
Kënga It’s My Life, e Jon Bon Jovit e lansuar më 23 maj 2000, nuk u shfaq rastësisht. Ajo erdhi në një moment kur Perëndimi po hynte në mijëvjeçarin e ri me një ndjenjë të dyfishtë: optimizëm teknologjik dhe ankth ekzistencial.
Vitet 2000 nisën me idenë e “fillimit nga e para”. Interneti po hynte në jetën e përditshme, ritmi i jetës po përshpejtohej dhe identiteti personal po fillonte të shpërndahej mes roleve të reja sociale, profesionale dhe digjitale. Brezat që ishin rritur në vitet ’80–’90 po hynin në moshën e përgjegjësisë, duke u përballur me pyetjen thelbësore: a po e jetoj jetën time, apo versionin që më është caktuar?
Në këtë klimë, It’s My Life funksionoi si kundër-deklaratë ndaj ndjenjës së humbjes së kontrollit. Ajo nuk foli për rebelim ideologjik, por për sovranitet personal.
It’s My Life është një këngë për vetëpohimin, por jo në kuptimin narcisist të epokës së sotme. Ajo vjen si reagim ndaj kohës, frikës së humbjes, kalimit të viteve dhe ndjesisë se jeta po jetohet sipas skenarëve të tjerëve. Në thelb, kjo këngë është një ese e shkurtër muzikore mbi urgjencën për të jetuar autentikisht.
Referenca ndaj “Tommy and Gina”, personazhe nga kënga e hershme Livin’ on a Prayer, nuk është thjesht nostalgji. Ajo është rikthim i mitit të njeriut të zakonshëm, që lufton, gabon, por nuk dorëzohet. Bon Jovi e rindërton figurën e individit që nuk kërkon madhështi, por dinjitet Jeta nuk paraqitet si triumf i sigurt, por si betejë e përditshme kundër dorëzimit.
Refreni – “It’s my life, it’s now or never” është thirrje për veprim. Kënga e sheh jetën si diçka që nuk pret miratim, ose jetohet tani, ose humbet në pritje.
Në këtë kuptim, It’s My Life është një këngë thellësisht ekzistencialiste, por pa ankthin e errët filozofik. Ajo nuk zhytet në absurditet; nuk pyet për kuptimin e jetës – e vendos atë në aktin e vendimmarrjes personale. Liria këtu nuk është e dhënë; është përgjegjësi.
Edhe kah ana muzikore, kënga mbështet këtë ide. Ritmi i fortë, struktura e qartë, refreni i drejtpërdrejtë krijojnë ndjesinë e marshimit përpara. Nuk ka dilema; gjithçka është e orientuar drejt vendosmërisë. Zëri i Jon Bon Jovi nuk është dramatik, por i sigurt, si dikush që ka kaluar frikën dhe tani flet nga përvoja.
Pra, arsyeja pse It’s My Life mbijeton si himn ndërbrezor është se ajo prek një nevojë universale: të mos jetosh jetën e dikujt tjetër. Në një botë që imponon role, pritshmëri kjo këngë e rikthen individin në qendër, jo si hero, por si autor të jetës së vet.
Në fund, It’s My Life nuk është këngë rebelimi kundër botës, por akt vetëpërgjegjësie ndaj vetes. Ajo nuk premton shpëtim, as lumturi absolute. Premton vetëm një gjë: të drejtën për të thënë “kjo është jeta ime” , dhe ta jetosh atë pa kërkuar falje për zgjedhjet e tua!
ObserverKult






