Jorganxhi: Gjatë komunizmit jam përballur me një censurë shumë të rreptë, shkatërruese…

Intervistë me Zhuliana Jorganxhi, poete dhe autore e mirënjohur e teksteve të këngëve-bashkëbisedoi Mark Simoni

Për shumë e shumë vite ju keni qenë tunusi letrar i festivaleve të këngës. A mund të na flisni pak për fillesat tuaja, anën historike të këtij kontributi, për këngët më përfaqësuese, për situatat politike me të cilën i duhej të përballej krijimtaria e atyre viteve.

Në radhë të parë ju falenderoj përzemërsisht për këtë intervistë. Fillimet e mia si poete fillojnë në fillim të viteve ’60. Në vitin 1964 janë botuar poezitë e mia të para. Natyrisht ato ishin poezi të një letrareje të re 17-18 vjeçare. Në fillimet e mia kam qene krejtësisht një poete lirike. Me tekstin e këngës jam marrë që në vitin 1967 dhe shkak u bë miku im i kahershëm shkrimtari dhe dramaturgu i mirënjohur Ruzhdi Pulaha. Ai punonte atëhere në Radio Tirana dhe më kërkoi të bëja një tekst për një kompozitor të ri dhe ai student në atë kohë, Ruzhdi Pulahaj, për anketën muzikore të muajit.

Tekstin e krijova mbi bazë të një poezisë sime “Net provimesh” e këndoi Liliana Kondakçi, nxënëse në Liceun Artistik. Kënga doli fituesja e anketës muzikore dhe mendoni gëzimin tim dhe gjithë mikesha të mija konviktore!…Pas këtij teksti them se kam punura me plejada kompozitorësh, që nga ata veteranë të muzikës e deri tek të rinjtë e sotshëm. Për vite e vite me radhë kam qënë pjesmarrëse e shumë festivaleve, koncerteve me këngë, anketave muzikore të muajit, Koncerteve të Majit, dhe festivalet e shtëpive të kulturëës nëpër rrethe. Gjithashtu duke qenë për kaq vjet redaktore letrare e festivaleve (pas festivalit të 11-të, në vitin 1975) jam përballur me një censurë shumë të rreptë, shkatërruese do të thonja. Por, ajo që ishte më e keqe se censura ishte autocensura. Këtë e kupton vetëm ai shkrimtar, poet, gazetar, krijues i çdo fushe, në veçanti të artit, që e ka provuar mbi shpatullat e tij. Mund “të fluturoje” edhe për një fjalë, ka rastisur të më bënin vërejtje deri tek fjalët jo “me”, por “në”.

E kujtojnë mirë ata këngëtarët e asaj kohe kur unë iu lutesha t’i qëndronin besnikë “redaktimeve” të mia të bëra sipas vërejtjeve të Sektorit të Shtypit në KQPPSH dhe pesë instancave të tjera të partisë dhe shtetit të asaj kohe, ku shkonin çdo vit para festivalit gjithë tekstet e këngëve. Mjafton t’ju them, se çdo dhjetor para festivalit paraqitesha në Sektorin e Shtypit në KQPPSH para përgjegjësit të këtij Sektori së bashku me drejtorin e Radios dhe aty merrja vërejtjet për të gjitha tekstet e festivalit, redaktimin e të cilëve duhej ta bëja unë, natyrisht në mirëkuptim me poetët. E çelja e para atë zyrë të Redaksisë së Krijimtarisë dhe Inçizimeve Muzikore dhe e mbyllja unë në orën 24 të natës. Ishte një lodhje dhe tension i jashtëzakonshëm, që e pagova me shëndetin tim.

Dhe të mendoni, që jetoja ende në Qytetin “Studenti”, në konviktin e vajzave nr.18, se isha e pastrehuar ende. Vetëm në vitin 1979 m’u dha një banesë, pas 11 vjet pune dhe katër vite si studente, pra pas 15 vjetesh jetë konviktoreje. Nuk ishte e lehtë puna e një redaktoreje letrare , që sapo filloi punën në atë redaksi, ku më parë kishte punuar poeti i mirënjohur dhe miku im i mirë Sadik Bejko dhe pas festivalit të 11-të e çuan të punonte minator në Memaliaj!!! Mua m’u tha që në fillim, që festivali i këngës në RTVSh duhej të ishte pasqyrë e kryeartikullit të “Zërit të Popullit” dhe anketa muzikore e muajit, të pasqyronte ato ç’ka ndodhnin në atë muaj! Pra gjithmonë mbi gazetën “Z.P”(!) Anketa në përgjithësi ishte kalendarike. Rrallë, shumë rrallë ndonjë këngë lirike dhe dashurie, derisa në festival nuk lejoheshin më shumë se dy këngë dashurie dhe ajo rastiste “majë traktorit”.

Nga gjithë ajo kohë dhe eksperiencë, a mund të tregoni për lexuesin tonë ngjarje dhe histori të vogla e të veçanta që lidhen me punën tuaj?

Janë shumë kujtimet për ato vite. Këngën psh. kompozitori e sillte në Redaksinë e Krijimtarisë dhe Inçizimeve Muzikore (që tani nuk e di pse nuk egziston më ?!).

Vinte me një tekst p.sh. për lule diellin dhe përfundonte për një brigadë në hidrocentralin e Komanit, se e kërkonte tematika e festivalit të atij viti!!! Këngët e dashurisë, siç e thashë dhe më lart, ishin me pikatore, vetëm dy! Kur “dikush”, një kritizer, që e njihja për poet, në një festival ku ishin katër këngë dashurie filloi të më thoshte: “Pse katër, ne kemi thënë vetëm dy!” Unë iu përgjigja.” Nuk po bëjmë këtu lojë kungulleshkash,, por festival dhe rinia nuk çedukohet nga dy këngë më shumë dashurie!” Në Redaksi, kur fillova unë punën si redaktore letrare Përgjegjës i Redaksisë dhe Orkestrës Simfonike të Rtvsh ishte i Ndrituri muzikanti i shquar dhe njeri i shkëlqyer, me shumë kulturë, Gjon Simoni “Mjeshtër i Madh” (pas largimit të tij në vitin 1980 nga kjo detyrë, vendin e tij si përgjegjës i redaksisë dhe orkestrës e zuri kompozitori i mirënjohur dhe ky njeri i shkëlqyer Spartak Tili “Mjeshtër i Madh” deri në vitin 1988). Kur mbaronte dëgjimi i parë i këngëve të festivalit nga të dërguarit e KQPPSH, etj. dhe nuk kishte vërejtje ideologjike, i ndrituri Gjon, me atë humorin e tij elegant, më thoshte mua dhe Spartak Tilit , në atë kohë redaktor i muzikës: “ Atëhere këtu në një nga muret e redaksisë do të vendoset Flamuri i Pastërtisë! KËTU KA PASTËRTI!”, kuptohej “pasërtisë” ideologjike. Po ju them dhe një gjë tjetër. Pasi mbaronte festivali, ne organizatorët e tij, që nga Drejtori i Përgjithshëm i Rtvsh, drejtori i Radios, drejtori i Televizionit, skenografi, regjisori dhe ne punonjësit e redaksisë nuk rrinim të qetë derisa të binte një telefon nga lart dhe t’i thoshte “dikush” Drejtorit të Përgjithshëm, se Festivali u pëlqye! Atëhere dhe natën e Vitit të Ri e festonim me zemër të qetë me familjarët tanë.

E keqja ishte, që vinin dhe të gjykonin “inkuzitorët e artit dhe kulturës”, “të paaftët”. Një herë një instruktor partie, pasi u bë dëgjimi me orkestër i këngëve në Radio, në sallën e orkestrës (Kënga kalonte në tre komisione para se të dilte në skenën e festivalit) më tha: “Ne o, Zhuliana nuk marrim vesh nga muzika, por nga tekstet po” E njihja mirë prej vitesh kush ishte, ndaj dhe i thashë: “Ke të drejtë, se u zhduk analfabetizmi në Shqipëri ndaj dhe të gjithë merrni vesh nga poezia!” Atë kohë më kishte lidhur një miqësi shumë e vërtetë dhe e bukur me të Madhin poet dhe përkthyes, të Ndriturin Robert Shvarc dhe ai më kish dhënë një ditë, kuptohet fshehurazi, të shkruar në një pusullë thënien e Brehtit: “Nga tigrat shpëtova, me gjakun tim ushqeva çimkat, por për të më ngrënë më hëngrën mëdiokrët!”, që i shkonte shumë për shtat kohës që po jetonim! Unë them, se fjalimi i E.H. në mars 1973 ra si një bombë atomike mbi artin dhe kulturën tone, valët goditëse të së cilës vazhduan deri në dhjetor të vitit 1990 dhe në redaksinë ku punoja unë! Këto valë pastaj u përhapën në gjitha fushat e jetës sonë, në ushtri, në ekonomi etj. etj. Por, unë them me zë të plotë, në gjininë e këngës nga të gjithë është punuar me përgjegjësi dhe pasion. Sa pë pagesën, çdo varg paguhej 10 lekë të vjetra dhe për çmimet jepeshin disa punime të Ndërmarrjes Artistike “Migjeni” në Tiranë. Kur së bashku me Robert Shvarcin fituam çmimin e parë në festivalin e 16 na u dha si çmim nga një orë tavoline kineze. I ndrituri Robert më tha ngadalë: “Sahat morëm vërtet, por është kinez!”

Çfarë e ka ndarë tek ju poezinë nga tekstet e këngëve dhe a mund të na flisni për kontributet më të dallueshme dhe të poetëve të tjerë në tekstet e këngëve?

Në poezi je krejtësisht i lirë kur krijon, kurse në tekstin e këngës je si të thuash “i vënë në rresht” nga notat, melodia, që ka krijuar kompozitori. Është shumë e vështirë të krijosh një tekst të bukur kur është krijuar muzika. Unë kështu kam punuar pothuaj gjithë jetën. Ndodhte, që kompozitori kish krijuar melodinë dhe vinte pa një ide të qartë mbi se do krijohej teksti, pra mesazhi që jep kënga. Duhej poeti të frymëzohej nga melodia dhe të krijonte tekstin. Kjo më ka ndodhur shpesh dhe mua, por falë Zotit kam trashëguar nga i ndrituri Babai im veshin e mprehtë muzikor dhe kjo më ka ndihmuar shumë. Pastaj kam studiuar dhjetë vjet piano pranë Pallatit të Kulturës në Korçë.

Them, se poezia ka ndikur shumë mbi tekstet, që krijoja, vetëm se them që teksti i këngës më ka penguar për të ecur më shumë në poezitë , që krijova pas vitit 1975, sepse duke u marrë gjithë ditën me tekstin e këngës, arrita një çast që nuk krijoja poezi pa dëgjuar një vijë melodike. Kjo më dëmtoi në drejtim të poezisë, ashtu siç desha, pra të ecja përpara në këtë drejtim si poetët e tjerë. Ndodhte çdo ditë pothuaj, që të ngrija një kështjellë si ajo e Rozafës: Ditën krijoja tekste me tematikat që kërkonte koha, kurse natën në një bllok timin krijoja poezitë lirike, që më thoshte shpirti. Arriti numëri i tyre deri gati në 300, por nuk mund t’i botoja dhe arsyet dihen. Shumë prej tyre panë dritën e botimit në dy librat e mi, të botuar në vitin 2008 “Dhembje e ndaluar” dhe “Dhembje e bukur”.

Unë, në redaksinë, ku kam punuar për kaq vjet, kisha krijuar si të thuash “redaksinë e poetëve”, ku përveç poezive të nxjerra nga unë nga botimet nëpër gazeta ose vëllimet poetike, që botoheshin atëhere dhe ua jepja kompozitorëve, që të krijonin mbi to këngët, kisha aktivizuar poetët më të mirë dhe poetët e këngës gjithashtu. Ndër ta më të aktivizuarit në festival dhe koncertet si ai “Kur vjen Pranvera” etj ishin: Xhevahir Spahiu, Natasha Lako, Betim Muço, Bardhyl Londo, Koçi Petriti, Pandeli Koçi, Irma Kurti etj. etj. dhe poetë të këngës si i ndrituri Gjokë Beci “Mjeshtër i Madh”, Arben Duka, Jorgo Papingji ”Mjeshtër i Madh”, Agim Doçi” Mjeshtër i Madh” , i ndrituri Alqi Boshnjaku etj. Të më falin të tjerët nëse nuk iu përmend emrat se janë shumë.

Me cilët kompozitorë keni bashkëpunuar më shumë dhe cila ishte klima e bashkëpunimit me ta?

Ju thashë dhe më sipër, që kam bashkëpunuar me gjithë kompozitorët me plejada të tëra, që nga veteranët e muzikës e deri tek më të rinjtë e sotshëm. Kam bashkëpunuar shumë me të ndriturin Agim Prodani, me kompozitorë si të ndriturin, Ferdinand Deda “Nderi i Kombit”, të ndriturin Agim Krajka “Nderi i Kombit”, të ndriturin Avni Mula “Nderi i Kombit”, me “Mjeshtrat e Mëdhenj” si Kujtim Laro, Limos Dizdari, Fehim Ibrahimi, Flamur Shehu, Spartak Tili, Gazmend Mullahi, Enver Shëngjergji, Luan Zhegu, të ndriturin Kastriot Gjini, Shpëtim Kushta, Hajg Zaharjan, Aleksandër Peçi, Alfons Balliçi,etj. me brezin më të ri se ata, si me nipin tim Gjegj Leka, Ardit Gjebrea, Shpëtim Saraçi, Adrian Hila, Kujtim Prodani etj. dhe me më të rinjtë si Elton Deda, Voltan Prodani, Lambert Jorganxhi etj. Kam bashkëpunuar me kompozitorë kosovarë si Pranvera Badivuku, Zana Badivuku, Mehdi Bajhri, Reshat Randobrava, etj. Me të gjithë më ka bashkuar respekti mirëkuptimi dhe një ndjenjë vëllazërore.

Cilat këngë tuajat kanë patur më sukses dhe a ju kujtohen emocionet e pritjes së çmimeve dhe vlerësimeve?

Natyrisht tani koha ka bërë të vehtën dhe nga gjithë ato tekste që kam krijuar ndër vite shumë edhe vetë koha i ka nxjerrë jashtë. Ishte një kohë kur kënga politizohej dhe unë duke qenë redaktore letrare kam sakrifikuar tekstin tim dhe nga lirik e kam kthyer atë në politik. Por, sot duke parë rrugën time them se diçka i kam dhënë këngës shqipe me poezitë e këngëve të mia. Do të dalloja këngët : “Vajzat e fshatit tim”, “Këngët e rinisë”, “Pragu i vegjëlisë”, “Dashuria jonë” “Nuk jam vetëm”,“Ne, bijtë e lirisë”,“Se kënduam let it bi”, “Jeto dhe jetën time”, “ Në duart e Nënës, “ Për ty, Baba!”, “Pranvera me një lule s’vjen”, “ Bashkëmoshatërëve”, “Jon”, “ “Jemi emri i vet jetës”, Na lini të jetojmë!”, “Kthehu për vehte , për mua!” etj.

Unë duke qenë redaktore letrare dhe përgjigjesha për të gjitha tekstet, t’ju flas sinqerisht nuk kam luftuar për çmime, se siç thotë nipi im Hektor Leka isha “rrufepritësja e çensurës”! Nuk kam shkuar unë tek kompozitorët ishin ata që më zgjidhnin m,ua për t’ju bërë tekstin. Natyrisht kur vinin çmimet për ato jam gëzuar , por gjithmonë me miqtë e mi kompozitorë, këngëtarët dhe familjet e tyre. Ka qenë vetëm një çast i papritur për mua kur fitova çmimin e parë në festivalin e 13-të me këngën “Vajzat e fshatit tim” me muazikë të Enver Shëngjergjit kënduar shkëlqyeshëm nga e madhja Alida Hisku! Unë në atë kohë isha gazetare në “ revistën “Shqiptarja e re”, m’u kërkua një tekst dhe jam takuar në një nga kameralet e Radio Tiranës me kompozitorin Enver Shëngjergji. Ai luajti në piano melodinë dhe teskti u krijua as për gjysëm ore! Ishte muzika, që më frymëzoi.

Dy netët e para të festivalit nuk u ndodha në sallë, se isha me shërbim nga redaksia dhe ftesat ia dhashë një mikes sime të shtrenjtë për vajzat e saj, të ndriturës Drita Siliqi, që ishte në atë kohë zv/ kryeredaktore e kësaj reviste dhe ish Profesoresha ime në fakultet. Natën e fundit shkova të shoh festivalin me një kushërirën e kunatit, doktoreshën Aurora (Leka) Kallfa. Në përgjithësi këngët e atij festivali ishin gjithë “vrull revolucionar” dhe kur doli kënga me tekstin tim unë as që e prisja të fitonte. Kur nga kryetari i jurisë u tha që kënga e çmimit të parë ishte “Vajzat e fshatit tim” unë u emocionova shumë. Pashë, që, disa rreshta para meje ishte kompozitori i saj Enver Shëngjergji, i cili u çua dhe u ul nga poltroni ku ishte ulur. Për të dy ishte një befasi e madhe, po ashtu dhe për Alida Hiskun, që doli duke qarë në skenë….

Emocion të jashtëzakonshëm kam provuar në festivalin e 30-të, në vitin 1991, kur kam fituar të tre çmimet e festivalit : Çmimin e parë me këngën “Jon” të A. Gjebresë, çmimin e dytë me “Mirësi të Shpëtim Saraçit , kënduar nga Mira Konçi, dhe çmimin e tretë me “ Këmbanat e shpresës”, të Kujtim Laros, kënduar nga këngëtari i shquar Novruz Yzeiri, të cilin e nxorrëm në skenë pas 20 vjet , se ishte dënuar “me heshtje”!…Them, që kam pasur fatin e madh dhe jam krenare, që vargjet e mia në këngë janë përcjellë nga këngëtare të mëdha si Hyjnoret Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, nga Mjeshtre të Mëdha si Ema Qazimi, Alida Hisku, Myfarete Laze, Irma Libohova, Prashqevi Simaku, Lindita Theodhori, Afërdita Zonja, Eranda Libohova, Manjola Nallbani, Ermira Babaliu, nga “Mjeshtra të Mëdhenj” si Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Frederik Ndoci, Pëllumb Elmazi, Kozma Dushi, nga më të rinjtë si i mirënjohuri Elton Deda, Alban Emiri, Voltan Prodani, Flori Mumajesi, Albërie Hadërgjonaj, etj.

Ju vazhdoni të jeni aktive dhe na shuani pak kuriozitetin se çfarë keni në dorë e do të presë lexuesi apo spektatori?

Kam punuar këto kohë disa tekste për Festivalin “Festa e këngës shqiptare”, që po organizon në tv New 24 kantautori dhe nipi im Gjergj Leka. Gjithashtu po punoj ngadalë për një vëllim me tregime. Pres ndoshta këtë vit në festivalin e funddhjetorit të marr pjesë me ndonjë tekst kënge, por gjithmonë nëse më kërkohet nga ndonjë kompozitor.

Unë ju falenderoj dhe njëherë për këtë intervistë duke ju uruar shëndet të plot , mbarësi, Penë të Artë dhe suksese!/(gazetamapo.al)

LEXO EDHE: Zhuliana Jorganxhi: Aroma jote më deh…