Ti fle natën,
po unë nuk muj.
Të shoh si flen
e kjo m’ban t’vuj.
Ti i mbyll sytë sapo bie n’shtrat
e unë rri e shoh trupin tand të gjatë.
Asht qesharake, po mue m’ban me qajtë
kur shoh se papritun ti nis e qesh.
Ti qesh ndërsa fle.
A thue tash ku je?
Vërtet ku ike që m’le?
Në nji vend tjetër
ndoshta me nji tjetër grue.
Tash ti je me të dhe po qesh me mue.
Ti fle natën,
po unë nuk muj.
Të shoh si flen
e kjo m’ban t’vuj.
Kur ti fle
unë s’e di a m’do përnjimend.
Të kam afër, por jo në këtë moment.
Edhe pse jam zhveshë e për trupi t’u kam mbështetë,
më duket sikur kemi dikend ndërmjet.
E prapë unë rrahjet e zemrës muj me t’i ndëgjue,
edhe pse nuk e di nëse rrahin për mue.
Nuk di asgjâ, jo nuk di mâ.
Uroj që zemra jote të pushojë
atë ditë kur të mos më dojë.
Natën ti andërron,
po unë çka me ba?
Të shoh si andërron
dhe m’vjen me qa’.
Kështu kalon nata e ti zgjohesh në mëngjes
dhe jam unë ajo së cilës ti tash i buzëqesh.
Ti i buzëqesh rrezes, ditës me diell,
e unë due ta harroj atë që e mendoja n’terr.
Ti më drejtohesh si përherë,
duke u shtriqë n’shtrat:
“A ke flejtë mirë?”
E unë ta kthej pa e zgjatë:
-“Po, shpirt, shumë mirë.”
-“Kurse unë të kam pa andërr si çdo natë.”
(Kjo kangë e shkrueme prej poetit Jacques Prévert, asht kompozue prej Claude Verger-it dhe asht këndue prej kangëtares së famshme Edith Piaf, më 1961)
Përktheu nga frengjishtja: Ag Apolloni
ObserverKult
______________________
Lexo edhe: