Jasmina Kotrri: Jam grueja që zánin baj dëshmi force…

Unë jam fmia,
që qeshem
sa herë kamadóras
i afrohem pragut me u arratisë,
e botën që shfrehet mbas deret, me përqafue.

Unë jam vajza,
që n’cep t’pexheres, tinzash,
përshkoj kalimtarët,
n’zellin ngutës të kureshtjes,
e sytë shëtisin luginave t’shpirtit,
me ândrrue.

Unë jam grueja,
që zánin baj dëshmi force,
kur rutina m’then gjunjt,
por shpirtin ndezi në njimijë marrzina,
e në çdo gem lisit,
vari dëshirat e mija,
me shtegtúe e lirë.

Jam nana, që brinjët kam hapë,
e botën kam dridhë me tri dhimbje,
n’shkëputje frymet,
e jetë kam çilë nga vetja.

E unë pra,
i stivoj të tana nëpër gema,
kur tespitë çlirojnë lutjet,
bánu prapë vajzë…