Joumana Haddad: Jam grua

sytë e tu sy

Askujt nuk ia rrok dot mendja
çfarë them kur jam e heshtur,
kë shoh kur i mbyll sytë,
si më shtyjnë kur më shtyjnë,
çfarë kërkoj kur duart lëshoj.
Askush, askush nuk e di
kur kam uri, kur nisem,
kur eci dhe kur humbas,
dhe askush nuk e di
se për mua të shkosh do të thotë të kthehesh
dhe të kthehesh është të bësh pas,
se dobësia ime është një maskë
dhe forca ime është një maskë,
dhe ajo çka do të vijë – një shtrëngatë.
Besojnë se e dinë
dhe i lë të besojnë,
dhe unë bëhem.

Ndërtuan një kafaz në emrin tim,
që lirinë time ta kishin në dorë,
t’u isha falë e t’u bindesha.
Por unë jam e lirë para e pas tyre,
me dhe pa ta,
jam e lirë në ngadhnjim dhe mposhtje.
Burgu im është vullneti im!
Çelësi i burgut është gjuha e tyre,
por gjuha e tyre ngjitet pas gishtave
të gjakimeve të mia
dhe gjakimin tim s’kanë për ta zbutur kurrë.
Jam grua.
Besojnë se liria ime është pronë e tyre
dhe i lë ta besojnë,
dhe unë bëhem!

Kështu jam unë

Kështu jam unë,
nuk kam kohë për brerje faji
luaj me fatet, mërzitem lehtë
bëj premtime dhe s’i mbaj.
E kotë të ndryshoj:
Sigurinë nuk e njoh:
të trazimit të dashurisë,
të imagjinatës,
sepse i jam dhënë krejt
vetëm përtacisë.
Të paparashikueshme takimet e mia,
jam një arrati para vetë kohës,
një diell që s’mjafton,
një natë që s’përmbyllet kurrë,
jam gulçimet e vrullshme mes etjes dhe shuarjes së saj.
Kështu jam unë, heshtje për t’u korrur,
makth i ngadaltë për t’u shpërhumbur,
një heshtje e makth për të fashitur një kujtesë të pashpirt,
nuk ka dritë që mund të më prijë:
zotëroj veç mëkatet e mia.

Përktheu: Elvana Zaimi

LEXO EDHE: Cesare Pavese: Do të dëgjojmë në qetësinë e lodhur