Poezi nga Jeff Weddle
Kush vendosi që arti i të gjitha llojeve
duhet të jetë i mërzitshëm? Ai farë personi – komisioni? –
ka nevojë për t’ia futur një shkelm të mirë bythëve.
E lexova librin që erdhi në postën e sotme
(nuk do të them se kush e ka shkruar dhe as si
më ka ndodhur të bëj blerjen)
i cili ka të bëjë me një jetë rurale të lustruar për merak
në metaforë të kargatisur dhe diksion të lartë,
ama e cofët si troftë e qëruar.
Kjo do të thotë se ajo lexohet si çdo poezi
që e gjeni e që mund të jetë e lakmuar
nga profesorët e anglishtes apo nga redaktorët
në The Georgia Review.
E di që i gjori që ka pasur qëllime të mira,
dhe botuesi ka bërë çmos që libri të ketë
dizajn të pakundshoq. Ama ta ofendon intelektin.
Nuk do të kërkoja nga poeti të jetë i gënjeshtërt
apo që botuesi të kërkojë ndonjë veprimtari tjetër.
Kështu që m’ duhet t’ia kujtoj vetes se më duhet të jem
më i kujdesshëm kur ia mësyj të blej libra me poezi.
Unë kam fëmijë, pasha Zotin,
të cilët lehtë mund të ndikohen dhe janë ende të paformuar.
Unë nuk mund t’i mbroj ata nga gjithçka,
ama, për besë, kjo farë vakie
nuk do të jetë ajo për të cilën ata do të vrasin
mendjen kur të mendojnë mbi poezinë.
Përktheu: Fadil Bajraj
ObserverKult
Lexo edhe: