“Këngët e Kalasë” përshkruanin histori, ngjarje, beteja, luftra të gjata, heronj e patriotë…
Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh”
Kalatë apo kështjellat jo vetëm në vendin tonë por në gjithë botën emërtimet e tyre i marrin ose nga vendet dhe qytetet ku janë ngritur si psh: kalaja e Beratit, Krujës, Prizrenit, Kaninës, Lëkursit, Porto Palermos, Elbasanit, Kardhiqit, Libohovës etj.
Po ka edhe kala që marrin emërin e personazheve të njohur që shpesh kthehen në mite si kalaja e “Rozafës”, në Shkodër dhe “Argjiros” në Gjirokastër dhe kala që emërtohen me emrin e prijsit e mbretërve të kohës si: Kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Tepelenë e Janinë etj.
Në tërë historinë e tyre kalatë janë ndërtuar si fortifikime të jashtëzakonshme për të mbrojtur qytetet dhe njëkohësisht në pika dominante shumë të vështira për t’u pushtuar. Me këtë mision mbrojtës vjen në historinë e kalave dhe fortifikimeve në vendin tonë gjatë shekujve dhe mijëvjeçarëve edhe kalaja e Gjirokadtrës. Këtë kala madhështore herë e quajnë si një kryqëzor gjigand që ka hedhur spirancën aty majë shkëmbit për të qëndruar përjetësisht dhe herë e quajnë si një shqiponjë që ka hapur krahët dhe është gati për fluturim, por që nuk dihet çfarë e ndalon për t’u ngritur lart në qiell dhe ngeli e ngurtësuar me krahët hapur për të mbrojtur qytetin. Ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit të XX kjo kala do të quhej “Kalaja e Festivalit”.
Nuk e di nëse për kalanë e Gjirokastrës para vitit 1968 kur në sheshin e saj hapi siparin Festivali i parë Folklorik Kombëtar të jetë kënduar ndonjë këngë për të, ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit XX-të për këtë kala populli ka kënduar shumë këngë, duke e bërë atë ndoshta të vetmen jo vetëm në rajon por shumë më gjërë. Nga ky vit e në vazhdim kalaja e Gjirokastrës për faktin se aty në çdo pesë vjet organizohej Festivali Folklorik Kombëtar ajo mori emërtimin mbarë popullor si “Kalaja e Festivalit”.
Ja çfarë thotë një nga këngët e këtij festivali: “Na buron nga zemra,/Kënga më e mirë,/Në Kalanë e Festivalit,/ Plot me misafirë./ Moj kala ç’mur të ka rënë,/Andej armë e këndej këngë“.
Dhe kënga tjetër: “Ndezi këngën Shqipëria,/Në Kalanë e Festivalit,/ Te ky shesh s’harron kurrë,/ Këngën e Xhevat Avdallit./Na vjen këtu Demir Zykoja,/Gojë mblajti nga Skrapari,/Krah për krah Hafsa Zyberi,/ Madhështor Mentor Xhemali.”
Por në se nuk dimë se çfarë këngësh i janë kushtuar kalasë së Gjirokastrës shekuj më parë mendoj se këngët e para aty janë kënduar që në kohën kur janë grumbulluar gurët e parë dhe janë hapur themelet për të ndërtuar muret e kalasë. Ustallarët kur pushonin në kohën e drekës duke qënë banorë të travave ku kultivohej polifonia me siguri ja merrnin këngës për të shprehur dertet e shpirtit.
Natyrshëm lind pyetja: Pra çfarë ishin këngët e ustallarëve në mijëvjeçarin e parë të pas Krishtit kur ndërtonin kalanë e Gjirokastrës?
Mendoj se këngët e tyre do të ishin me melodi të karakterit epik të rënda monostrofike, të zvargura, të thella, të përshtatura me kohën dhe vendin ku këndoheshin. Këngët e ustallarëve që unë po i quaj “Këngët e Kalasë” përshkruanin histori, ngjarje, beteja, luftra të gjata, heronj e patriotë, ndoshta dhe frikacakë e tradhëtarë çka i bën ato në një farë mënyre të jenë memorja e historisë.
Këngën gjithmonë e ka pasur bashkëudhëtare të jetës shqiptari. Këngë këndonte në dasma e gëzime familjare, këngë u këndonte trimave kur i përcillte në luftë dhe këngë u këndonte luftëtarëve kur binin në fushën e betejës. Të tilla i imagjinoj këngët e ustallarëve kur ndërtonin kalanë e Gjirokastrës.
Nisur nga ato që thotë historia se në fillim është ndërtuar kalaja dhe pastaj qyteti mendoj se këngët e ustallarëve kanë qënë këngët e para të trashëgimisë folklorike të qytetit të Gjirokastrës. Ato melodi dhe ajo strukturë tonalo-modale e këngëve të ustallarëve të kalasë në rrugëtimin e tyre, në vite e shekuj, në evolucionin që pësuan nga përpunimi që i bëri Artisti Popull janë burimi dhe origjina e këngës gjirokastrite.
Nga vitet e origjinës e deri më sot kënga gjirokastrite nuk mendoj se ka patur ndryshime rrënjësore si psh: të jetë kënduar këngë e shoqëruar me saze e sot të jetë polifoni apo e kundërta.
Nuk kemi dokumenta të shkruara të rrugëtimit të këngës gjirokastrite që të vërtetojnë origjinën e këngës së sotme të qytetit të gurtë por për veçoritë e saj, kontrastet me këngët e tjera të rajonit e më gjërë, autenticiteti i saj i paprekur nga lashtësia deri në ditët e sotme e bëjnë këngën gjirokastrite nivelin më të lartë të polifonisë shqiptare.
U ula të shkruar për Kalanë e Gjirokastrës “Kalanë e Festivalit” në këtë vit të 50 vjetorit të Festivalit Folklorik Kombëtar si manifestimi madhështor i trashëgimisë kombëtare. Panteoni ku Artisti i madh Popull shpalosi me tërë pasionin e shpirtit perla nga trashëgima folklorike si pjesë e indentiteti tonë kombëtar.
Kalaja e Gjirokastrës
Kalaja e Gjirokastrës si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Në këto vite, ajo ishte qendra e feudalëve shqiptarë Zenevisë. Më vonë, gjatë sundimit të Gjin Bue Shpatës, ajo u përfshi në Despotatin e Epirit. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë se ekzistenca e kalasë së gurtë është më e hershme. Sipas tyre, kalaja ka pas dy faza ndërtimi, të cilat lidhen me periudhën para dhe pas Pashallëkut të Janinës dhe fortesave të Ali Pashë Tepelenës. Nga Kalaja mesjetare, ajo e para pushtimit të Ali Pashës, ruhen vetëm pak gjurmë pasi muret janë veshur deri në lartësi nga ndërtimet e reja. Ndërsa, kullat pjesërisht janë rrënuar dhe ripërshtatur. Sipas kronikanit turk, Çelebiu, i cili vizitoi qytetin më 1672: “ Kalaja ishte ndërtuar në kohë të moçme. Krejt prej guri të gdhendur. Në mes të kalasë ndodhej një rrugë e gjerë me drejtim lindje-perëndim, në të dy anët e së cilës ndodheshin 200 shtëpi. Ajo kishte dy porta hekuri me nga tri palë dyer dhe një hendek 100 hapa të gjatë dhe 200 hapa të gjerë midis namasgjahut dhe fortesës. Ndërsa të tri anët e tjera nuk kishin nevojë për hendek pasi janë përrenj natyrorë”. Në vitin1417, Kalaja u pushtua nga turqit pas një rrethimi të gjatë. Me kalimin e viteve, ajo filloi të luajë gradualisht rolin e një kështjelle për qëndrimin e sunduesit dhe garnizonit të qytetit. Në vitin 1812, Kalaja e Gjirokastrës u pushtua nga Ali Pashë Tepelena, i cili filloi rindërtimin e saj. Rindërtimi i kalasë, i një saraji dhe i disa godinave anekse, u bë me një ngutësi aq të madhe sa të gjitha punimet u kryen brenda një viti e gjysmë. Kalaja përmbante përveç barakave për vendosjen e një garnizoni prej 5 mijë ushtarësh, magazina të shumta nëntokësore që ishin llogaritur mirë për sigurimin e municioneve dhe ushqimeve të nevojshme. Kronikat e kohës përmendin se vetëm për ndërtimin e vendqëndrimit të Ali Pashës, një kullë pranë këndit juglindor, punuan 1500 vetë. Me rënien e Pashallëkut të Janinës, Kalaja do të humbiste shkëlqimin e saj. Në vitet e luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, ajo do të shërbente si vendstrehim për banorët e qytetit për t’u mbrojtur nga bombardimet e ajrore.
ObserverKult
Lexo edhe:
HISTORIA E DHIMBSHME E KALASË SË ARGJIROSË, NËNA NDËRROI JETË- DJALI SHPËTOI