Irena Gjoni: Nga hiri pa prush

Nga hiri pa prush,
thëngjijtë që nxijnë nga kobi i ikjes,
mund të shkruajnë një histori…

Simfonia e trupit
mund të luhej vetëm nga fryma jote,
por lëkurët e vjetra mbetën pa zhveshur
pranë shtratit në të kuq,
peng i kushedi kujt imazhi të erës,
pikturuar në lëkurën e Edenit,
para se fruti të përmbyste botën në mëkat.

E kuajt u arratisën joshës
Duke e vringëllirë në ajër bishtin shndritës,
nën ritmin tundues të harkut të violinës,
Ku janë varur për të kapur më lehtë perëndimet.

… dhe nga hiri pa prush,
thëngjijtë që nxijnë nga kobi i ikjes,
vazhdojnë të shkruajnë një histori…