Nga Silvana Kola Loka
Pasdite vonë.
Ulem në një tavolinë diku në qendër të lokalit. U bë kohë që nuk i përvidhem qendrës për të gjetur një qoshe ku vetja më dukej më rehat!
Jam vetëm. Jo se nuk mund të gjej shoqëri, por sepse dua t’i bëj shoqëri vetes!
Porosis vetëm një shishe ujë. Nuk dua t’i shtoj asnjë shije qëndrimit me veten!
Celularin e kam fikur dhe nuk kam asgjë për të lexuar. Nuk dua ta ngacmoj veten me fjalët e askujt tjetër përveç fjalëve që gjallojnë në kokën time!
Dhe vështroj përreth. Jeta ndodh rreth meje me një ritëm të pakrahasueshëm me asnjë tjetër, pa pyetur askënd!
Si fillim ndjeja parehati të rrija vetëm, duke mos bërë asgjë, thjesht duke parë se si ndodh jeta. Ndjeja një nervozizëm të brendshëm të cilin kisha nevojë ta qetësoja. I ndjeja duart krejt bosh dhe pa asnjë funksion, ashtu pa celular dhe pa asnjë objekt tjetër mes tyre. Ndjeja se kisha një nevojë të llahtarshme për të bërë diçka.
Sa e vështirë të qendrosh vetëm me veten!
Pastaj, ditë pas dite, fillova ta toleroj gjithnjë e më mirë e më gjatë të qëndruarit aty, në mes njerëzve, pa bërë absolutisht asgjë; thjesht duke vështruar sjelljet e njerëzve dhe dritat e natyrës, duke dëgjuar zhurmat dhe copëza bisedash, duke nuhatuar aromat, duke menduar…
Gjëja më e rëndësishme?
Unë ia kam dalë të qëndroj vetëm me veten në mes të njerëzve (më duhet ta pranoj që me shikojnë çuditshëm, por ky është problemi i tyre!), pa e mbajtur veten të zënë me asgjë, thjesht duke qenë aty, duke parë se si ndodh jeta, dhe nuk jam ndjerë vetëm!
Nuk e mbaj mend kur e pyeta veten: “A bëhemi shoqe?”
Por, di t’ju them se më pëlqen shoqja ime!
ObserverKult
Lexo edhe:
SILVANA KOLA-LOKA: MË THUAJ SE MË DO PA MË THËNË “TË DUA!”
Nga: Silvana Kola-Loka
Ky ishte titulli i një komunikimi që kërkonte të mblidhte format e përcjelljes së dashurisë pa përdorur fjalët “Të dua!”.
“Ke nevojë për ndonjë gjë?”
“Enët i lava!”
“Të lutem, më thuaj kur të arrish!”
“Të lutem, bëj kujdes!”
“A ke ngrënë?”
“Haje ti këtë copën e fundit të tortës!”
“Mos u shqetëso! Do ta gjejmë një zgjidhje!”
“Të lutem, jepi me kujdes makinës!”
“Si fjete?’
“A ke më dhimbje?”
“Jam krenar/e për ty!”
Këto dhe qindra formulime të tjera më bënë të mendoj për nevojën që kemi për të kuptuar se sa na duan…
Rritemi duke mësuar se deklarata më e qartë e dashurisë është “Të dua!”.
Të gjitha format e tjera të komunikimit (ato të listuara më sipër) më bënë të mendoj se, ndoshta, deklarata më e qartë e dashurisë që dikush mund të të bëjë, është çdo frazë që tregon se “ti i dhimbsesh tjetrit; se tjetri dëshiron që ti të jesh mirë”…
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult