Janice D. Soderling: Një mbretëri shumë e vogël

Poezi nga Janice D. Soderling

Dikur ishte një mbretëreshë
e cila mbretëroi e vetme një mbretëri shumë të vogël,
tre fëmijë, një thes me patate që presin për t’u
qëruar,
një thes me plehra kutërbues që pret të nxirret
jashtë,
një fshesë, e padobishme për fshirje dhe bile edhe më e
padobishme për të fluturuar (jo se ajo
nuk e kishte provuar)
ndërsa tre fëmijët e lartpërmendur presin
presin me frikë,
për të parë se çfarë tjetër do të sajojë kjo
mbretëreshë e trentë
dhe çfarë do t’ju ofrojë për darkë.

Ajo gjithashtu kishte një tik nervor, një filxhan të ciflosur çaji,
dhe para të imëta (asnjëherë të mjaftueshme).

E Mbreti? Ku na treti Mbreti? ju pyesni.
Paj edhe mbretëresha do të donte ta
dinte.
Ndoshta ia ka mësyrë ndonjë lufte. Mbretërit kënaqen duke
luftuar në luftëra.

Ata i duan ato aq shumë sa që nëse nuk ka luftëra
në afërsi,
do të nisen për të gjetur ndonjë.

Ose ndoshta nuk ishte fare mbret. Ndoshta i ashtu-
quajturi Mbret ishte sall Princ zhaban që u
metamorfozua në vetveten e tij të vërtetë
pasi që doli nga lagështia e moçalit ku
ai kishte kuakur këngë kurvërie
të pijes me jaranat e tij zhabana
para se të futej në shtratin e zbehtë të mbretëreshës
ku klima ishte shumë e ftohtë dhe
shumë e thatë për Zhabanat normalë e për Mbretërit.
Nuk është çudi që ai u largua në kërkim të një lufte.

Sidoqoftë.
Ai kishte ikur dhe mbretëresha mbretëroi e vetme.
Ishte një jetë vetmie ama ç’dreqin të bënte?
Oh, ajo kishte shumë për të bërë. Punët e një mbretëreshe
nuk kryhen kurrë.

Së pari ajo duhej të shkonte në zyrë dhe të fitonte
para për të blerë ushqim.
Pastaj ajo duhej të shkonte në supermarket dhe të
ofendohej nga arkataret e vrazhda kur
ajo gërmonte në çantën e saj për të gjetur parat e imëta
(asnjëherë të mjaftueshme).
Pastaj duhej të priste në vendndalesën e autobusit
e ngarkuar me çanta të rënda.
Pastaj duhet të qëndronte në këmbë për dyzet minuta
sepse nuk kishte asnjë shans që ndokush t’ia lironte
vendin mbretëreshës me çehre mortore
dhe me tik nervor.
Pastaj i duhej të ecte pesë blloqe nëpër shi,
borë, llohë, quane si të doni, si të ishte ajo
postier e jo mbretëreshë ama tash jemi
duke dalë nga tema.

Përmbledhje.
Së pari, ajo duhej të fitonte para
Së dyti, ajo duhej të blinte ushqimin.
Së treti, ajo duhej ta bartte atë deri në shtëpi (tonelata e tonelata
gjatë viteve).
Pastaj duhej ta gërryente, ta priste në rriska, ta priste në kubthe,
ta fërgonte, ta ziente, ta piqte, ta kriposte, ta piperoste, ta shtypte,
ta spërkaste, ta vendoste në tavolinë, dhe t’i lëshonte urdhërat
e saj prej mbretëreshe.

Hani darkën tuaj.
Rrini urtë.
Uluni në karrigën tuaj në katër këmbët.
Mos flisni me ushqim në gojë.
Jini të lumtur që keni ushqim në pjatën tuaj.
Hani darkën tuaj.

Morali i kësaj historie është:
Bile edhe në mbretëritë shumë të vogla,
gjithmonë
ka shumë punë për t’u bërë.

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


ËSHTË NDJENJË E MIRË PËR TË MENDUAR PËR TY