Jorge Luis Borges: Duke mësuar

dashuria borges është libri dashuria poezi nga borges
Jorge Luis Borges

Pas njëfarë kohë njeriu mëson dallimin subtil mes të mbajturit një dorë dhe të lidhurit me zinxhir një zemër, dhe mëson se dashuria nuk nënkupton mbështetje, shoqëria nuk nënkupton siguri dhe fillon të mësojë…

Që puthjet nuk janë kontrata dhe dhuratat nuk janë premtime, dhe fillon t’i pranojë disfatat e veta me kokën lart dhe me sytë hapur, dhe mëson t’i ndërtojë të gjitha shtigjet në të sotmen, sepse terreni i së nesërmes është shumë i pasigurt për plane… dhe e ardhmja ka zakonin e keq të këputet në mes.

Dhe pas njëfarë kohe, njeriu mëson se, nëse është me tepri, edhe nxehtësia e diellit djeg. Kështu që, ai mbjell kopshtin e vet dhe zbukuron vetë shpirtin e tij, në vend që të presë që dikush t’i sjellë lule. Dhe mëson se vërtet mund të durojë, mëson që është vërtet i fortë, mëson që vërtet vlen dhe kështu mëson e mëson… dhe çdo ditë mëson. Me kalimin e kohës mëson se të qëndrosh me dikë sepse të ofron një të ardhme të mirë, nënkupton që herët a vonë do të duash të kthehesh në të kaluarën tënde.

Me kalimin e kohës mëson se vetëm ai që është i aftë të të dojë me defektet e tua, pa pretenduar që të të ndryshojë, mund të ta japë gjithë lumturinë që dëshiron. Me kalimin e kohës e kupton se, nëse je në krah të këtij personi vetëm për të shoqëruar vetminë tënde, pashmangshmërisht do të përfundosh duke mos dashur ta shohësh më. Me kalimin e kohës kupton se miqtë e vërtetë janë të paktë dhe se ai që nuk lufton për ta, herët a vonë do ta shohë veten të rrethuar nga miqësi false.

Me kalimin e kohës kupton se fjalët e thëna në një çast zemërimi mund të vazhdojnë ta lëndojnë atë që e lëndove përgjatë gjithë jetës. Me kalimin e kohës mëson se gjithkush mund të kërkojë ndjesë, por vetëm shpirtrat e mëdhenj mund të falin. Me kalimin e kohës kupton se nëse e ke lënduar shumë një mik, me shumë gjasë miqësia s’do të jetë kurrë më e njëjtë. Me kalimin e kohës e vë re se edhe pse je i lumtur me miqtë e tu, një ditë do të qash për ata që i le të ikin. Me kalimin e kohës e vë re se çdo eksperiencë jetësore, me çdo person, është e papërsëritshme.

Me kalimin e kohës e kupton se ai që përbuz apo përçmon një qenie njerëzore, herët a vonë do të vuajë të njëjtat përbuzje dhe përçmime të shumëfishuara në katror. Me kalimin e kohës mëson t’i ndërtosh shtigjet e tua në të tashmen, sepse terreni i së nesërmes është shumë i pasigurt për të bërë plane. Me kalimin e kohës kupton se t’i nxisësh gjërat ose t’i detyrosh të ndodhin, mund të rezultojë që në fund të mos jenë ashtu siç i prisje. Me kalimin e kohës e kupton se në të vërtetë, nuk ishte e ardhmja më e mirë, por momenti që po e jetoje pikërisht në këtë çast.

Me kalimin e kohës do ta shohësh që, edhe pse je i lumtur me ata që janë krah teje, do të të mungojnë tmerrësisht ata që dje ishin me ty dhe që tani janë larguar. Me kalimin e kohës do të mësosh se të përpiqesh të falësh, apo të kërkosh falje, të thuash të dua, të thuash që të ka marrë malli, të thuash që ke nevojë për të, të thuash se dëshiron të jesh një mik, para një varri, tashmë nuk ka farë kuptim. Por fatkeqësisht, vetëm me kalimin e kohës…

Përktheu: Orjela Stafasani