Karin Boye: Atëherë kur nuk ke më asnjë frikë

Poezi nga Karin Boye

Po, sigurisht që dhemb kur gonxheja bulëzon
përndryshe pse pranvera tani heziton?
Përse i gjithë malli ynë i zjarrtë
të varet nga një bulë që hidhur mugullon
Ç’është kjo gjë e re që shpërthen dhe dërrmon?
Po, sigurisht që dhemb kur gonxheja bulëzon
dhembje për atë që rritet
dhe për atë që mbyllur qëndron.

Po, është e zorshme kur pikat bien,
Dridhur nga droja ato qëndrojnë të rënda
ngjiten nëpër degët, zmadhohen, rrëshqasin-
pesha i tërheq poshtë, ato disi rrinë varur
zor të jesh i paditur, i frikësuar dhe i ndarë
zor kur fundi të tërheq, të thërret, ta ndjesh
megjithatë të qëndrosh aty dhe të dridhesh-
zor të duash të rrish
dhe zor të biesh

Atëherë, kur është më së vështiri dhe asgjë s’ ndihmon
Sikur në një festë pema sytha lëshon
Atëherë kur nuk ke më asnjë frikë
bien pikat nga degët me një shkëlqim
harrojnë që u frikësuan nga e reja
harrojnë që u shqetësuan në këtë rrugëtim-
në çast ato ndjejnë më të madhen qetësi
pushojnë në këtë besim
që e krijoi bota.

Përktheu: Qerim Raqi

*Titulli i origjinalit: “Po, sigurisht që dhemb kur gonxhet bulëzojnë

ObserverKult

Karin Boye


Lexo edhe:

IOANNIS POLEMIS: KUR TË GJENDET VDEKJ’ E ZEZË PËRBALLË ME DASHURINË…

Rrjedh koha, ikën porsi lumë, në krah të saj rend jeta
e çdo gëzim që gurgullon priret nga tatëpjeta,
shuhen ëndrrime të pafund e lule në ngjyrë alle
e bëhen pluhur, humbëtirë, shpresa, buzëqeshje, halle.
Del vdekja e pavdekshme nëpër lendina e ara,
pa pikë mëshire pret e korr gjithçka që i del përpara…

Poezinë e plotë e gjeni KËTU