ai. Ankesat e Rexhës shkojnë deri te mosregjistrimi i veturave që i ka në shfrytëzim IAK-ja. Sipas tij, do të shikohet programi i punës për të parë se si të veprohet, transmeton ‘KOHA’.

“Nuk kemi informatë zyrtare se sa kemi buxhet. Nuk kemi përgjigje se a është aprovuar programi i punës”, ka thënë ai. Ka kujtuar se edhe projektet e vitit të kaluar nuk kanë përfunduar. Në kushte të tilla, sipas Rexhës, IAK-ja nuk mban përgjegjësi për dëmet në lokalitete. Ka thënë se mundësia e dëmeve është shumë e madhe në rast të mosndërhyrjes.

“Ne nuk mbajmë përgjegjësi për dëmet në lokalitete”, ka thënë ai. Gazeta ka raportuar për nevojën për ndërhyrje në lokalitete arkeologjike, sidomos në Kalanë e Harilaqit, ku dëmtimi i strukturave të brendshme është shumë i madh.

Arkeologu Milot Berisha ka udhëhequr punimet në shndërrimin e një pjese të lokalitetit të Ulpianës në park arkeologjik. Ai u prin edhe punimeve të tjera që bëhen në këtë aset të trashëgimisë kulturore.

“Sivjet do të bënim vazhdimin e punimeve me arkeologë francezë, si dhe punë konsoliduese”, ka thënë ai. Berisha shpreson që të paktën në shtator e tetor të krijohen kushtet për punë. Ka treguar se planet ishin që të bëheshin gërmime jashtë mureve rrethuese të qytetit, pastaj incizime gjeomagnetike e konsolidim të strukturave.

“Nuk dihet saktë se kur do të mund të nisim me punime. Shpresojmë që të kemi mundësi të punojmë të paktën nja dy muaj”, ka thënë ai.

Arkeologu Elvis Shala u prin gërmimeve në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut, afër Klinës. Jehona e këtij lokaliteti kishte marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare kur më 2013 atje doli në pah mozaiku me figura gjeometrike në dyshemenë e asaj që mendohet të ketë qenë vilë perandorake në shekujt e parë të erës sonë. Shala ka treguar se fillimi i prillit do të ishte koha ideale për të nisur punën.