Irma Kurti: Puthja e fundit

irma kurti

Poezi nga Irma Kurti

Ti nuk do që t’na braktisësh,
në sytë e tu rrjedh një lot.
Ke dashuri pafund për jetën,
por midis nesh s’të mbajmë dot!

Po ikën, po shuhesh ngadalë,
gjithë lutjet e mia shkuan kot!
Zoti po të rrëmben prej nesh,
nuk kam më kujt t’i besoj.

Ky lotth, që ta fshij me dorë
përpara se të mbërrish atje,
mban gjithë dashurinë tënde
për ne të tria, vetëm për ne.

“Nënë, shpirt!”, pëshpëritim,
por ti po tretesh ngadalë.
S’çel dot as sytë, s’na dëgjon,
dhe kjo është hera e parë…

Veç buzët e tua në një puthje
i mbledh kur të vijmë pranë.
Sa ndjenjë ke brenda teje,
as vdekja s’mundet ta marrë!

Puthja më e ngrohtë, e pafaj,
ndonëse po largohesh nga ne.
E fundit… kujtim i dridhshëm
përpara se të mbërrish atje.

Zëra të largët të thërrasin,
vetëm hijet të presin tani…
Po ikën, askush s’të mban dot
dhe shpirti im bashkë me ty!

ObserverKult


Lexo edhe:

ZHAK PREVER: BARBARA…