Shkrim prekës i babait të aktorit të ndjerë: Sot, biri im, është ditëlindja jote…

xhabir ahmeti - për luraninn
Luran Ahmeti

Nga Xhabir Ahmeti

Në ditëlindjen e dytë të Luranit tonë, pa praninë e tij në mesin tonë

Sot, biri im, është ditëlindja jote. Dita kur para dyzet e tetë vjetësh këtë shtëpi e mbuloi drita dhe bekimi, kurse ne të pritëm me frymëzim të paparë të vish nga materniteti. Në kujtimet tona lindja jote mbeti festa më e madhe. Pastaj, si të tillë e kemi festuar gjithmonë këtë ditë për dyzet e gjashtë herë, sepse ti vetëm gëzime e suksese na ke sjellë, sepse ti ishe drita jonë. Dhe, kur pritnim të ngrihet edhe më shumë madhështia e ditëlindjeve tua, fatkeqësia na doli përpara. Na e preu udhën dhe të mori pabesisht nga ne. Kështu ajo t’i ndërpreu edhe ëndrrat e planet tua ambicioze për realizimin e shumë projekteve teatrore e filmike dhe për jetësimin e planeve afatgjata për të ardhmen e lumtur të Arbës. Na u prenë shtigjet, na u vra shpresa.

Pas Teje, biri im, për ne gjithçka ka ndryshuar. Nga zija s’na zë vendi askund…

Megjithatë s’lëvizim dot nga shtëpia, sepse kjo është vatra ku çelte lulja jonë e gëzimit – Ti, bir. Krahëhapur kemi mbetur duke pritur përqafimin tënd, po në vend të tij gjëma na shoqëron. Dhe, vetvetja. Ndonëse tash nuk jemi më në atmosferën festive që na e jepte prania jote, ditëlindjet tua vazhdojnë të na mbajnë bashkë, sepse ti ishe shtylla e kësaj shtëpie, ishe kuptimi, ishe përmbajtja dhe ishe bukuria. Tash gëzimit tonë ia ka marrë fjalën zija. Ajo ligjëron pa pushuar duke e mbushur me pikëllim çdo kënd të horizontit para nesh. Por ne të mbajmë afër përmes kujtimit, i cili duhet të bëhet pjesë e kulturës sonë. Në çdo çast, secili prej nesh të përmendë.

Rreth nesh duket se bimëve u ka rënë sëmundja. Në park kanë mbetur vetë disa sorra dhe disa qenë të braktisur. Presin lëmoshë prej njerëzve, të cilët i ka pushtuar tëhuajsimi. Neve na godasin të papriturat me veshje të zeza. Nyjat. Nyjat na dhembin. Kurrizin, që kaq dekada ka qëndruar drejt, tash po e sulmon lumbagoja. Dhe, djalli e marrtë vesh se çka tjetër. Por sot nuk i ndjejmë këto gooditje. Sot është dita jote. Ditëlindja e djalit tonë, fryma e të cilit edhe tash kujdeset për ne dhe e përhap idenë për përjetësimin e dashurisë, ku përparësinë e mbajnë dashuria ndaj bijës sate të shtrenjtë, Arbës, ndaj prindërve dhe ndaj arteve. Ndaj gjuhës dhe vatrës.
Tash, kur bota ka marrë të prapën, neve na mban në këmbë prania e Arbës. Zëri i saj, loja e saj, përqafimi i saj. Arba është kopja jote. Sa qejf kur i dëgjojmë njerëzit si i thonë: e bija e Luranit! Sa herë që nuk e kemi pranë, neve na pushton të ftohtët polar. Kur vjen, ajo vjen bashkë me dritën e diellit dhe me emrin tënd, me dorën e Atenës.

Arba është ende e vogël, por vitet shpejt kalojnë dhe do të vijë koha kur do t’i lexojë këta rreshta që i shkruan gjyshi i saj dhe doemos do të jetë krenare me Ty… Kudo që të jetë, Arba do të vijë këtu e do të thotë: kjo është shtëpia ime, sepse kjo shtëpi është e babit tim. Dhe, atëherë do t’i shkëlqejnë sytë nga gëzimi për zanafillën e saj, për babin artist, për gjyshin, gjyshen dhe për hallën që ia ka mësuar alfabetin e mitologjisë së lashtësisë greke e ilire. Do të jetë krenare për rrënjët e saj.

Sa të duam Luran, sa të duam. Do të bëjmë që emri yt të bëhet fillimi i shenjimit të institucioneve e rrugëve tona dhe të dihen gjurmët e ndritshme që i lëmë pas vetes.

ObserverKult

Lexo edhe:

XHABIR AHMETI: E MBANTE NË MEND MIRË PAMJEN E BURRIT QË TASH U TRET…