
Jam shtrirë n’shtrat e du me e vra kohën.
Atë kohë që m’ndan prej gjithçkaje që du.
Po atë kohë që m’mban n’makth qysh kur linda.
Atë kohë që mungon çdo ditë.
E n’mungesën e saj,
çdo sekondë hup diçka.
Të qeshurat e fëmijëve,
ankesat e hallet e prindërve,
ajo kohë që s’m’len me pa,
ajo kohë që s’ka kohë për mu…
Çuditërisht, sot kjo kohë s’po ec.
Shoh orën: 6:40.
Përplas kambët, njanën mbi tjetrën, e mendoj
me çka me e vra këtë kohë.
Thur plane t’randa, t’frikshme.
Vë buzën n’gaz e them:
“E vrava.”
Shikoj orën.
Për dreq…
veç nji çerek minute ka ec.
Kollitem pak.
Çohem.
Ec zbathun.
Shoh t’kuqen që ka mbulu krejt horizontin.
Nji frymë vjeshte,
n’pikun e verës,
lëviz hijet e gjata n’horizont.
“Me e var kohën aty?” mendoj.
Shoh orën.
Veç 6:41.
ObserverKult
Lexo edhe:






