Ismail Syla: Toka e pensionueme

ismail syla

Toka e Pensionueme asht vendi
ku jeta nuk mbaron, por tërhiqet
për me u ba e lehtë, e qetë,
e padukshme për kohën.

Në qiellin e saj
dritat e vjetra rrinë pezull
si mendime të harrueme,
universeve t’lodhuna
që kanë pritë shekuj n’kande të err’ta ,
e tash, që koha u qetësue,
dalin prej strehës me guxim t’qetë.

Errësina e saj
nuk asht terr që përpin,
por nji këmishë e butë
që mban nën sjetull dritat e vjetra.

Koha e heq uniformën
lodhun prej orëve të veta të tepërta,
ulet mbi këtë tokë
si një plakë që kërkon karrige
mbas një jete udhë.

Sekondat varen si vesë,
e orët psherëtijnë të përuluna.
Këtu koha nuk sundon:
rri e qetë, si zog që ka gjetë degën
ku pushon përgjithmonë.

Njeriu zbret pa zhurmë,
si frymë që ka mësu
me ecë mbi kujtime
pa i zgju prej gjumit t’tyne t’butë.

Ai s’vjen këtu
me mat jetën n’peshore t’randë.
Vjen me e pa veten
me e kuptue më në fund
se gjithçka që la mbrapa
këtu ka mbërritë para tij.

Njeriu, dikur zhurmë,
këtu bahet psherëtimë,
pastaj frymë,
diçka që nuk ka nevojë për emën.

Jeta shtrihet si lumë
që ka gjetë detin e vet.
sa edhe vdekja, po të vjen
s’gjen vend me u ulë.

Këtu jeta nuk shuhet
veç e ndërron formën.
Hyn në një rreth të ri qetësie,
ku mbarimi e fillimi
janë e njëjta frymëmarrje.

Prishtinë, 21 nëntor 2025

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL SYLA: DY ZANAFILLAT