Tingulli i shpirtit, galaktikën e mat
me sekondat për të qenë afër meje.
Në mungesë të zërit, shpërthen meteorë
që nga përplasjet e copëtimit të dritës,
të artikulojë kumtin.
Rrokulliset humnerave të ajrit,
Përleshet me thepat thikë të mungesave
që të bëjë zë.
Nga dhimbja ulëret kobshëm pa vaj.
Kumti ka ngelur hije e tingullit
e nuk e largon dot kukuvajkën mbi kokën time,
as korbin e shpirtëzuar në flokë e në zemër.
As krizantemën e lulëzuar në katër stinë
brenda gjëmës së shpirtit tim.
Loton me lotët e erës
e se tret as dheu, se lartëson as qielli,
s’e preh as ferr e parajsë
pa kumtuar kumtin për mua.
I duhej një ëndërr me konture njeriu,
Pikërisht ti ëndrra ime, pa ditur si e pse.
Që nuk pyet:
Çfarë gjuhësh flet i ikuri me të gjallin?
Çfarë kodesh përdorin për të çkoduar njëri – tjetrin?
Çfarë kutesh përdor për të të përzgjedhur profet kumtesh?
Vjen ti tek unë, si flamur triumfi i një kumti
me një buzëqeshje hyjnore që ta dua.
Që projekton në flatra distancash,
një ditë shpirti enkas për mua,
ushqyer që në amë me polen natë muzash
e më rrëfen e më rrëfen një histori pa mbarim…
Lulnajat e gjithë pranverave m’i sjell në një buzagaz
Me fustanin e tangove spanjolle,
lidh fillin e këputur mes dy jetëve mes dy yjeve.
Në vend të kukuvajkës e korbit, me frymën tënde
bën që mes flokëve të mi të marr jetë një margaritë.
Dhe përmes një përqafimi shpirti,
ti ma len hapur portën e ëndrrës së të nesërmes…
ObserverKult
lexo edhe;