Kemajl Aliu: Rekuiem për pianisten

(Poezi për të pagjeturit)

I

Ana, studente e pianos, me bukuri të Tanushës,
Kish vendosur kordelen mbi këngën e saj të përgjysmuar,
kur në harqe helmetash ia mbyllën të pafajshmen shtëpi
të prirë nga gjeneralë me grada dhe gjak fëmijësh ngurtësuar.
Hynë si kurrë më parë me hapa të zinj, vrastarë – bastardë,
që s’ta falin vetëvrasjen – dhuratë – si më të mirin çast.
Hynë me fjalorin e vdekjes, e i hodhën në kolona për t’i dëbuar,
Duke i përplasur nën qiellin e hapur, mes shirave të bronztë.
Kështu pas qindra vdekjesh, gjyshe e mbesë duar shtrënguar,
veç sa nuk kishin hyrë në Bllacë – në tokën jetëpremtuar,
kur në kolonë, pianisten… e… n d a l i… hija e vdekjes së ftohtë.
…Atëherë, nën bubullimë avionësh, zëri i gjyshes preu një qiell,
po duart e zeza të shkretën e përplasën – gur përtej matanë.
I mbet shikimi i ngrirë mbi Anën – për herë të fundit herë,
Dhe nga dhimbja nuk vdiq, po u kthye krejt në gjamë.

II

Çdo ditë i falej sall PRITJES – të mos bëhej qyqe në mal,
Pritjes ku të pagjeturit tanë frymojnë kthimin.
Ndaj zemrën dhe portën e avllisë i la gjithmonë hapekrah,
Edhe kur ia behu tetori i mugët me drunjtë gjethe tharë.
Me plot erëra që luajnë me derën tash e sa muaj çel,
Dhe gjyshja u a ngujon ulërimat me gurë në katër anë,
Sall PRITJA për Anën të mos lëkundet – ASNJËHERË.
…U mashtrua … t’i lutej qiellit për shpirtin e mbesës së saj
veç kur ndjeu një zë që i tha: “Ana vonon, veç pak…”
Ishte pritja që ia lidhte duart nyje e i shlyente çdo lot e vaj.
Ndaj kthehej dhe i thurrte Pritjes Ditëenatë uratë,
Edhe pse çdo ditë AJO i bëhej oqean – pa breg e cak.
Po pa e parë gjyshja Anën – as dekën se ka hak.
Kështu i falej ZOTIT të PRITJES – kur befas një çast,
Pianoja shtëpinë e mbushi plot këngë e melodi,
Pastaj tingujt iu shndërruan në Anë – a hija e saj ju shfaq,
Me dy hapa kur e zuri në majë shkallë e ndjeu një çudi…
E puthi në ballë e sy dhe lajmin fqinjëve ua dha sakaç,
…Pastaj një sirenë e autoambulancës u ndie si vetëtimë –
e futën brenda me vajë e britma, deri në ulërimë…
Kështu humbi gjyshja… bashkë me fjalët: “Ana ka ardhë!”
Në një dimension tjetër – ku mund me te me u çmallë…

III

Në shtëpinë derëmbyllur, tash bari i vetmisë ka mbi’,
Notat nga pentagrami i Anës pëshpëritin plot mall.
Kthimi im në PRITJE… ka mbetur përgjithnjë.
Kot do më kërkoni gjithkund – unë jam e pavarr…

ObserverKult


Lexo edhe:

KEMAJL ALIU: SEMANTIKA E VARGUT POLIDIMENSIONAL