Jorgo Bllaci: Sa herë merr kitarën Lena…

Sa herë merr kitarën Lena
Dhe nis këndon me ëmbëlsi,
I tëri dridhem e ndër vena
S’më rrjedh më gjak, po dhembshuri.

Rënkimn’ e fushës së pamatë
Papritur ndjej në shpirtin tim
Dhe klithma krillash nëpër natë,
Përpara nisjes në shtegtim.

Oh, krillat, sado larg të venë,
Do kthehen përsëri në maj,
Po unë këto vise e Lenën
A do t’i shoh më paskëtaj?

Apo, me sytë larg nga qielli,
Shtegtimn’ e krillave do pres,
Ndonjë të falë mos më sjellin
Prej tyre, para se të vdes?

O zot, ç’magji buron nga Lena,
Nga zëri i saj plot ëmbëlsi!
I tëri dridhem e ndër vena
S’më rrjedh më gjak, po dashuri!

ObserverKult

——————-

Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: PËR PROFESORËT DHE GAZETARËT QË FLASIN ME DUART NË XHEPA