“Studime për gjuhën shqipe” I, II, III, IV, V, Instituti i Gjuhësisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2017
Nga Shefkije Islamaj
Akademik Jani Thomai është një ndër studiuesit më të shquar të shkencës gjuhësore shqiptare. Kontributi i tij shkencor shënjohet me rezultate të spikatura në fushën e leksikologjisë, të semantikës, të leksikografisë, të frazeologjisë dhe të normësisë gjuhësore.
Krijimtaria shkencore e akademik Jani Thomait, siç është e njohur nga të gjithë ata që në çfarëdo mënyre u ka rënë udha kah studimet për fjalën shqipe, kuptimin dhe formimin e saj, për frazeologjinë dhe frazeografinë dhe, sidomos, për ata që kanë përdorur e shfrytëzuar veprat monumentale të leksikografisë shqiptare, siç janë fjalorët e gjuhës shqipe botuar që nga viti 1979 e deri sot, fjalorët frazeologjikë dhe fjalorët sinonimikë, që përbëjnë treguesin kryesor matës të zhvillimit të shkencës sonë gjuhësore, përkatësisht leksikore, semantike, leksikografike dhe frazeografike, mund ta shohin qartas e hapur kontributin e tij të madh dhënë shkencës së gjuhësisë dhe albanologjisë në përgjithësi.
Në studimet e gjera e të thelluara të shumë fushave gjuhësore të akademik Jani Thomait shquan prirja për të trajtuar probleme e çështje të dorës së parë të leksikologjisë, të semantikës, të leksikografisë dhe të frazeologjisë nga aspekti teorik e praktik dhe shquan prirja për t’i kodifikuar ato brenda dijes gjuhësore shqiptare, por edhe brenda vetë këtyre fushave e nënfushave të gjuhësisë shqiptare. Në të vërtetë, në sajë të punës së tij të thelluar shkencore, njohjes së gjerë dhe përvojës së dëshmuar shkencore e praktike, mund të themi se ai i ka dhënë krahë të fortë e të qëndrueshëm zhvillimit dhe përparimit të këtyre fushave studimore shumë të rëndësishme gjuhësore në shkencën dhe në arsimin shqiptar.
Studimet e akademik Jani Thomait nga fusha e leksikologjisë dhe leksikografisë, si dy fusha këto të lidhura ngushtë mes vete, trajtojnë çështje të shumta me karakter teorik dhe pragmatik, edhe në një kohë kur në studimet tona gjuhësore mungonin trajtime të veçanta e të përgjithshme për çështje, dukuri, nocione, koncepte, terma nga këto e fusha të tjera të gjuhësisë shqiptare. Leksikologjia e tij e botuar që më 1960 e më pas e plotësuar dhe e ribotuar shumëherë, si e vetmja në gjuhësinë shqiptare deri sot, si dhe monografitë Prejardhja kuptimore në gjuhën shqipe (1989), që po kështu është ripunuar e plotësuar vite më vonë, si e vetmja për problemet bazë të semantikës në gjuhën shqipe, dhe Çështje të frazeologjisë në gjuhën shqipe (1981), edhe kjo e vetmja si e tillë në gjuhën shqipe, kanë ndihmuar thelbësisht në konsolidimin e këtyre fushave shumë të rëndësishme gjuhësore dhe kanë thelluar studimet mbi fjalën, kuptimin dhe frazemat shqipe. Në të gjitha studimet e tij, e ato janë shumë, është e tejpashme prirja për të kaluar nga studimet me karakter teorik-praktik, interpretues e vlerësues te shkrimet me karakter përgjithësues, sistematizues, tipologjik dhe kodifikues. Këtu duhet të përmenden patjetër edhe veprat e tij si: Semasiologjia leksikore (1997), Leksiku dialektor e krahinor në gjuhën shqipe (2001), Veçori leksiko-semantike të ndajfoljeve me prapashtesa në gjuhën shqipe (2004), përmbledhja e studimeve Teksti dhe gjuha (1991), e të tjera. Me këto studime akademik Jani Thomai ka ndikuar ndjeshëm që të kuptimësohen, përkufizohen e shpjegohen konceptet teorike bazë të nevojshme për zhvillimin dhe përparimin e gjuhësisë dhe për hartimin e strategjisë së zhvillimit të leksikografisë shqiptare që u materializuan ndër vite në veprat të mëdha leksikografike dhe normuese, me peshë të madhe për albanologjinë dhe kulturën shqiptare.
Leksikografia konsiderohet ndër përbërësit kryesorë të jetës qytetëruese të njeriut modern. Fjalorët, leksikonët dhe enciklopeditë, siç dihet, mundësojnë sistematizminin e dijeve dhe njohjeve njerëzore, si dhe shfrytëzimin dhe ruajtjen e tyre. Sipas rëndësisë së tyre, studiuesit e qytetërimit i vendosin ato fill pas rrymës elektrike e kushtetutave, si ndihmuese, lehtësuese e thjeshtësuese të jetës dhe të funksionimit të shoqërisë njerëzore. Zhvillimi i leksikografisë është i kushtëzuar drejtpërdrejt nga historia e shoqërisë, përkatësisht nga kultura e saj, prandaj për zhvillimin e saj është thelbësore nëse në atë shoqëri ekziston numër i mjaftueshëm i kuadrove të specializuara, nëse ekziston infrastruktura e nevojshme ndihmëse për përpunimin e lëndës gjuhësore, dhe sidomos nëse ekzistojnë mundësitë për financimin dhe krijimin e kushteve, për hartimin, botimin dhe shpërndarjen e tyre. Leksikografia sotme shqipe dhe zhvillimi i saj nga vitet ’70 e deri sot nuk mund të mendohet pa punën e angazhimin e shumanshëm të akademik Jani Thomait dhe të ekipit realizues të veprave leksikografike bazë të gjuhësisë shqiptare.
Zhvillimi i leksikografisë shqipe ka rezultate të prekshme dhe në to akademik Jani Thomai mban emrin qendror, si kryehartues, kryeredaktor dhe bashkautor i një numri të konsiderueshëm të fjalorëve bazë të gjuhës shqipe dhe jo vetëm, siç janë: Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (1979), Fjalor i shqipes së sotme (1984, 2002), Fjalor i gjuhës shqipe (2006), Fjalor i vogël i gjuhës shqipe (2010), Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe, (1999); Fjalor frazeologjik ballkanik (2010), Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe (2004), Për pastërtinë e gjuhës shqipe, Fjalor (1998), e te tjera.
Përtej këtij kontributi, punën e tij të gjerë e cilësore e shpërfaqin edhe pesë vëllimet studimore me më se 2000 faqe, botuara në vitin 2017 nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASA-së, nën përkujdesjen e të zellshmit prof. dr. Valter Memishës, drejtor i kësaj Akademie.
Botimi i këtij kompleti, i titulluar Studime për gjuhën shqipe përbëhet prej 5 librave të vëllimshëm, të cilët janë konceptuar sipas fushave bazë studimore të akademik Jani Thomait. Në këto përmbledhje janë përfshirë studime, vështrime, artikuj shkencorë, kumtesa, recensione e të tjera, të publikuara në përmbledhje studimesh e kumtesash nga konferencat kombëtare e ndërkombëtare dhe më të shumtat studime të botuara në revistat shkencore më të çmuara kombëtare dhe ndërkombëtare. Secili nga pesë vëllimet e kompletit grupon shkrime të fushave të caktuara gjuhësore. Kompleti i përmbledhjeve të akademik Jani Thomait është konceptuar kështu: Vëllimi I – Leksikologji – Fjala dhe leksiku; Vëllimi II – Frazeologjia gjuhësore; Vëllimi III – Semantikë leksikore; Vëllimi IV – Leksikografi; Vëllimi V – Dialektologji. Shqipja standarde. Kulturë gjuhësore. Për autorë dhe vepra.
Duke qenë se krijimtaria dhe veprimtaria shkencore e akademik Jani Thomait qëndron ngushtësisht e lidhur me leksikologjinë dhe leksikografinë, përfshirë këtu edhe frazeologjinë, vëmendja në këtë shkrim është drejtuar në vëllimet I, II dhe IV. Që të tri këto vëllime trajtojnë çështje të ndërlidhura me fjalën nga shumë aspekte: nga aspekti leksikologjik e fjalëformues, nga aspekti leksikografik e metaleksikografik si dhe nga aspekti i standardësisë. Disa nga shkrimet e këtyre vëllimeve problematizojnë çështje rreth identifikimit të fjalës si njësi leksikore ose gramatikore me qëllim hetimi dhe zbulimi të treguesve të saj.
Çka përmbajnë vëllimet I, II, IV të kolanës pesëvëllimshe të akademik Jani Thomait?
Vëllim I Leksikologji – Fjala dhe leksiku përmban 23 shkrime që trajtojnë problematika të ndryshme nga fusha e leksikologjisë, përkatësisht çështje që lidhen me fjalën dhe leksikun e shqipes, ndër to kryesoret janë: fjala dhe kuptimi i saj, fjala dhe kufijtë e saj në gjuhën shqipe, raportet midis fjalëve, fjalësi i gjuhës shqipe dhe struktura e tij, mënyrat e krijimit të fjalëve, pasurimi i gjuhës, shtresimet e leksikut, ndryshimi funksional-stilistik në rrafshe të ndryshme ligjërimore, e të tjera.
Ndër 23 shkrimet e këtij vëllimi prej 445 faqesh shquajmë këto studime e artikuj shkencorë: Kufijtë e fjalës në gjuhën shqipe dhe disa çështje të drejtshkrimit, vlerat stilistike të fjalëve, Një shtresëzim i i leksikut të shqipes nga pikëpamja e normës letrare, Tipare e mjete dalluese stilistike të disa shkrimeve publicistike, Çështje të leksikut potencial, Rreth shtresimit historik të leksikut të shqipes sipas studimeve të prof. Eqrem Çabejt, Rreth leksikut dialektor e krahinor të shqipes, Rreth vlerave të fjalëve shqipe, Evolucioni tipologjik i strukturës morfologjike e i formimit të fjalëve në gjuhën shqipe, Lëvizje në leksikun e gjuhës shqipe në kushtet e reja historike-sociale, Probleme të leksikut në shqipen standarde, Huazim leksikor dhe standardizim, tipologji e studimeve gjuhësore shqiptare, Çështje leksikore në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe e shumë të tjera me interes të veçantë.
Me studimet për fjalën dhe leksikun, për zhvillimin e leksikut, raportin e leksikut me realitetin jashtëgjuhësor, klasat leksikore, strukturën semantike të njësive leksikore shumëkuptimëshe, prejardhjen kuptimore, fjalëformimin, raportet paradigmatike midis njësive leksikore (sinonimet, antonimet, homonimet), raportet sintagmatike, frazeologjizmat, terminologjia, leksiku dhe normësia, akademik Jani Thomai konsiderohet personaliteti më i shquar e më serioz për shqyrtimin kritik të trashëgimisë leksikore të shqipes nga aspekti i saj i shtrirjes dhe, në përgjithësi, nga aspekti i formimit të saj diakronik e sinkronik si dhe njëri nga njohësit më të shquar të historisë së brendshme të gjuhës shqipe.
Botimi i këtyre studimeve që kanë në qendër të vëmendjes fjalën dhe gjuhën e gjallë, në një përmbledhje si kjo, është ndihmesë e padiskutueshme për studiuesit në përgjithësi e sidomos për studiuesit e rinj që përgatiten për të hyrë në botën e pasur të fjalës shqipe.
Në vëllimi II të përmbledhur me titullin Frazeologjia gjuhësore janë përfshirë 23 shkrime – studime e artikuj shkencorë, brenda 422 faqeve sa ka ky libër, ndërsa janë marrë në vështrim problematika e çështje të shumta të frazeologjisë, disa nga ato të konsideruara si çështje themelore të kësaj fushe. Kështu janë trajtuar çështje që lidhen me konceptin mbi njësinë frazeologjike dhe frazeologjinë në përgjithësi, me përshkrimin njohës të frazeologjisë e të njësive të veçanta frazeologjike, me çështje të tipologjisë e të strukturës e të semantikës së njësive frazeologjike, me çështje të ndërtimit, të shndërrimit e të metaforizimit të frazeologjizmave, pa lënë anash aspektin komunikues të tyre, me motivimin, ekuivalencën dhe simbolikën e përbërësve frazeologjikë, proverbat dhe shprehjet e ngurosura. E të tjera.
Në këtë përmbledhje po shquaj këto studime e artikuj: Probleme të frazeologjisë së gjuhës shqipe, Togfjalëshi, frazeologjia dhe fjala, Probleme të strukturës formale dhe të klasifikimit të frazeologjizmave të gjuhës shqipe, Mbi rendin e fjalëve në strukturën e frazeologjizmave të shqipes, Paralele frazeologjike të shqipes me gjuhë të tjera, Një klasifikim i frazeologjizmave me vlerë ndajfoljore në gjuhën shqipe, Grupe fjalësh të bashkëlidhura me frazeologjizma, Aspekti shoqëror-kulturor në formimin e frazeologjisë së shqipes, Frazeologjizmat emërorë e mbiemërorë në gjuhën shqipe, Frazeologjizmat foljorë në gjuhën shqipe, Çështje të identitetit të njësive frazeologjike, Veçori të përdorimit të frazeologjisë së gjuhës shqipe, Modelimi në frazeologji, Rreth një korpusi frazeologjik ballkanik, Sinonimia në fjalorin frazeologjik, Frazeologjia dhe frazeografia shqiptare. Janë botuar edhe disa shkrime që trajtojnë togfjalëshat e qëndrueshëm në Mesharin e Buzukut, karakterin popullor të frazeologjisë së Çajupit dhe një shkrim për frazeologjinë në raport me normën letrare.
Me studimet për frazeologjinë të botuara në këtë përmbledhje, po sidomos me monografinë e tij për frazeologjizmat e gjuhës shqipe, akademik Jani Thomai ka përgatitur e rrahur teorikisht punën që do të pasojë në hartimin e fjalorit të madh të frazeologjizmave të gjuhës shqipe ku ai është kryehartuesi e kryeredaktuesi i tij. Në këtë rrugë shndërrimi të teorisë në praktikë, leksikografia shqipe fitoi si asnjëherë tjetër në historinë e saj standardet më të larta shkencore e profesionale leksikografike për hartimin e fjalorëve frazeologjikë.
Në Vëllimin IV të titulluar Leksikografi janë përfshirë 27 shkrime – studime e artikuj shkencorë.
Në saje të përvojës së pasur vetjake akademik Jani Thomai, në shkrimet e tij të shumta të botuara në revistat kryesore shkencore në Tiranë, Prishtinë e gjetiu, por edhe në revista shkencore evropiane, që janë përfshirë në këtë përmbledhje, janë shtruar, pos të tjerash, edhe këto tema: raporti midis teorisë dhe praktikës leksikografike, rrjedha zhvillimore e leksikografisë shqipe, përzgjedhja e lëndës gjuhësore për fjalor, si të përcaktohet zëri leksikografik në fjalor, ç’është metagjuha leksikografike, cilat të dhëna ose tregues gramatikorë duhet të përfshihen në artikullin e fjalorit, në ç’masë duhet të përfshihet etimologjia, me çfarë shënjues duhet të shquhet leksiku, si të përkufizohen kuptimet, si të përcaktohet struktura kuptimore: kuptimi, parësor, i dytë, i tretë e kështu me radhë i njësisë leksikore, apo kuptimi stilistik dhe përcaktime të tjera si tematike ashtu edhe shtresuese, në ç’mënyrë të paraqiten ato brenda zërit leksikografik, si të përpunohen e të paraqiten shprehjet frazeologjike, sinonimet, antonimet e deri te çështja – si të zhvillohet praktika leksikografike.
Por, pos këtyre temave të përfshira në vëllimin IV të kompletit të profesor Thomait trajtohen edhe një varg çështjesh e temash me shumë rëndësi në këto studime: Zhvillimi i teorisë dhe praktikës leksikografike shqiptare pas Çlirimit, Mbi mënyrën e pasqyrimit të sistemit të kuptimeve dhe përdorimeve të fjalëve në fjalorin shpjegues të gjuhës shqipe, Leksikografia shqipe – trashëgimi dhe perspektivë, Leksikografia shqipe drejt objektivash madhorë – Fjalori i madh i gjuhës shqipe, Zhvillime të ardhshme në leksikografinë shqipe, Fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe, Për një fjalor të madh të gjuhës shqipe, Për një fjalor të vogël të gjuhës shqipe, Fjalori dhe leksikografia, Brenda në Fjalori e të tjera. Këto e tema të tjera që janë trajtuar në këtë vëllim të kompletit në thelb i përkasin leksikografisë teorike dhe praktike dhe si të tilla do të mund të përbënin një monografi më vete, të cilës do t’i përshtatej ky titull: Leksikografia teorike dhe praktike në gjuhësinë shqiptare. Disa nga shkrimet e lartpërmendura kanë edhe karakter udhëzues për hartuesit e fjalorëve.
Në vëllimin IV-të të këtij kompleti janë trajtuar edhe tema të tjera që lidhen me krahinorizmat leksikorë në fjalorë të gjuhës shqipe, me leksikun popullor të të folmeve verilindore të shqipes, vështruar përmes Fjalorit të fjalëve dhe shprehjeve popullore, botuar më 1982 nga një grup studiuesish të Institutit Albanologjik. Shkrimi ka karakter analitik, kritik dhe udhëzues për të gjithë ata që rreshtin të merren me leksikun dialektor dhe me hartimin e fjalorëve dialektorë. Janë trajtuar çështje që lidhen edhe me hartimin e një Fjalori frazeologjik, vështruar përmes disa fjalorëve të botuar frazeologjikë, me plotësimin e Fjalorit frazeologjik ballkanik (1999), të një grupi leksikografësh, ndër ta edhe profesor Jani Thomai, pastaj me Fjalorin e sinonimeve, me Fjalorin e Naim Frashërit (dorëshkrim) të Dhimitër Shuteriqit (1998), me Fjalorin e Françesko Maria Da Leçes, vështruar me syrin e një studiuesi të zot e të zellshëm si Kolë Ashta, si dhe me një fjalor frazeologjik dy gjuhësh frëngjisht-shqip të Daniel Xhoxhajt.
Në këtë vëllim janë përfshirë me shumë të drejtë edhe dy shkrime nga fusha e terminologjisë si: Terminologjia dhe terminografia shqipe në zhvillim, Terminologjia islame dhe leksikografia shqiptare, si dhe tri shkrime për fjalët e huaja, për fjalorët dygjuhësh dhe për fjalorët ndërballkanikë: Leksikografia shqipe dhe zëvendësimi i fjalëve të huaja të panevojshme, Leksikografia dygjuhëshe e shqipes me gjermanishten dhe Lexicographie interbalkanique: vu de’albanais.
Kontributi i akademik Jani Thomait dhënë leksikologjisë dhe leksikografisë, si dhe nënfushave të tyre – semasiologjisë, semantikës, fjalëformimit, frazeologjisë e frazeografisë shqipe, me botimet e veçanta dhe me studimet e shumanshme të botuara në këto tri vëllime, por edhe në gjithë kompletin, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në këto fusha, siç u pa nga besoj edhe në këtë shkrim të shkurtër, ai shtroi një varg problemesh qenësore të tyre, duke i vështruar e rivështruar, pos të tjerash edhe në raport me rezultatet e deriatëhershme, në të vërtetë brenda këtyre studimeve ai hodhi teori e hipoteza të reja, duke ndërtuar shkollë të re të studimit të leksikut e të semantikës, por edhe të leksikografisë e frazeografisë.
Me këto pesë vëllime studiuesi Jani Thomai ka sjellë ndihmesë edhe me studimet për leksikun dhe normën stilistike deri edhe për çështje drejtshkrimore e çështje të tjera nga fusha e fjalëformimit të shqipes. Në të gjitha këto fusha ai solli kontribute vetjake me rëndësi të madhe shkencore dhe kombëtare.
Në fund të këtij shkrimi duhet të thuhen edhe këto mendime përmbledhëse.
Akademik Jani Thomai, me kontributet e tij shumë të çmueshme në gjuhësinë shqiptare, ka dëshmuar prirje dhe aftësi të rrallë për të hetuar e studiuar problemet çelës në fusha të rëndësishme të dijes gjuhësore shqiptare siç janë leksikologjia dhe leksikografia.
Kontributi shkencor e pragmatik i akademik Jani Thomait i përket fushave bazë të gjuhësisë shqiptare. Ai i takon brezit të asaj kohe kur mendohej që njerëzit me dhunti e aftësi të veçanta si dhe me energji të mëdha, duhej, para se gjithash, të punonin në shkencat kombëtare, sepse të huajt nuk mund ta bënin punën e studiuesve shqiptarë.
I përgatitur dhe i stërvitur në këtë vetëdije dhe përgjegjësie, që prej fillimit të punës së tij kur realizoi studimin e parë shkencor E folmja e katundit Seman, këtu e 60 vjet më parë, akademik Jani u gjend në krye të shumë projekteve me rëndësi të madhe kombëtare. Kjo i ka dhënë studimeve të tij gjerësi dhe shumanësi shikimi dhe trajtimi shkencor. Megjithatë, ai gjeti mundësinë që, pos këtij angazhimi, dhuntinë e energjinë e tij ta drejtojë kah njohja e thellë edhe e fushave ngushtësisht të specializuara, sepse pa njohje të thellë nuk mund të krijohen bazat shkencore të fushave dhe të nënfushave të ndryshme të asnjë shkence e as të shkencës së gjuhësisë.
Duke studiuar e përpunuar lëndën dhe metodologjinë e fushave si leksikologjia e semasiologjia, akademik Thomai, ka përparuar edhe nënfushat e tjera të gjuhësisë shqiptare. Fryt i këtij përcaktimi janë rezultatet e tij të veçuara në gjuhësinë shqiptare – studimi i çështjeve shumë të rëndësishme gjuhësore, konkretisht studimi i fjalës, i semantikës e i strukturës së saj kuptimore e gramatikore, i shtresëzimit të saj burimor, territorial dhe stilistik, por edhe studimi i frazeologjisë, studime që janë lëndëzuar si monografi dhe kështu janë bërë ndihmuese edhe për leksikografinë shqipe, përkatësisht për hartimin e fjalorëve gjuhësorë e jogjuhësorë tematikash të ndryshme, ku akademik Jani Thomai paraqitet kryeprotagonist me mendje të gjerë, me fuqi intelektuale të rrallë, studiues serioz me qëllim, me përkushtim e me të arritura të veçanta..
Për këtë arsye, po e përsëris edhe në këtë shkrim, se akademik Jani Thomai, me veprën e tij shkencore ka arritur të lëvizë mendimin shqiptar të kohës për problemet çelës të leksikologjisë të semantikës e të leksikografisë shqiptare./(epokaere)