Ju kujtohet poezia “Anës lumenjve” interpretuar nga Timo Flloko? (VIDEO)

“Lulëkuqe mbi mure” është film që konsiderohet epokal, një nga majat e piramidës së kinematografisë shqiptare. U bazua në romanin “Bonjakët”, shkruar nga Petraq Qafëzezi, botuar në vitin 1972.

Rolin kryesor, atë të kujdestarit e interpreton i madhi Kadri Roshi. Në film interpreton edhe Agim Qiriaqi, në rolin e drejtorit të jetimores, një rol të cilin Qiriaqi e realizoi me shumë elegancë. Ndërkohë duhet përmendur aktori Timo Flloko në rolin e mësuesit.

Mësuesi ishte një rol psikologjik, Anagnosti kërkonte të sillte atë që nuk ishte e dukshme, pak a shumë atë që kanë sot aktorët e metodës, sipas parimin të ajsbergut, që Flloku e solli me mjaft vërtetësi. Aty spikat mjeshtëria e tij aktoriale.

Ka mbetur sidomos në mendje të spektatorit momenti kur Timo Flloko recitoi në një skenë ku fëmijët ndodhen në klasë, një fragment nga poezia “Anës lumenjve” të Fan Noli, të cilin e sjell me mjaft vërtetësi, pa artifice të tepërta, por me një realizëm që bind. Pikërisht për këtë interpretim, Timo Flloko meritoi “Medaljonin e festivalit”, si aktori më i mirë në Festivalin e filmit të vitit 1977.

“Ky rol evidentoi më shumë vlerat e mia si aktor, si profesionist, ndonëse kisha bërë edhe role të tjera më herët, jo të pasuksesshëm. Sigurisht që jo të gjitha rolet do të bëhen të shkëlqejë aktori, por ky ishte një rol i veçantë dhe shumë i rëndësishëm në karrierën time midis roleve të tjera”, thotë aktori Timo Flloko.

ObserverKult ua sjell videon e shkëputur nga filmi:

Në film interpretojnë edhe një kast fëmijësh të talentuar, si Strazimir Zaimi, Enea Zhegu, Krenar Arifi, etj. Ndërkohë që kolona zanore e filmit u kompozuar nga Kujtim Laro mbi një temë origjinale. Filmi u nderua me medaljen e Artë në Giffoni, në Itali më 1985.

“Lulëkuqet mbi mure” me regji te Dhimiter Anagnostit, u restaurua 47 vite pas krijimit të tij. 

ObserverKult


Lexo edhe:

FAN NOLI: ANËS LUMENJVE