Jacques Prévert: Gjethet e vdekuna

Oh sa kisha dashtë t’i kujtosh
ato ditë t’bukura me dashni plot.
Atëherë jeta ishte ma e bukur
dhe dielli ngrohte ma shumë se sot.
Gjethet e vdekuna mblidhen me lopatë,
e sheh që nuk e kam harru’,
gjethet e vdekuna mblidhen me lopatë,
kujtimet dhe pendimet gjithashtu,
dhe era e veriut u gjen strehëz
në natën e ftohtë të harresës.
E sheh që nuk e kam harru’
kȃngën që ma pate këndu’?

Kjo kângë veç për ne ȃsht,
për mu’ që t’deshta, për ty që m’deshte.
Atëherë kur ishim bashkë,
unë që të deshta, ti që më deshte.
Por jeta ndan ata që duhen,
ngadalë dhe në heshtje.
E deti fshin mbi rȃnë,
gjurmët e dashnorëve të ndamë.

Gjethet e vdekuna mblidhen me lopatë,
kujtimet dhe pendimet bashkë mbetën,
por dashnia ime e zjarrtë
buzëqesh dhe falënderon jetën.
Ti ishe aq e bukur e unë t’deshta aq fort,
tash si mundem me t’harrue dot?
Atëherë jeta ishte ma e bukur
dhe dielli ngrohte ma shumë se sot.
Ti ke qenë mikja ime ma e mirë,
unë s’e kam ndërmend me u pendu’,
dhe kangën që ma këndove
kurrë, kurrë s’kam me harru’.

Përktheu nga frengjishtja: Ag Apolloni