Irena Gjoni: Po ku je ti sot?

Ishte koha e demonëve
ajo që lundroi në fund të oqeanit.
Në vizione mortale skaliten
dhe dëshirat e ndrydhura
në fshehtësinë e ëndrrave.
Shpresë-Ëndërr-Vdekje,
Vdekje-Ëndërr-Shpresë.

Dimri i plakur
ka arritur në kohë të tjera.
Aty ia kanë marrë frymën
dhe ia kanë mpirë zemrën
Këtu ka ngelë zhegu i korrikut.

Po ku je ti sot?
Vorbullshëm dëshira të egra
nën një qiell të ndritshëm,
akoma enden në përpjekje të copëtuara.
Iluzion, vajtime për liri…

Dhe kur mendimi bleron,
unë digjem akoma
në flakët obsessive të ikjes tënde,
realitet i maskuar përmes universit
i mbërthyer duke parë tretjen.

Po ku je ti sot?

Ndoshta ti me zemër të dëshpëruar
gjen përpara muret e mendjes sime të sëmurë.
Pyet veten se përse po mendon.
Dhe ngadalë –ngadalë si nuk e dallon
kufirin e kapërcimit të muzgut në natë,
kufirin e hapjes së gonxhes në petal,
kthehesh në gur.

Një harmoni e qetë ku mendimet e dëshirat,
kthehen në mijëra copa të vogla
të peizazhit të shiut,
që bie kaq i paqtë në trishtimin e tij,
në këtë disk përvëlues të kobit tim.

Në një botë ku ëndrra kthehet jetë
e ku jeta ëndërr.
Ku transformohet
dhe pamja e ngurtë monotone e njeriut,
për të marrë një formë të pakufishme
si në përgjumjen e mëngjesit.

Po ku je ti sot?

Rrugës, forma abstrakte
e dashurisë e urrejtjes,
për Fatin a Zotin,
jetojnë me frikën e krenarive
për të shëmbëllyer
distancat më të thella të shikimit.

Në ankth përvëlohen çmenduritë,
sinqeriteti, njohja, jeta.
Sa presion niagarshëm derdhet sot
në burimin e pafundësisë së mendimit,
një ekzistencë mijëravjeçare
e jetëgjatësisë së krijimit,
e mplekjes së rrënjëve jetësore të dëshirave.

Po ku je ti sot?

Dëshira – hapësira e përhumbur
që endet në shtëpinë mistike të trurit.
Helmi vlon kur njeriu nuk arrin dot qenien e tij
e qan për të dalë në përjetësi.

Dhe i fal ëndrrat e sinqerta e të errëta,
derisa njeriu të bëhet shterg.
Derisa engjëjt të qajnë nga gëzimi
dhe qielli të vajtojë nga trishtimi…

…A është fituar përjetësia…???!!!

Po ku je ti sot?