Kalaja e Kaninës, 3 kilometra larg qytetit bregdetar të Vlorës është kthyer vitet e fundit në një destinacion për turizmin kulturor dhe historik. E cilësuar si një nga objektet më të njohura të trashëgimisë kulturore e historike në Vlorë e më gjerë, historia e ndërtimit të kalasë që nis prej shekullit IV para Krishtit, përcjell periudhat e Antikitetit dhe të Mesjetës (kronologjikisht bizantine, veneciane, turke), së bashku me teknikat respektive të ndërtimit.
Kastriot Hoxha, ciceroni i kalasë u shpreh, kohë më parë, se “kalaja është në një fushë të rrethuar me mure dhe përballë saj është deti, që duket si në pëllëmbë të dorës. Këto kanë qenë sarajet e pashallarëve të Kaninës”.
Sulejmani i madhërishëm e ka vizituar Kaninën
Sipas tij, Sulejmani i madhërishëm e ka vizituar Kaninën dhe ka lënë porosi ta kenë kujdes atë.
“Kjo është pika ku dashur pa dashur të gjithë vizitorët qëndrojnë dhe shikojnë fshatin, ata mahniten nga bukuria. Në kala është edhe teqeja, më parë në vend të saj ka qenë një kishë, dhe me ardhjen e Sulejman Pashait, admirali i madh e ktheu në teqe”, – tha Hoxha.
Ai tregon se “Ernest Koliqi kur e pa për herë të parë Kaninën nga mali i Shashicës ka thënë: “Për Kaninën Perëndia kur e pa si diell mbi det tha, “nuk është nga veprat e mia këtë mrekulli dikush tjetër e ka bërë””.
Kalaja e Kaninës është vizituar nga Sulejmani i Madhërishëm, ndërkohë që simbolika e saj, merr dimensione të tjera me emrat e Gjergj Arianitit, Donika Kastriotit, pashallarëve të famshëm protagonistë të fazave të ndryshme të Perandorisë Turke, Ismail Qemalin etj.
Struktura e ndërtimit të saj, evokon ngjashmëri me objekte të tjera si kalatë e Beratit, Durrësit etj. Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh, prej këndej hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit të saj.
Në këtë zonë, ngrihet një kodër në të cilën gjenden rrënojat e një qyteti të vjetër, atij të Kaninës. Këtu lugina e Lumit të Vlorës shtyhet deri në rrëzë të kodrës, duke e lehtësuar tepër lidhjen e zonës bregdetare me atë të thellë. Vizitorë të shumtë që pushojnë gjatë verës në gjirin e Vlorës, vizitojnë edhe kalanë e Kaninës./ATSH
————–
Lexo edhe:
Kalaja e Skënderbeut, objekti që “e vështron” ditë e natë detin Adriatik
ObserverKult