Poezi nga Jaime Sabines
Vendi i dashurisë, ai vend ku kam jetuar
së largu, teksa ti, krejtësisht e shpërfillur,
ishe dashuria ime e heshtur, vështrim që nuk pata shikuar,
gënjeshtër e thënë, që nuk kisha besuar:
si atëherë kur ne të dy, kurrsesi jo bashkërisht,
mes lotësh, urrejtje dhe vdekje ishim dashuruar,
akoma sot, nuk jam fort i bindur nëse mirëfilli
ende të dua, në pezmin tim të hidhëruar.
(kjo është hera e fundit që të dashuroj.
Seriozisht ta them, e dashur.)
Gjëra që fare nuk i njoh, që kurrë nuk i pata mësuar,
ndonëse pranë teje, tani, këtu, të gjitha tashmë i mësova.
Zemra ime ishte pjekur në qenien tënde.
Ankthi im në ty ngjizet.
E dashur, je vendi ku unë prehem,
heshtja ku unë dergjem.
(Kur shoh sytë e tu
mendoj birin tim.)
Gjithsesi, nganjëherë, ndonjëherë dukesh aq e largët
saqë gjithçka ta them haptas.
Zemra jote, aq e ndjeshme, duart e tua,
buzëqeshja jote që tretet në qerthull britmash,
sërish kjo zemra jote, kaq e mjerë, kaq e çiltër,
shndërrohet në bredhjet e tua, që më shpien aty ku asnjëherë nuk kam vajtur:
gjithçka që ti bën, gjithçka që nganjëherë nuk bën fare
thuajse më nxisin që me ty të kacafytem.
Ti, bijë e drojës, zemra ime e gremisur,
e shikon pra, e dashura ime, vogëlushe,
çfarë po të them unë?!
*Titulli i origjinalit: “Vendi i dashurisë”
Përktheu: Elvi Sidheri
ObserverKult
Lexo edhe:
JAIME SABINES: NUK DUA TË BIND ASKËND PËR ASGJË… JA PSE…
Nga Jaime Sabines
Nuk dua të bind askënd për asgjë. Të përpiqesh të bindësh dikë tjetër është e padenjë, do të thotë të veprosh kundër lirisë së tij që të mendojë, të besojë apo të veprojë siç ia ka ënda.
Unë dua vetëm të mësoj, të shfaq, të tregoj, jo të vërtetoj. Secili le të mbërrijë tek e vërteta me këmbët e tij, dhe askush të mos e quajë të gabuar apo të mangët…
Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU