Jevgeni Jevtushenko: Nuk ekzistojnë në botë njerëz jo interesantë

Fatet e tyre janë si historitë e planeteve.
Secili ka veçanësinë e tij
dhe nuk ka një planet që të jetë i ngjashëm me të.
E nëse ndonjëri jetonte i pavënë re
dhe dashuronte këtë pakuptimësi,
pikërisht për hir të pakuptimësisë së tij
ai ishte interesant mes njerëzve.
Secili ka botën e tij sekrete vetjake.
Në këtë botë ekziston çasti i lumtur.
Ekziston në këtë botë ora më e tmerrshme,
por mbetet për të gjithë e panjohur.
Kur një njeri vdes,
vdes me të bora e tij e parë,
dhe puthja e parë dhe beteja e parë….
Gjithë këtë ai e merr me vete.
Mbeten sigurisht librat,
urat,
makinat,
telajot e piktorëve.
Sigurisht, shumëçka ka fatin të mbetet,
megjithatë diçka ik gjithmonë.
Është ligji i një loje të dyshimtë.
Nuk janë njerëzit ata që vdesin, por botët.
I kujtojmë njerëzit,
tokësorë e mëkatarë,
por çfarë dimë për ata në të vërtetë?
E çfarë dimë për vëllezërit tanë,
për miqtë?
Për diçka që vetëm ne na përket?
E për vetë babain tonë,
duke ditur gjithçka nuk dimë asgjë.
Njerëzit ikin…. dhe nuk kthehen më.
Nuk ringjallen botët e tye sekrete.
Dhe çdo herë do të doja të çirresha përsëri
kundër këtij fati të pakthyeshëm.

Përktheu: Skënder Buçpapaj