Irma Kurti: Ti ishe gabimi im

irma kurti

Poezi nga Irma Kurti

Ti ishe gabimi im,
ti ishe dashuria ime.

Kthehesh shpesh, shumë shpesh,
nuk njeh dogana as dhe orare,
kapërcen dete, qiej të zymtë,
troket në shpirt ditën, natën.

Nuk e di nëse vjen me makinë,
me avion a ndoshta me traget,
ndodhesh tek unë në një pulitje
të syve, oh, arrin aq shpejt!

Nuk pret në radhë, të gjitha
mendimet e tjera i kapërcen,
qëndron i pari, me atë siguri
që mua më magjepste njëherë.

Por ç’të sjell vallë tek unë,
nga ditët e mia çfarë kërkon,
do t’më largosh nga e tashmja
që e ndërtova me mund e thonj?

Do të më ngjallësh veç pendim
e dhimbje apo dëshira pafund,
do të më tregosh se dashurinë
asgjë s’e ndal, rrjedh si lumë?

Ti ishe gabimi im,
ti ishe dashuria ime.

ObserverKult


Lexo edhe:

FATMIR R. GJATA: RA BUST I DIKTATORIT