Jack Kerouac: Po të them se është tetor!

Poezi nga Jack Kerouac

Ka diçka të vjetër, të artë dhe të humbur
Në dritën e çuditshme stërgjyshore;
Ka diçka të butë, të dashur dhe të trishtë
Në fuqinë e bakërt të tetorit.

Fundi i diçkaje, të vjetër, të vjetër, të vjetër…
Gjithmonë mungon, i trishtuar, i trishtuar, i trishtuar…
Duke thënë diçka… dashuri, dashuri, dashuri…

Ah! Po të them se është tetor,
Dhe po të sfidoj tash dhe gjithmonë
Që të mohosh se nuk ka dashuri

Duke shikuar marrëzisht qiellin
Bukurinë e të cilit sall Zoti e sfidon

Sepse në shkëlqimin e lashtë të tetorit
Pak pas muzgut
Dashuria kalon nëpër livadh
Duke lëshuar lëvozhgën e saj të lëmuar.

Bën vaki jam i çmendur, zotëri:
Ose ndoshta shpresoj kot…
Por Oh! Tetori është i trishtë, zotëri,
I përzishëm si shiu i mesnatës.

Shushurima melankolike e pirgjeve të të korrave,
Përcëllimi i butë i qiellit mëngjesor,
Përparimi i Perandorit tetor,
Baba! Baba!
Baba nëntor i argjendit të zymtë,
Oh, po të them se është tetor!

Përktheu: Fadil Bajraj


Lexo edhe:

JACK KEROUAC: DEFINIMI I POETIT