Ata që dashurojnë s’pjestojnë asgja me botën,
pse ata vetë janë bota jashtë bote
ndaj tjetër s’kërkojnë veç tjetrin te vedi
e tjetër s’dhurojnë veç vedin ndër tjerë…
Ata s’kanë kohë me hupë n’data t’lumnueme kalendarësh
as n’pritë s’i rrijnë ndonji dhurate shndritse –
pse ata vetë ndjehen dhurata ma hyjnore n’pritje…
S’përfjalem me ata që recitojnë dashni n’jehonë teatri,
as për ata që e shkruejnë emnin e saj
n’gërma kapitale ende pa zbardhë drita,
hiç e hiç atyne që iu derdhet i kuqi i buzve
ndër drandofille letre
dhe shpallen fitimtarë t’nji beteje që s’mbaron kurrë…
Ata, s’janë veç pikza shiu që shpërfillin dritën
o pikla nafte që rreken m’u ba ylber n’nji liqen alpin…
Janë po njata që vezullojnë çdo Shën Valentin,
e nguten buje me e trembë Shën Shejtanin
që barkun ua ka mbushë po shpirtin sakatue…
Njashtu si dje ai amerikani i rishtë i jetës sime
që ia nisi me postë tufën e luleve njiqind dollarshe
“dashnisë” së vet, dymijë e përtej kilometra larg
po s’mujt me i grahë makinës pa e thanë edhe fjalën: Bitch!!
Oh zot, sa m’trishtuen njato lule që s’mujshin me folë…!
Dhe u kujtova se edhe unë dikur kam dashtë
kam dashtë aq shumë sa s’dija me e lexue vedin si duhet,
ndërdyshesha ndër fjalë ma të lehta se fryma
e vrapoja ndër shikime ma të shpejta se drita
me thanë diçka që kurrë s’thuhesh e plotë
me derdhë prej shpirti, çka kurrë s’i shterret shpirtit…
Dhe endesha i tani n’bukurshkrime dashnie
ndër letra që s’patën kurrë përgjigje…
Pse dashnisë s’i nevojitet nji përgjigje – veç nji gjest mjafton!
pse dashnia s’asht pos nji vetvedi n’udhëtim pa adresë të saktë
me sy të ngulun larg e pa nji kthim kurrë mbrapa…
Edhe n’se kena dhurue gjithçka – asht veç pak prej asaj çka flen ndër ne…
Ndaj sot kqyri serì n’ata që luten n’Shën Valentin
me iu dhanë nji ftyrë njiqind ftyrave t’paftyra të dashnisë së tyne…
Prandej vazhdoj me ecë majgishtash në terre nate
prandej vazhdoj me shkelë ndër gastare yj’sh e pluhun hane,
prandej vazhdoj… mos m’e kuptue kurrë n’se duhet mbrritë diku
a me ecë përjetsisht përtej çdo andrre…?
Prandej trishtohem, si mundet dashnia n’nji ditë të vetme
si mundet asaj me i mjaftue nji shenjtor mbrojtës,
kur çdo sekondë e kësaj jete dashni duhet të jetë
e çdonjeni prej nesh, ma i madhi shenjtor mbrojtës i dashnisë s’vet…
Jo, shpirti i askujt s’ka nevojë për shenjtorë dashnie,
asht vetë ajo shenjtorja që zbathun shkon mbi ujna të njelmta
…Dhe ne mbas saj, majgishtash ndër terre nate
përlotshëm shkelim gastare yj’sh dhe pluhun hane…
*Titulli i origjinalit: Tuj shkelë gastare yjesh