Izet Duraku: Ta kujtojmë me shpirt të pastër Havzi Nelën!

Nga Izet Duraku


Sigurimsa, hafije, hetues, gjykatës, prokurorë…. dhe heshtja e një mileti të nënshtruar, u bënë palë me regjimin që vrau e persekutoi kë deshi.
Në rastin e Havzi Nelës që u var më 10 gusht 1988, urdhri erdhi nga Olimpi. Nga maja e tij. Rrufeja e ndëshkimit do të nisej pikërisht nga Maja që zgjodhi Kukësin që t’i fuste dridhmen vendit. Krejt vendit.
E shihni si e ndëshkojmë rebelizmin e të egërve. Atyre që guxojnë të ngrenë mendjen e dorën kundër nesh!
I varim për gjuhe!
I rrasim në dhe – pingul, siç mbillen pemët. I bëjmë të rrinë sus në këtë jetë dhe në atë tjetrën!
Majës së Olimpit të degjeneruar që do t’i hynte frika në palcë vetëm pak muaj pas këtij krimi, në këtë rast nuk doli kush t’ia ndalte rrufetë. As të përballej me përbindshin duke e pështyrë në surrat, siç u pështynë tanket ruse të pushtimit në Prage!.
Mund të kenë mermeritur shumë me vete, po perballë nuk doli askush.
Olimpi nuk pyeste për mërmerima të heshtura, ai do të trembej nga dallgët e zemërimit. Jam i bindur se këtij dheu, veçanërisht Lumës, nuk i kanë munguar Trimat me germë të madhe. Trima që mund të cilësohen të marrë. Por mesa duket ende ishte herët për kurajon qytetare që do t’i bëhej digë epshit shtazarak të një pushteti, që fliste në emër të popullit. Sigurisht le të gjykohen e ndëshkohen sigurimsa, hafije, hetues, gjykates e prokurore. Le të përbuzim heshtjen, konformizmin, mungesen e kurajos… Le te vajtojmë mungesën e një heroi kordhëtar që do t’i klithte në fytyrë regjimit. Mungesën e një shenjti të guximit dhe vetflijimit.
Po të mos harrojme Olimpin e uzurpuar nga erdhi rrufeja.
Le të kujtojmë me shpirt të pastër Havzi Nelën, poetin e dhimbjes sonë memece duke e qëruar zemrën tonë nga urrejtja!

ObserverKult

Lexo edhe:

IZET DURAKU: LIS NË PIKË TË VERËS