Jean-Jacques Fdida: Përrallat e të dashuruarve marrëzisht

Çdo njeri ka fatin e vet

Na ish një her’se ç’na ishte,
Para se bota botë të ishte,
Para se gurët mend ta mbanin,
Dhe kur kujtimin dot nuk e ndanin…
Afrika çdo gjë të re e kishte!

Në atë kohë të lavdishme – atje sikundër këtu, këtu njësoj si atje Zoti ishte në parajsën e tij qiellore dhe – po krijonte burrat e parë. Dhe sa më shumë burra krijonte, aq më shumë vinte re se krijesat e tij dora-dorës përmirësoheshin! Më në fund, kur krijoi burra aq sa donte, ai i mblodhi krijesat e tij – stërgjyshërit tanë – dhe menjëherë vuri re se kishte nga të gjitha llojet; të mirë, shumë të mirë dhe shumë më pak të mirë…. Por atje ashtu si këtu, këtu njësoj si atje – Zoti deshi t’u jepte një mundësi të gjithëve. Kështu ai iu tregoi Tokën dhe u tha:

Shkoni fëmijët e mi, bota po ju pret! Ecni drejt, hidhni hapat mbi rrugë. Do ta shihni, unë kam krijuar toka të bukura, hapësira të mrekullueshme me ujë! Nisuni tani me bekimin tim dhe ndërtoni një jetë të lumtur për veten tuaj!

Me t’u thënë e me t’u bërë. Burrat u nisën për rrugë. Por ndërsa ata të përkryerit po nxitonin të arrinin në tokë për të nisur nga puna, të tjerët kishin nisur tashmë ta diskutonin këtë çështje:

– Si të nisemi? Ç’është kjo rrugë kështu! Shumë e lodhshme! E duhet të ecim? pse Hajt, mos e vrisni mendjen, do të gjejmë patjetër një vend ku të vendosemi…

Dhe, ndërsa burrat e mirë kishin mbërritur tashmë në Tokë dhe kishin ndërtuar ca kasolle të bukura me ca rrugina të shtruara bukur, burrat e këqinj ishin ende duke tërhequr këmbët zvarrë e duke dërdëllitur… Mirëpo, gjatë kësaj kohe, Zoti tha me vete, këtu sikundër atje, atje njësoj si këtu:

Nuk është mirë që burri të rrijë vetëm. Do t’i bëj një shoqe të ngjashme me të. Dhe ja ku iu vu prapë punës për të modeluar gruan! Vetëm se këtë radhë ai e kishte dorën më të sigurt e më të stërvitur, kështu që bëri disa zbukurime. Sidoqoftë, kur u lodh, vuri re se kishte krijuar gjithfarë grash: shumë të mira, të mira, shumë më pak të mira… Pastaj edhe atyre u tha e duke drejtuar gishtin nga Toka:

Shkoni vogëlushet e mia, nxitoni! U kënaqshi në botën ku do të shkoni! Aty do të gjeni plot shokë të pashëm. Nisuni tani me bekimin tim dhe jetë të lumtur!

Dhe ja ku përsëritet e njëjta gjë: gratë u nisën për rrugë dhe, ndërsa disa prej tyre filluan të ankohen dhe të mos luajnë këmbët, më të mirat mes tyre e kishin hapur rrugën tashmë. Madje shumë shpejt ato i arritën burrat që ishin ende rrugës; ata më dembelët, më llafazanët, llumin e njerëzimit!

Përktheu: Saverina Pasho

ObserverKult

ObserverKult  


Jaime Sabines vdes...të dashuruarit

Lexo edhe:

TË DASHURUARIT HESHTIN. DASHURIA ËSHTË HESHTJA MË E MIRË…

Të dashuruarit heshtin
Nga Jaime Sabines
Përktheu: Xhemazije Rizvani

Të dashuruarit heshtin.
Dashuria është heshtja më e mirë,
Më kumbuesja
më e padurueshmja.
Të dashuruarit kërkojnë
të dashurit janë ata që braktisin,
Janë ata që ndryshojnë,
ata që harrojnë.
Zemra e tyre u thotë se nuk do ta gjejnë kurrë ,
nuk e gjejnë, kërkojnë.
Të dashuruarit ecin si të çmendur
sepse ata janë vetëm, vetëm, vetëm,
duke u dorëzuar,
duke u dorëzuar gjatë gjithë kohës,
duke qarë sepse nuk mund ta shpëtojnë dot dashurinë.
Ata kujdesen për dashurinë.
të dashuruarit jetojnë nga dita në ditë,
nuk mund të bëjnë më shumë, nuk dinë.
Ata gjithmonë largohen
Gjithmonë diku.
Ja tek presin,
ata nuk presin asgjë, por megjithatë presin.
Ata e dinë se nuk do ta gjejnë kurrë. Dashuria është zgjatim i përhershëm gjithmonë hapi tjetër, tjetri, tjetri.
Të dashuruarit janë të pangopurit,
ata që gjithmonë
-sa mirë!-
duhet të jenë vetëm.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult