Kënga qytetare e Vlorës, pasuri e traditës muzikore shqiptare

Fitim Çaushi

Kënga popullore qytetare, si pjesë e trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, ka mbetur e pastër plot vlera estetike, sikundër e kanë krijuar mjeshtrit popullorë. Si gjini muzikore është kristalizuar brez pas brezi fal muzikantëve shqiptarë të fillimit të shek të XX, si: Palok Kurti, Isuf Myzyri, Kasëm Zhyri, Frano Ndoja, Paulin Pali, Thoma Nasi, Mark Krajani, Mustafa Budini, Kolë Gurashi, Riza Nebati, Shyqyri Fuga, e veçanërisht nga mjeshtrat e viteve ‘30 si: Marie Kraja, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Kristo Kono, Pjetër Dungu, Mihal Ciko, Kostandin Trako, Zihni Berati etj. të cilët përthithën përvojën estetike të popullit dhe krijuan, interpretuan dhe ekzekutuan një muzikë me karakter festiv dhe brendi demokratike që qëndronte pranë jetës së përditshme të popullit. Ajo ka vendin e saj në traditën muzikore dhe është bërë pjesë e jetës së përditshme të popullit.

Këta artistë të mëdhenj hodhën themelet e një tradite artistike, e cila përbën në vetvete një pasuri të çmuar në kulturën shpirtërore të popullit tonë. Në qendrat e para të kultivimit të këngës qytetare ishin Peja, Prizreni, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Berati Korça, Përmeti dhe Vlora, qarkullonin këngë me të njëjtin tingëllim tematik dhe emocional, shquheshin për karakterin poetik dhe lirik, për vlera të rralla estetike.

Në këtë traditë muzikore të popullit tonë një vend të veçantë zë edhe kënga qytetare e Vlorës. Studiuesi ynë i çmuar Bardhosh Gaçe, dekada më parë, nën këshillat e kompozitorit të madh Çesk Zadeja botoi monografinë “Reshat Osmani dhe kënga qytetare e Vlorës”, e cila u mirëprit nga etnomuzikologët dhe lexuesit për vlerat e saja të veçanta.

Në këtë ribotim, nën titullin “Kënga qytetare e Vlorës”, duke u thelluar më tej, prof. dr. Bardhosh Gaçe na sjell vlera të tjera të kësaj tradite kulturore, ku një vend të veçantë zënë sazet e Vlorës qysh në fillim të shek. XX, të cilat lanë gjurmë të thella sidomos me këngëtarin e famshëm Bilbil Ceno Vlora dhe grupin e tij, të njohur në disa qytete të Shqipërisë, por edhe në vende të tjera të Europës, duke u incizuar edhe në pllaka gramafoni. Autori e trajton këngën qytetare të Vlorës dhe bartësit e saj brenda mjedisit që e formoi, e frymëzoi dhe e ndihmoi të arrinte një rrugë artistike të suksesshme dhe me punë të përkushtuar t’i lënë fondit të Kulturës Muzikore Shqiptare dhe ndërgjegjes kombëtare vlera të pavdekshme. Një kontribut të çmuar për lëvrimin dhe kultivimin e saj kanë dhënë mjaft këngëtarë e kompozitorë si: Bilbil Vlora, Palok Kurti, Themistokli Mone, Reshat Osmani, Haxhi Dalipi etj. të cilët kanë krijuar një fond të pasur të këngës qytetare vlonjate.

Orkestra me muzikantë të njohur të Vlorës, si Bilbil e Asim Ceno, me intuitën dhe virtuozitetin e lartë popullor, futën në repertorin e sazeve mjaft këngë dasme, trimërie e patriotike të fshatrave përreth Vlorës në vitet ’30-’40, si bërthama të folklorit qytetar vlonjat. Kjo orkestër e gjallëroi jetën muzikore në vitet e Luftës së Dytë Botërore, njëherazi frymëzoi dhe përgatiti muzikalisht kompozitorët e ardhshëm Themistokli Mone, Reshat Osmani, të cilët e ngritën këngën qytetare vlonjate në nivele të larta artistike. Për këndimin e këngëve patriotike, në tetorin e vitit 1943, nazistët arrestuan xhaxhain e Reshatit, Ziaudin Osmanin dhe e internuan në kampet e përqendrimit. Po kështu u vranë nga nazifashistët edhe Pavli Kafia e Petrit Bisha, këngëtarë të talentuar.

Pas Luftës së Dytë Botërore, i ndihmuar edhe nga muzikanti Themistokli Mone, i cili kishte përfunduar studimet në Liceun e Romës, Reshati u përfshi në lëvizjen artistike e kulturore të qytetit. Në vitin 1955 u emërua në estradën profesioniste si këngëtar. Për t’u aftësuar profesionalisht u dërgua në Liceun Artistik dhe më 1960-62 ndoqi shkollën e kantos pranë Teatrit të Operës. Në ambiente me shumë artistë të skenës shqiptare, Reshati fitoi një përvojë të çmuar.

Në maj të vitit 1950 u krijua grupi karakteristik i këngës vlonjate me Kostandin Thanon, Reshat Osmanin dhe Besharete Ismailin, ndërsa në vitin 1953 u aktivizua në “Trion Vlonjate” e famshmja Meliha Doda. Në formacionin e Trios Reshati dhe Melihaja ishin marrës, ndërsa Kostandin Thano ishte kthyes. Të pajisur me dhunti të çmuara muzikore, ashtu si Themistokli Mone edhe Reshat Osmani, shkonin në fshatra dhe studionin bardët për vlerat e veçanta të këngës polifonike, të cilat i konsideronin thesare të shpirtit të popullit. Ata mblodhën meloditë e bukura polifonike si: këngët e Adem Mersinit dhe Ramadan Begës në Kaninë, këngët e Neço Mukës në Himarë, veçanërisht treshen e famshme të Dukatit, këngët e Th. Prendit e A. Koçit me shoqe në qytetin e Vlorës, ato që këndoheshin nga Bardhyl Zhori e Gjysh Çobo, motivet melodike të të cilave i ngritën në art. Ata futën kuintakordin në tre zëra të ndryshëm, që nuk ndodhte në këngët e popullit. Në bazë të këtyre këngëve qëndronte pentatoni, sikundër edhe në polifoninë labe

Aftësia dhe talenti i kompozitorëve Themistokli Mone dhe Reshat Osmani ka zgjidhur drejt dhe në mënyrë të përkryer evoluimin e këngës qytetare, duke mos lejuar që folklori i ri të jetë mohim i traditës folklorike dhe i lidhjeve të tij gjenetike e strukturore me folklorin tradicional. Ata ditën të marrin çka ishte më karakteristike në kulturën popullore, duke ia rikthyer popullit në një nivel më të lartë artistik. Me gjithë elementët stilizues, kënga popullore qytetare vlonjate ruajti të paprekur melodinë burimore, intonacionet kombëtare me fizionomi të qartë e të dallueshme nga trevat e tjera të këngës popullore qytetare, si Fieri e Berati. Themistokli Mone dhe Reshat Osmani gjurmuan 200 variante e melodi popullore, duke u bërë kultivuesit më të suksesshëm të këngës qytetare vlonjate.

Tema qendrore e këngës popullore qytetare vlonjate, sipas studiuesit Bardhosh Gaçe, mbeti dashuria, përherë e pranishme në jetën e përditshme të njeriut, ndjenjë e konsideruar nga populli si burim jete dhe gëzimi. Bukuria, dëlirësia, thjeshtësia dhe dashuria e moshës kanë tingëlluar të freskëta dhe të ngrohta, plot ngjyrë dhe tinguj, duke na kujtuar se ç’forcë krijuese ka një popull me traditë të lashtë muzikore dhe me botë të pasur shpirtërore. Në krijimtarinë e tyre kompozitorët Osmani dhe Mone nuk i kanë kursyer figurat artistike dhe simbolet, një gjuhë muzikore e thjeshtë, lehtësisht e kapshme dhe shumë e ndjeshme për nga forca emocionale. Krijimtaria e tyre interpretohet gëzueshëm, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e frymëzuese.

Në përfytyrimin e këngëtarit popullor, vajza vlonjate paraqitet e hijshme, me një figuracion impresionues, aq sa djali mund të “pushojë” mbi qerpik të saj!

Këngët qytetare vlonjate shquhen nga intuita dhe frymëzimi, nga thjeshtësia melodike dhe butësia e shpirtit, nga fisnikëria dhe ngrohtësia e saj, nga thellësia e mendimit, prandaj janë të bukura dhe entuziaste. Ato pëlqehen dhe këndohen nga të rinjtë në çdo ngjarje të gëzueshme familjare, sepse janë një pasuri shpirtërore që lindi, u zhvillua dhe u përsos brenda këtij trualli ku gjallon një popull tërë energji, me një konstitucion shpirtëror të pasur. Ashtu si Bilbil Ceno, Arsim Ceno, Themistokli Mome edhen Reshat Osmani e emancipoi këngën vlonjate, duke plotësuar mozaikun mbarëkombëtar të muzikës qytetare, me një kolorit të ndezur siç e ka karakteristike kultura labe. Bukuria dhe thjeshtësia e mjaft këngëve të Reshat Osmanit qëndron në tingujt e saj gjallërues dhe entuziast, linjat melodike, strukturat ritmike, në harmoni me logjikën e gjuhës muzikore të këngëve. Këto elemente artistike janë brenda traditës dhe respektojnë origjinalitetin e këngës qytetare vlonjate.

Reshati si kompozitor dhe orkestrant, ka meritën e madhe se së bashku me kompozitorin Themistokli Mone përgatiti “Trion Vlonjate” për të dalë në publik si një formë e re e këngës qytetare. Trioja vlonjate lindi si një formacion spontan folklorik e më vonë iu nënshtrua organizimit të ndërgjegjshëm të intonacionit muzikor qytetar vlonjat. Ajo u kthye në një ansambël të vërtetë vokal, duke sjellë vlera të arrira estetike e artistike. Aftësia sugjestionuese e Trios, lidhet me konceptin estetik për “miken”. Ajo u shqua për një kolorit të pasur popullor, veçanërisht dialogët vajzë-djalë e futën këngën vlonjate në ambiente të gjera popullore, aq sa këngë të viteve ‘60-‘70, të kompozuara nga Reshat Osmani, për shkak të afërsisë me këngën popullore, mbetën anonime.

Reshati ia përkushtoi jetën e tij artistike këtij formacioni popullor, duke e pasuruar me repertor plot aromë vlonjate. Në sajë të kontributit muzikor të Reshat Osmanit, kënga vlonjate ka vezulluar si një mozaik tingujsh njerëzor e instrumental, që të ngjall dashuri e detyrim për vlerën e saj estetike e artistike. Ajo ka pasqyruar identitetin e vet kulturor. Reshati si një nikoqir i mirë, arriti të zbuloj prushin e nxehtë të muzikës popullore qytetare të Vlorës. “Trioja Vlonjate! mbeti një ansambël profesionist me intonacione perfekte.

Me muzikalitetin dhe mjeshtërinë e interpretimit kjo “Trio Vlonjate” ndikoi ndjeshëm edhe në brezat e tjerë të këngëtareve të mirënjohur vlonjatë si Kleopatra Skarco, Milika Meminaj e Milika Nerënxi. Ajo krijoi tiparet e një kënge me popullaritet të madh, duke u kënduar në të gjitha skajet e Shqipërisë, e duke zënë vend të nderuar në emisionet muzikore të Radio-Tiranës, në programet koncertale si pjesë aktive e jetës shpirtërore shqiptare. Repertori i saj dominohej nga krijimtaria e Reshat Osmanit, krijimtari e ndërtuar me një harmoni të thjeshtë, me një strukturë strofë-refren me një fakturë ritmike shumë dinamike, që na befasonin me komunikimin që ato krijonin me spektatorin dhe dëgjuesit. Kjo Trio ka dhënë qindra koncerte nga Jugu në Veri të Shqipërisë, në qytete e fshatra, e deri në Kosovë, Rumani, Bullgari, Kinë, Poloni.

Në repertorin e “Trios Vlonjate” do të mbeten si vlera kombëtare këngët: “Vashëza në zall të lumit”, “Kur të thashë të dua”, “Xhan o moj Alije”, “Në degë të selvisë”, Thëllëzat që hedhin valle”, “Hajde moj kumbulla vlonjate”, “Do të vish ti vajzë e vogël”, “Nënë portokalle moj”, “O po hajde, o po dal”, “Dy thëllëza në një portë”, “Vlorë e bukur me stoli”, “Vajza myzeqare”, “Do vras bandillin pastaj do këndoj”, ”Jam shqiponjë e tokës labe”, ”Bilbil xhan të keqen-o”. “Jelekun prej kadifeje”, “Shqipëria trime”, e shumë të tjera, të cilat u kënduan në mbarë vendin.

Një meritë për këtë popullaritet pati edhe interpretimi profesional, mjeshtëror i Dodës, Osmanit dhe Thanos, të cilët vendosën një komunikim shpirtëror me dëgjuesit. Ata përcollën margaritarë artistikë, tinguj plot elegancë dhe ndjeshmëri estetike. Interpretimi i tyre mbetet një model edhe për këngëtarët e rinj. Në festivalin botëror të këngës popullore në Moskë në vitin 1957, “Trioja Vlonjate” fitoi çmimin e tretë, duke u cilësuar si “kënga që vjen nga burimet më të freskëta të Ballkanit.” “Vitet shkojnë – theksonte me nostalgji Artistja e Madhe Meliha Doda – dhe ne që lamë shpirtin në këngën e bukur qytetare vlonjate na kap një mall i madh për këngën vlonjate dhe për atë traditë të bukur që la gjurmët në rrjedhat e kohës”.

Reshat Osmani, siç del në faqet e kësaj monografie, punoi deri në fund të jetës së tij me shpirtin fisnik dhe merakun e mbijetesës së Trios, këtij margaritari të thesarit të kulturës qytetare vlonjate. Ai ishte një artist i vërtetë, i palodhur, me një përkushtim të veçantë për artin, muzikën dhe këngën shqiptare. Mblodhi një pasuri të madhe: partet muzikore të 130 këngëve, por nuk i botoi dot për t’ia lënë trashëgim muzikës shqiptare. Natyra e tij e qeshur dhe entuziaste, pasqyrohet në krijimtarinë e tij muzikore. Këngët e tij shpërndajnë dashuri, vëllazëri, mirëkuptim dhe unitet kombëtar, çka i bën të pavdekshme dhe të kërkuara, pjesë e fondit të Kulturës Muzikore Shqiptare dhe ndërgjegjes kombëtare.

Artisti i Popullit Çesk Zadeja ka lënë këtë vlerësim për kompozitorin dhe këngëtarin e artë: “Reshat Osmani jo vetëm që iu përkushtua këngës qytetare vlonjate, duke patur për bazë kadencat e polifonisë së Labërisë, por krijoi melodi të bukura, këngë të gjalla e të harmonizuara, duke i dhënë emrin e tij së bashku me Themistokli Monen këngës qytetare të Vlorës”.

Ndërsa Tish Daija na dëshmon për një vlerësim të rrallë: ”Në vitin 1960, në vendin tonë erdhi për një vizitë miqësore nga Moska, profesori im i kompozicionit Vladimir Ferre. Diskutonim për muzikën tonë të vallëzimit, për të patur një muzikë të lehtë shqiptare. Kur vizitoi Vlorën, ishte organizuar një koncert për nder të tij. Duke dëgjuar “Trion Vlonjate” na tha: “Ja ku e kini muzikën e lehtë shqiptare!”

Ribotimi i monografisë “Kënga qytetare e Vlorës” e prof. dr. Bardhosh Gaçe, sjell një kontribut të ri në vlerësimin e traditës së këngës popullore qytetare vlonjate si pasuri e muzikës sonë kombëtar./ ObserverKult