Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej
si të harroj unë dalëngadal
si vdes tek unë kujtimi yt
si vdesin flokët dhe gjithçka.
Tani kërkoj poshtë e lartë
një vend ku ty të të lëshoj
nje strofë a notë, a një brilant
ku të të lë, të puth, të shkoj.
Në s’të pranoftë asnjë varr
asnjë mermer, a morg kristal
mos duhet vallë prapë të të mbart
gjysëm të vdekur, gjysëm të gjallë.
Në s’gjetsha hon ku të të hedh
do gjej një fushë a një lulnajë
ku butësisht porsi polen
gjithkund, gjithkund të të shpërndajë.
Të të mashtroj ndoshta kështu
dhe të të puth të ik pa kthim
dhe nuk do dinë as ne askush
harrim ish ky a s’ish harrim.
ObserverKult
—————————————————–
Lexo edhe:
ISMAIL KADARE PËR HAVZI NELËN: NJË POET U LËKUND NË TRIKËMBËSH, NË QYTETIN VERIOR TË KUKËSIT…
Nga Ismail Kadare
Po ju dërgoj mesazhin tim të solidaritetit, për përkujtimin e poetit martir Havzi Nela. U mbushën njëzet vite që iu mor jeta, me një nga format më të vjetra e më barbare të dënimit që ka njohur njerëzimi: me varje. Vetë kjo formë e sidomos ky afat njëzetvjeçar, tingëllojnë të pabesueshme. Prej kohësh nuk ka patur vrasje poetësh në kontinentin europian. E aq më pak prej kohësh nuk ka patur varje, por Shqipëria nuk bënte pjesë as në Europë as në kontinentin e qytetëruar të popujve. Shqipëria në vitin 1988, në prag të rënies së komunizmit, ishte ende një njollë e zezë në hartën e kontinentit, një njollë e turpit dhe e krimit në shkallë planetare…
Tekstin e plotë e gjeni KËTU