Ismail Syla: Toka e papërlyer

E shtrirë mirë këtu rri hapësira
vret tjerë emra dhe sinonime.

Dridhet mendja nga mënyra
si ky vend i përpin kuptimet.

Në këtë tokë s’ka masiv guri
ku era krifën thyen pa pritur.

Errësira është shumë e gjerë
për ta pasur këtu një qendër.

Dhe kufijtë janë aq të rrafshët
si vetë mendimi i luhatshëm.

Në të e keqja të mos zë vend
avullohet nga një tjetër diell.

Çdo gjë e pastër këtu ka hije
po ajo mbrapa kujt s’i shkon.

Hapat fshehen si të kenë turp
nga vetë ideja e të qëndruarit

Edhe ajrin që rri kaq ngjeshur
nuk ka ecje që mund ta çajë.

Asnjë lule nuk mund të mbillet
Se kjo tokë nuk pranon shpime.

Fushë e orës pa asnjë numër
pritjen këtu ç’e lodh ngadalë.

Edhe fryma që del nga plasa
nuk gjen syprinë ku do të ulej.

Heshtja ka atë stemë krenare
ulur rri në askund pa u varur.

E, vetë koha rrjedh përanash
si shtrat i një lumi të devijuar.

As errësira s’e njeh vetveten
në kornizë pa xham pasqyre.

Rrobe e qepur stofi i shpresës
që çdo trup ngurron ta veshë.

Zbrazësia mësyn boshësinë
mbi vetvete bie kryengulthi.

Plaga në trup nuk di të hapet
majë-thikës i mungon qëllimi.

Rri ndërgjegjja mbi sipërfaqe
dritë e hollë që nuk prek tokë.

Në tokën ku Shën Mosqenia
është më e pastër se prania.

Prishtinë, 27 nëntor 2025

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL SYLA: TOKA E PENSIONUEME