Një ndër kompozitoret e para kosovare, me një opus të gjërë krijimtarie, e çmuar dhe e vlerësuar nga të gjithë, znj. Pranvera Badivuku asnjëherë nuk iu nda muzikës.
Intervistoi Lindita Canolli Fejzullahi/ObserverKult
Keni një jetë me muzikën, një rrugëtim shumë i gjatë në punën tuaj si kompozitore. Cila ka qenë mosha që ju e keni vërejtur talentin?
Pranvera Badivuku: E vërtetë është, një periudhë mjaft e gjatë kohore nga krijimi i këngës time të parë, atëherë ende nxënëse e shkollës së mesme të muzikës. Nga tregimet e nënës kam qenë fëmijë i hareshëm, i gëzuar, gjithnjë më këngë në gojë që nga mendja kam nxjerrë e trilluar si melodinë ashtu edhe tekstin. Me siguri fare të pakuptimta!
Gëzim të madh më kanë sjellë po ashtu këngët e lojërat e ndryshme fëmijërore që i kam mësuar në foshnjore, pra ashtu quhej mësimi parashkollor. Më duket se këto ishin kënaqësitë e para në jetë. Dashurinë për këngën e më vonë për muzikën në përgjithësi vazhdoi gjatë gjithë shkollilmit fillor ku pothuajse isha prezente në të gjitha aktivitetet e programet shkollore që kishin të bëjnë me muzikë.
Vazhduat shkollimin për muzikë. A ishte e vështirë atë kohë për një vajzë që të vazhdonte shkollën e mesme, pastaj shkollimin e lartë për muzikë. Si shkoi…
Pranvera Badivuku: Rrjedh nga një familje tradicionale pejane ku është çmuar lart arsimimi, prandaj pengesa për shkollim të mëtejmë as që është menduar. Problemi i vetëm ka qenë se në qytetin tim të lindjes nuk ekzistonte shkollë e muzikës. E vetmja shkollë në tërë Kosovën ishte Shkolla e mesme e muzikës në Prizren. Me përkrahjen e axhës tim që ishte punësuar atëkohë në Shkup pas provimit pranues të suksesshëm u regjistrova në shkollën e mesme të muzikës në Shkup. Në këtë qytet nga viti shkollor 1958/59-1962/63 dhe për 5 vite(sa mësohej atëherë në këtë shkollë)me sukses përfundova shkollimin.
Në fillim kisha pak vështirësi se mësimi ishte në gjuhën maqedonase por vullneti, pasioni im ndaj muzikës, dëshira për të pasur sa më shumë njohuri i tejkaloi të gjitha vështirësitë. Me sukses përfundova shkollën e mesme dhe vazhdova të lartën.
Kompozimi i parë a ju kujtohet kur ka qenë, kush e ka kënduar atë këngë?
Pranvera Badivuku: Krijimet e mia të para kanë qenë këngët për fëmijë. Isha ende nxënëse dhe ato zakonisht ju ofroja faqeve të fëmijëve të gazetave “Flaka e vëllaznimit” Shkup dhe ”Rilindja” Prishtinë.
Kënga e parë e botuar ishte “Erdh pranvera”-këngë për fëmijë që u përgatit me korin e shkollës “Liria” në Shkup nga mësimdhënësja e muzikës Semiha Spahiu (më vonë e njohur si pedagoge e shquar dhe profesoreshë e dalluar në Akademinë e Arteve në Prishtinë).
Sa ka qenë e vështirë puna juaj atëherë, pasi që sot dihet se kushtet e mundësitë janë krejt ndryshe, jo vetëm në këtë fushë.
Pranvera Badivuku: Punën dhe veprimtarinë time e ndaj në dy pjesë koha e kaluar në arsim si mësimdhënëse e lëndës Edukatë muzike për 15 vite në tre shkolla fillore: Saraj të Shkupit, Emin Duraku dhe Vuk Karaxhiq (Elena Gjika).
Edhe pse e re (18 vjeçe) me shumë përgjegjësi kam marrë detyrën për mësimdhënie. Me shumë zell e entuziazëm kam përcjell njohuritë nga kjo fushë te nxënësit e mi. Kam vazhduar deyrën time në Produksionin muzikor të Radiotelevizionit të Prishtinës nga viti 1979-1990 ku në korrik të vitit 1990 u përjashtuam nga puna, nga pushteti i atëhershëm serb. U mbyllën të gjitha institucionet për ne shqiptarët.
Në Produksion isha Redaktore –Producente e muzikës për fëmijë ku kryesisht është punuar me fëmijët e talentuar që kishin afinitet për këndim. Realizoheshin këngë të reja të krijuara nga kompozitorët tanë për nevoja të Radios dhe Televizionit. Njëkohësisht kemi ba përgatitje për Festivalin “Akordet e Kosovës “ që ka qenë ngjarje me shumë rëndësi sidomos për fëmijët.
Sa kompozime keni mbaruar deri më sot, a ju kujtohet?
Pranvera Badivuku: Edhe pse kultivimin e këngës, krijimin e saj kam filluar në moshë mjaft të re, nuk mundem me u krenu me numrin e madh të këngëve të krijuara deri më sot.
Kam rreth 200 këngë, ku përfshihen këngët për fëmijë, ato në melos popullor, disa melodi të lehta zbavitëse dhe këngë nga festivale tjera që organizoheshin pos Akordeve.
Cili është kompozimi më i njohur që keni bërë përgjatë rrugëtimit si kompozitore, ai kompozim i këngës që edhe sot dëgjohet me endje.
Pranvera Badivuku: Janë disa këngë që janë kënduar nga këngëtarë të ndryshëm por do ta veçoja njërën që ende sot këndohet nga shumë këngëtarë, ma mirë të them nga të gjithë dashamirët e këngës, e kjo është kënga: “E kujtoj atë takim” apo si e quajnë shumica “Më fal atë buzëqeshje” (vargu i parë i këngës që në shumë këngë përcakton titullin).
Keni bërë kompozime të këngëve për fëmijë dhe të rritur. Kryesisht në cilin zhanër keni preferuar më shumë të kompozoni këngë .
Pranvera Badivuku: Në krijimtarinë time dominojnë këngët për fëmijë dhe ato në melos popullor, ndërsa më pak ato të zhanreve tjera.
Nga mungesa e këngëve origjinale për fëmijë, isha e nxitur që për nxënësit e mi të krijoj këngë me tema të ndryshme sipas stinëve, festave etj. Nga viti 1966 fillova që t’i dërgoj edhe në Radio Prishtina. Disa pranoheshin, disa refuzoheshin…
Krahas këngës për fëmijë pas mbarimit të shkollës së mesme fillova të krijoj edhe këngë në frymën e melosit popullor kështu që edhe sukseset e mia në krijimtari lidhen me këngë dhe mund të them se i kam mbetë besnike deri në ditët e sotme.
A ka ndonjë këngëtar me të cilin asnjëherë nuk keni përtuar të bashkëpunoni. Pse e veçoni atë?
Pranvera Badivuku: Gjatë karrierës time shumëvjeçare kam punuar me këngëtarë të shumtë, të gjithë profesionistë e që me të gjithë realizimi përfundmitar i këngëve më ka sjellë kënaqësi të veçantë si: Nexhmije Pagarusha, Liliana Çavolli Shpresa Gashi, Esat Bicuri, Bashkim Paçuku, Sebahate Berlajolli, Nazmije Hoxha, Emine Hasimi, etj, etj.
Si është punuar atëherë, cila ka qenë metoda e punës, sigurisht shumë më e ndryshme se sot?
Pranvera Badivuku: Një këngë e re deri në realizim final kalonte disa faza kështu që duhej kohë për realizim të plotë. Çdo realizim merrte shumë kohë, pastaj vështirësia ishte se ekzistonte vetëm një studio incizimi. Aty incizohej e gjithë krijimtaria nga të gjitha redaksitë që egzistonin në kuadër të Produksionit muzikorë, si Redaksia e muzikës zbavitëse dhe për fëmijë , Redaksia e muzikës popullore, Rdaksia e muzikës serioze –orkestra simfonike, kori profesional.
Po në këtë studio regjistroheshin incizime të Shoqnive Amatore nga gjithë Kosova si dhe shumë grupe muzikore vokalo-insrumentale, etj.
Cila ishte puna ekipore që bëhej?
Pranvera Badivuku: Një këngë e kompletuar është realizuar me bashkëpunim me kompozitorin, tekstshkruesin, orkestruesin dhe këngëtarin. Vetëm se realizimi ka qenë më i ngadalshëm për shkak të kushteve të papërshtatshme. Një studio muzikore në tërë Kosovën …
Cilët ishin bashkëpunëtorët e tuaj më të mirë, më të dashur?
Pranvera Badivuku: Kuptohet fëmijët tanë shumë të talentuar me të cilët kam ushtruar këngë të ndryshme të kompozitorëve tanë që kanë krijuar enkas për ta. Një numër i lakmueshëm nga ata fëmijë sot janë emra të njohur dhe shumë të sukseshëm si kompozitor dhe interpret.
Armend Rexhepagiqi, kompozitor, orkestrues e interpret.
Ilir Berani-kompozitor e tekstshkrues. Që të dy të njohur për kontributin e dhënë në shumë këngë-hite.
Adelina Ismajli që ka bërë revolucion në këngët për fëmijë e që ka vazhduar edhe si e rritur me interpretime unike.
Edona Llalloshi –që me interpretime cilësore ka shumë adhurues të këngës së saj.
Elida Kryeziu që e vogël një këngë timen e prezantoi shumë bukur në festivalin e këngës për fëmijë në Sarajevë e sot është antare e korit profesional si dhe ansamblit “Zanat” që dita ditës po korrin suksese me interpretime të bukura, cilësore dhe të veçanta.
Po nga këngët, apo çmimet cilat veçoni?
Pranvera Badivuku: Për shumë vite si pjesëmarrëse në shumë festivale që janë organizuar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe qytetet e ish- Jugosllavisë kam marrë shumë çmime, shumë këngë të mia janë vlerësuar me çmime të para, dyta apo treta pothuajse në çdo festival që kam marrë pjesë.
Do ti veçoja 5 Okarinat nga festivali “Akordet e Kosovës”.
Viti 1973 “Eja, eja e bardha verë”-këngë në melos popullorë e interpretuar nga Esat Bicuri.
Viti 1974 “E kujtoj atë takim” në melos popullor e interpretuar nga Esat Bucuri.
Viti 1983 “Njëzet vjet të festivalit” kushtuar 20-vjetorit të “Akordeve të Kosovës” –interpretues Bashkim Paçuku.
Viti 1984 “Je kujtimi im i vetëm “-këngë popullore-interpretuese Sebahate Berlajolli.
1984 “Vallja popullore”- këngë për fëmijë, interpretues Visar Aliu, soliste, Emine Vala, Tringa Gjikolli, Teuta Grajçevci.
Qershor 2021-Realizim i bërë për “Sofrën Pejane” një këngë pikërisht me këtë titull e që është kënduar nga ky grup si premierë në emisionin e TV21 “Qejfe, qejfe”. Tekstin e këngës me kërkesën time me dedikim “Sofrës Pejane” ma ka dhuruar Hivzi Krasniqi.
Edhe fëmijët e juaj kanë marrë rrugën e njëjtë si prindërit. Sihana dhe Zana, mjaft të zonja në këtë fushë. Ato e morën këtë rrugë duke qenë se janë rritur me prindër muzikantësh, apo e keni vërejtur talentin e tyre shumë herët dhe pastaj i keni mbështetur?
Pranvera Badivuku: Te dy vajzat tona kanë trashëguar talentin nga ne, prindërit e që është vërejtur që në vogëlinë e tyre. Kuptohet me dëshirën e madhe tonën dhe të tyren njëkohësisht kanë vijuar dhe vazhduar deri në nivel më të lartë ngritjen e tyre profesionale gjë që e dëshmojnë me suksese të shumta. Sihana si violiniste dhe pedagoge dhe Zana si pianiste dhe profesoreshë e Solfezhit.
A ju ka mbetur ndonjë peng që nuk keni arritur ta realizoni, qoftë në jetën e juaj personale, apo profesionale. Cili është ?
Pranvera Badivuku: Jam e gëzuar që mbesa ime (më e vogla) është përcaktuar për zhvillim të mëtejshëm muzikor. Kam dëshirë që këto krijime të mia një ditë t’i përmbledhi në një libër, që të jenë dëshmi e periudhës kohore kur janë krijuar.
Jeni pensioniste, por a e keni lënë krejtësisht profesionin anash, pasionin e juaj të nisur shumë herët , apo ende krijoni diçka.
Pranvera Badivuku: Edhe pse shumë vite në pension gjej frymëzim për ndonjë krijim të ri e shumë herë shkak për këtë është ndonjë tekst që më pëlqen.
Kur ka qenë krijimi i fundit që e keni bërë, cila këngë, për cilin këngëtar?
Pranvera Badivuku: Në vitin 2019 realizova 2 këngë me tekst të publicistit dhe poetit shkodran Ramazan Çeka.
E para ishte”Lauresha Kosovare” kushtuar të madhes, këngëtares tonë Nexhmije Pagarusha që për ditëlindjen e saj të 86 –të ja dhuruam në koncertin që u organizua për këtë rast nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë. Realizimin e këngës e ndihmuan Kreshnik Aliçkaj orkestrues, Taulant Ruci violinist, Selami Kolonja interpret i këngës.
Dhe kënga e dytë “Pse e vrave dashurinë” me tekst me tekst poashtu të Ramazan Çekës e që kjo këngë u prezantua në Festivalin “Luleborë“ në Shkodër që e interpretoi këngëtari shkodran Leonard Guga. Kam edhe dy këngë tjera të pa publikuara që presin realizimin. /ObserverKult
Lexo edhe:
NË QERSHOR, GARA PËR MUZICIENTËT E RINJ
Për të gjithë të interesuarit për gara në muzikë, artistja Sihana Badivuku ka një lajm të mirë.
Ajo përmes një njoftimi në faqen e saj në Facebook ka bërë të ditur se në qershor Ars Kosova organizon një të tillë.
“Kemi kënaqësinë që të gjithë artisteve të rijnë të muzikës të ju tregojmë lajmin që ArsKosova Garat e Muzicienteve të Rinj për vitin 2020 do të vijnë shumë shpejtë në Qershor.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult