Dalin tarifat se sa do të kushtojë viti studimor për të gjithë kandidatët që do të shpallen fitues në programet e studimit të Universitetit të Mjekësisë së Tiranës.
Senati Akademik i këtij institucioni të arsimit të lartë publik ka miratuar tashmë tarifat vjetore të shkollimit për studentët që do të regjistrohen në vitin e parë jo vetëm në programet e studimit të ciklit “Bachelor”, por edhe në ato të nivelit të dytë “Master profesional”, si dhe “Master shkencor”.
Tarifat e studimit për të dy ciklet
Referuar vendimit të shpallur, viti studimor në degët Mjekësi e përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji do të vijojë të jetë në të njëjtën vlerë edhe për pranimet e reja të këtij viti, tarifë e që mbetet në shifrën e 45,000 lekëve. Për studentët që do të ndjekin për herë të parë studimet në degë të tilla, si: Shëndet publik, Teknikë dentare, Higjienist dentar dhe Infermieri e përgjithshme, kostoja vjetore që duhet të paguajnë të gjithë studentët që do të regjistrohen në vit të parë do të jetë 40,000 lekë.
Tarifa vjetore e shkollore do të jetë më e ulët për të gjithë kandidatët e tjerë që do të ndjekin degët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në profilet: Mami, Fizioterapi, Teknikë laboratori, Teknikë imazherie dhe Logopedi, përkatësisht me 35,000 lekë.
Autoritetet e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës bëjnë me dije se tarifat e studimit për kandidatët që do të ndjekin ciklin e parë të studimit, por si program i dytë, do të jenë më të larta. Kështu, për të gjithë kandidatët që do të pranohen në një program të dytë studimi tek Fakulteti i Mjekësisë, tarifa vjetore e shkollimit do të jetë përkatësisht 233,916 lekë, në të gjitha programet e ciklit të integruar si degë e dytë, që ofrohen në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.
Për këtë kategori nuk do të ketë lehtësira, çka do të thotë se studentët do të duhet të mbulojnë vetë të plotë koston vjetore të shkollimit kur pranohen për të vijuar studimet në një program të dytë.
Sa i takon studimeve në ciklin e dytë, në vendim saktësohet se për studentët që vijojnë për herë të parë programet “Master profesional” viti studimor do të kushtojë 72,000 lekë. Ndërsa për studentët që regjistrohen për herë të parë në programet “Master i Shkencave” tarifa vjetore e shkollimit do të jetë 105,000 lekë. Në secilin rast është përcaktuar edhe tarifa që duhet të shlyhet për çdo kredit të lëndës për programet e ciklit të dytë.
Studentët e ciklit të parë dhe të integruar të ciklit të dytë, të cilësuar në bazë të rregullores së Universitetit të Mjekësisë si: “përsëritës” do i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin po vazhdojnë studimet. Përsëritës do të konsiderohet çdo student që nuk ka plotësuar numrin e nevojshëm të krediteve për të kaluar në vitin pasardhës.
Për studentët e ciklit të dytë “Master profesional” dhe “Master shkencor”, të cilët nuk e kanë përfunduar programin përkatës të studimit, apo nuk kanë shlyer të gjitha provimet e parashikuara në atë program brenda kohëzgjatjes normale të tij dhe konsiderohen studentë mbetës, bëhet e ditur se për lëndët përsëritëse do të paguajnë çdo vit akademik tarifën për kredit të lëndës përkatëse.
Gjithashtu në vendim përcaktohet se studentët që kanë transferuar studimet në këtë institucion të arsimit të lartë do t’i nënshtrohen tarifës vjetore të shkollimit në programin përkatës ku dhe janë transferuar. Shtetasit e huaj që vazhdojnë studimet tek Mjekësia në një program të parë, apo të dytë studimi do i nënshtrohen të njëjtës tarifë studimi si dhe shtetasit shqiptarë, kjo me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje zyrtare janë vendosur mënyra të tjera të përcaktimit të tarifave të shkollimit.
Studimet në ciklin e parë
Të drejtën për të konkurruar për studimet e larta për këtë vit e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte:
“Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurrojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer.
Ndryshe nga sa ndodh me institucionet e tjera të arsimit të lartë, për të konkurruar për pranimet e reja në degët e mjekësisë, maturantët duhet të kenë një mesatare më të lartë se sa kërkohet në universitetet e tjera.
Konkretisht, për të garuar në degët për programet e teknikës dentare dhe higjienist dentar duhet një mesatare mbi notën 7, për degët logopedi, teknik laboratori, teknik imazherie, mami, fizioterapi, infermieri e përgjithshme duhet notë mbi 7.5, për degën e shëndetit publik duhet mesatare e gjimnazit mbi notën 8, si dhe për degët siç janë: mjekësia, farmacia, dhe stomatologjia në garë mund të përfshihen vetëm kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 8.5 dhe më lart.
Krahas mesatares minimale që duhet për të hyrë në konkurrim për degët e Universitetit të Mjekësisë, tashmë janë miratuar edhe kriteret mbi të cilat do të bazohet përzgjedhja e fituesve të rinj do të përzgjidhen në procesin e konkurrimeve të këtij viti.
Kriteri i parë ka të bëjë me mesataren e shkollës së mesme që vlerësohet me 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj.
Kriteri i dytë ka të bëjë me mesataren e provimeve të Maturës Shtetërore 2022, ose maturave të mëparshme. Ky kriter vlerësohet me 40 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj të këtij viti.
Ndërsa kriteri i tretë ka të bëjë me mesataren e tre lëndëve formuese që janë: Kimi, Biologji dhe Fizikë. Sipas vendimit të marrë më herët nga Senati Akademik i këtij universiteti, nota mesatare aritmetike e lëndëve formuese (Fizikë, Kimi dhe Biologji), të zhvilluara gjatë tri viteve të shkollës së mesme përbën 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj.
Kur lëndët Fizikë, Kimi dhe Biologji janë të vitit të tretë, shumëzohen me koeficient 1.25. Koeficientet sipas llojit të shkollës së mesme që kanë përfunduar kandidatët, janë për profilin gjimnaz i përgjithshëm 1.4, gjimnazet seksion dygjuhësh shqip-frëngjisht, shqip-italisht, si dhe shqip-gjermanisht po ashtu vlerësohen me koeficientin 1.4. Ndërsa të gjitha llojet e tjera të shkollave të mesme vlerësohen me koeficientin 1.
Ndjekja e një programi të dytë studimi
Personat që kanë përfunduar një program të plotë studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi. Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Kuotat e pranimit dhe tarifa e shkollimit për programet e dyta të studimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kritere specifike për t’u pranuar në një program të dytë studimi përcaktohen në rregulloret e fakulteteve.
Transferimet e studimeve
Universiteti i Mjekësisë ofron mundësi për transferime të studentëve në vite të ndërmjetme midis programeve të njëjta të të njëjtit cikël nga institucione të ndryshëm të arsimit të lartë. Si rregull, transferimet bëhen në vite të ndërmjetme dhe pranohen kandidatët me rezultatet më të larta. Kreditet minimale të domosdoshme për transferimin e studimeve janë 30. Vendimi për transferim bëhet në fund të vitit akademik për t’u realizuar në fillim të vitit akademik pasardhës. Procedurat transferuese përfundojnë në fillim të vitit akademik./gazetadita.al
ObserverKult
Lexo edhe: