Jeff Weddle: Manifesti


Poezi nga Jeff Weddle

Për kë të shkruajmë, nëse jo për njerëz?
Profesorët, predikuesit dhe shefat
nuk na duan dhe nuk kanë nevojë për ne.
Ata janë të mbushur me dogmat e shekujve.
Çfarë leverdie do të kishin prej poezie?
Pyetni profesorët dhe ata do të thonë
e dinë se çka është poezia, dhe çka nuk është
dhe kujt i lejohet ta shkruajë. Në pidh të s’amës
le të shkojnë.
Pyetni predikuesit dhe ata do të thonë
vargu i urryer i dymijë viteve të kaluara
është i mjaftueshëm për të na mbajtur të gjithëve të ngopur,
duke dhjetuar, të frikësuar dhe nën kontroll. Në pidh
të s’amës le të shkojnë.
Pyetni shefat edhe ata do të thonë
se nuk marrin vesh gjë nga poezia
dhe duan që asgjë të mos ndryshojë
as për ta dhe as për punëtorët e tyre.
Trutrumcakëve u pëlqejnë trutrumcakët dhe,
bile edhe më shumë, turrja pas parasë. Në pidh
të s’amës le të shkojnë.
Por punëtorët, disa prej tyre,
kanë nevojë për atë që ne ofrojmë,
bile edhe nëse e kuptojnë poezinë.
E njëjta gjë vlen për të varfërit,
të harruarit, të dëbuarit.
Është e vërtetë për të rinjtë ende të paregjur
me rutinë dhe rrena.
Është e vërtetë për shpirtin e lirë,
kërkuesit, të trishtuarit, të vetmuarit, të zgjuarit,
të çuditshmit, tinëzakët në errësirë,
të harlisurit, paranojakët, maniakët seksual,
narkomanët, pijanecët, të çmendurit
dhe të hareshmit.
Është e vërtetë për planetin tonë të pushtuar,
duke u vrarë minutë pas minute
nga përsëritja e pamend e së djeshmes.
Njerëzit kanë nevojë për poezi
bile edhe nëse nuk e kuptojnë fort mirë.
I rrini në besë poezisë, vëllezër dhe motra.
Shkruani ëndrra dhe vizione të reja.
Ky është melhemi që ne sjellim.
Kjo është ajo që mban dritën e botës.

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

JEFF WEDDLE: NJË POEZI E PASHPIRT

JEFF WEDDLE: TË GJITHA RRUGËT