Shkrimi emocional i Luftar Pajës për Kadri Roshin

Nga Luftar Paja

Kadri Roshi, kjo specie e rrallë u largua fizikisht 14 vite më parë, por jo nga kujtesa e shpirti ynë që e donte shumë dhe e kishte idhull.

Iku në një kohë që ne kishim shumë nevojë për të.

Kadriu do të mbetet i pazëvendësueshëm jo vetëm për vlerat e rralla artistike, por edhe nga ana e tij njerëzore.

E kam njohur shumë herët.

Ishte viti 1963 kur u caktova si artist amator.

Atë vit vazhdova studimin 1 vjeçar për aktor, në po atë kohë që kish filluar të lulëzonte Teatri Popullor.

Ishte fati im i madh që njoha personalitete dinjitoz të asaj kohe të artë si Naim Frashëri, Sulejman Pitarka, Margarita Xhepa. Prokop Mima, Ndrek Luca, Besim Levonja, Loro Kovaçi, Maria Logoreci, Violeta Manushi, Marika Kallamata, Gjon Karma etj.

Por idhulli im ishte dhe mbeti deri në fund të jetës Kadri Roshi!

Më ka lumturuar me rolin e “Ezopit” te “Dhelpra dhe rrushi”.

Nuk dua të analizoj Kadriun si artist, sepse jam shumë i vogël para tij. Por dua të vlerësoj anën e tij shumë njerëzore në shoqëri, thjeshtësinë e tij në komunikimin me njerëzit më të thjeshtë.

Natyra krejt njerëzore e Kadriut lidhej ngushtë me anën artistike të tij, prandaj ishte aq i suksesshëm dhe aq gjigand.

Kjo ishte bukuria e këtij kolosi, që sipas vendit bënte dhe kuvendin.

Ishte dëshirë e madhe ta dëgjoje në auditorët akademikë. Si edhe në biseda me njerëzit më të thjeshtë.

Po jeta vazhdon… edhe kur ikin njerëz kaq madhështorë.

Eh, more i dashur Kadri, u bënë vite që je ndarë fizikisht nga ne, por do të ngelesh i pavdekshëm, për të gjithë sepse e pavdekshme është jeta jote artistike.

Janë të panumërta episodet dhe kujtimet e bukura si kristal me Ty.

Ku nuk kishe miq, o miku im?

Në Dukat Adem Nezha, në Radhimë Selam Gjimara, në Tragjas Neki Stepa që harmonizohej aq bukur kur ia merrnim këngës si te filmi “Këshilltarët”që në Gjorm e Llogora.

Kjo ishte bukuria jote, miku im, sepse ishe i gjithanshëm. Sa ishe në qarqet akademike, niseshe për në sofrat e kuvendeve.

E si mund të harrohen takimet e bukura te kioska prapa “Muzeut Kombëtar”. Te kafja që na shërbente me aq dashuri, simpatiku, kamarier Kasemi.

Çdo ditë prisnim me padurim takimin me ekipin e shoferëve të parkut të autobusëve ku i printe shoferi aq shumë i dashur Agim Mullaj që pasohej nga Meti, Iliri, Muçi, apo Landi e shumë të tjerë.

Takimi kthehej në festë dhe ndizej kënga.

I madhi Kadri lumturohej aq shumë sa ja merrte vetë këngës: “Aman Banushe ku vete,/ vetë e hollë e hunda grepe,/ unë thash se vije tek unë,/ ti veje ku keshe punë…”

Kënga shkonte për shtatë palë qejfe, sepse të pranishëm ishin nga të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Të paharrueshme do të mbeten takimet në malin e Dajtit, që organizoheshin në formë pikniku me të gjithë dashamirësit që na rrethonin rreth zjarreve që ndiznim, dhe ziente fuqishëm kuvendi i burrave.

Sa na mungon, o i madhi Kadri!

Na mblidhje si zogjtë e klloçkës, por u bë kohë që jemi shpërndarë si zogjtë e korbit.

LEXO EDHE: NGACMOI INFERMIEREN, MIKU TREGON SI KADRI ROSHI U DËNUA PËR IMORALITET