reklamë

“Këpucët e tua”, poezi nga Ndue Ukaj

Ndue Ukaj

Në shkollë nuk të thonë se në jetë duhet të ecësh me këpucët e tua.
Se vetëm ato t’i mbajnë këmbët e sigurta.
Bëhen dëshmitare të udhëve të tua,
ta farkëtojnë fatin, por kur janë në disharmoni
me masën e këmbës, të shkaktojnë plagë.

Me to mund të ecësh me kohën apo të mbetesh prapa.
Vetëm ato e dinë kur kalon një prag,
gjurmët që lë pas, shëtitjet udhëve të fatit,
bredhjet, pakuptimësinë
dhe pengesat që të dalin në çdo kthesë të re.

Këpucët janë dëshmitare të udhëve të tua.
Po, ato bartin pas pluhur, kapërcejnë pragje,
kufij të ndaluar,
prandaj madhësia e tyre duhet të jetë e saktë.

Unë gjatë kam ecë nëpër udhë pa tabela orientuese,
nëpër prush ëndrrash, me këpucët e mia
dhe një dritëz të ndezur në zemër,
duke kërkuar udhët e vërteta të jetës.
Këpucët më janë prishë shpesh kur i jam afruar një caku.
Prandaj, shpesh i kam ndërruar
kur kam nisë një udhë të re
e të vjetrën e kam lënë prapa
dhe sa herë kam marrë udhë të re,
e kam thyer kupën e pikëllimit
përpara syve të mi.

Dhe ti, kur plandosesh në pikëllim,
krejt çka duhet të bësh është
të ecësh me këpucët e tua,
ta thyesh atë kupë helmi
dhe të mos e kthesh kurrë kryet prapa
dhe të futesh plot galdim
me këpucë të reja në ditën e re.

Këpucë

Po, regjistri i shpikjeve njerëzore është shumë i gjatë.
Zjarri. Shigjetat për luftë. Rrjetat e peshkimit.
Instrumentet për matje të temperaturës,
ilaçet kundër dhembjeve, fluturimi nëpër hapësirë,
shkrimi si një armë kundër asgjësimit, bombat shkatërruese,
inteligjenca artificiale.

Por, një prej shpikjeve më të rëndësishme
janë këpucët. Po, këpucët.
Me to bën udhën tënde,
zbulon përditë gjëra të reja,
mbrohesh prej gozhdëve,
prej ferrave dhe gropave të zeza.
Bie në puse të helmuara e nuk helmohesh,
shkel udhëve të dashurisë dhe nuk shitohesh.
Ose shitohesh përherë,
sepse dashuria të ngujon në botën e saj
e të bën të harrosh gjithçka tjetër.

Këpucët të dëftojnë
se në jetë ka përherë udhë të reja,
të parrahura, si fillimi i një bote të re.

Dhe çdo mëngjes, sa herë mbath këpucët,
nis një ditë e re,
mund të udhëtosh në lumenj lumturie
ose të zhytesh në pellgje pikëllimi.
Këpucët të ndihmojnë të shtegtosh,
të shikosh kohën ndryshe,
në kalendarin e pështjelluar
ato kurrë nuk ngatërrohen
dhe përherë kanë aftësi të dëftojnë
se kurrë nuk është vonë
të dalësh nga udha e gabuar,
për të gjetë drejtime të reja,
udhë kah ishulli i lumturisë.

ObserverKult


Lexo edhe:

Ndue Ukaj: Ti qan