Jorgo Bllaci: Na zuri bora…

Na zuri bora pa na rënë fletët,
U zbardhëm para kohe, miku im.
E ç’i gëzuam, ç’i kuptuam jetës?
Na shkoi e tëra hap edhe zhgënjim.

Pandehëm se diçka do kthenim mbarë
Në këtë botë plot me prapësi,
Po njerëzit na quajtën të marrë,
Rropatjet tona i morën çmenduri.

Na tallën e na zunë pas me gurë,
Se vumë dashurinë mbi gjithçka.
Të drejtë mbase kishin, sepse kurrë
Për veten nuk menduam, po për ta.

Ç’mallkim i rëndë, nga s’e dimë as vetë,
Na paska ndjekur prapa si ndëshkim?
Na mbuloi bora pa na rënë fletët,
Si do ta shkojmë dimrin, miku im!…