Poezi nga Irma Kurti
Në netët e gjata ku mungojnë dritat,
errësira me një masë qymyri më ngjan,
përgjoj trupin tim: rrahjet e zemrës,
ankthet që ma vrasin gjumin padashur.
Dhe s’e kuptoj përse s’mundem ta njoh,
nxehtësia më pushton si valë e nxehtë,
trupi im nuk më përket e ngatërrohen
bashkë, dy stinët, dimri me pranverën.
Ti fle i qetë pranë meje, nëpër ëndrra,
krahët e mi të zgjatur nuk të arrijnë.
Kushedi në ç’toka të largëta shkel atje
dhe s’e dëgjon thirrjen time për ndihmë.
Një ditë nuk do të njohësh tek unë gruan
që deshe, një e panjohur do jem për ty,
disi më nervoze, e heshtur dhe e menduar,
do të kesh humbur rrudhat e mia sigurisht.
Do të të vijë keq që nuk m’u ndodhe pranë,
për t’më shoqëruar përdore si një fëmijë,
të kapërcenim urën, në të cilën çdo grua
brishtësinë hedh pas krahëve përgjithnjë.
ObserverKult
Lexo edhe:
“TI JE LOTI IM”, LIBRI MË I RI I POETES IRMA KURTI
Poetja Irma Kurti boton në Itali librin e 25 në gjuhën shqipe me titull “Ti je loti im”. Përmbledhja poetike mban logon e Shtëpisë Botuese “Youcanprint“.
“Ti je loti im”, siç thuhet në parathënien e shkruar nga autorja, përmban shtatëdhjetë poezi të pabotuara më parë. Në të gjen vargje kushtuar dashurisë, ndjesive dhe emocioneve të autores në muajt e vështirë të sëmundjes së babait të saj deri në ditën e fundit të jetës, dëshpërimit për ikjen pa kthim të tij, brishtësisë gjatë asaj periudhe të vështirë dhe përpjekjeve për të qëndruar pozitive e për të gjetur rrezet e diellit në mjegull.
Ka dhimbje, zhgënjim dhe qiell gri, por edhe dëshirë për të takuar dritën, qetësinë shpirtërore e lumturinë.
TEKSTIN E PLOTË MUND TA GJENI KËTU