“Këpuca e aktorit” nga Visar Zhiti, roman i dashurisë dhe dëshirës për jetën…

“Këpuca e aktorit” nga Visar Zhiti dhe shumë këpucë të tjera në skenën e madhe të jetës.

Nga Teuta Dhima

Romani “Këpuca e aktorit”, ndryshe nga “Rrugët e ferrit: burgologjia ime për Spaçin dhe më parë”, është një roman i dashurisë, triumfit të saj dhe dëshirës për jetën. 

Bahti në teorinë e tij e dallon romanin nga disa veçori, ku njëra prej tyre është edhe mundësia e paraqitjes letrare që mundëson kontaktet e kohëve të ndryshme. Romani “Këpuca e aktorit”, siç e thekson edhe Luan Topçiu, ngërthen në vetvete tri epoka të historisë së Shqipërisë: atë para  mbretërimit të mbretit Zog dhe gjatë, periudhën e luftës 1939-1944 dhe periudha e tretë, ajo e diktaturës komuniste deri në rrëzimin e saj dhe më tej.

Në konceptin që Bergson ka për kohën, ai e vë në kontrast kohën që kalon nga lëvizja e akrepave me një kohë të brendshme, të vazhdueshme, të pandashme dhe të papërsëritshme, që është ajo e vetëdijes sonë, në të cilën momentet e ndryshme ndërhyjnë pa ndërprerje.

Është kjo kohë brenda mendjes dhe shpirtit të Zhitit që na sjell me dashuri një sagë familjare ku nuk mungojnë elementët biografikë, por në të njëjtën kohë, nuk ka një kufi të qartë mes tyre,  personazheve dhe ngjarjeve të trilluara.

Rrëfimi nis me një ngjarje e cila është diskutuar dhe ka pasur jo pak jehonë në jetën e shqiptarëve: atë të  shembjes së teatrit. Ky moment është sjellë nga Zhiti dhe jo vetëm kaq, por në gërmadhat e tij, ka mbetur një aktor që jetën ia ka dedikuar teatrit. Kthimi me retrospektive më pas, na sjell në historinë e cila  ka shtrirje në tre breza: gjysh, at, bijë dhe çdo gjë, skenat, aktorët, kostumet janë brenda saj.

Si një vepër historiko-psikologjike, na sjell karakteristikat e secilës epokë që ngërthen dhe protagonistë të cilët  janë jo pak herë personazhe të brishtë, duke u ndalur shpesh në përshkrimet subjektive dhe sekuencat reflektuese. 

Gjyshi, Moisiu, kishte talentin dhe pasionin për teatrin, por nuk u bë aktor, pasi nuk ia miratoi babai dhe lartmadhëria e tij, mbreti. Në roman jepen momente nga jeta e Moisiut që nga përzgjedhja e emrit për të jetuar më gjatë, dashuria e tij me ciganen, pasioni për skenën, rolet e para, dashuria me Marian qerpikgjatë, e deri tek vrasja e tij në duel. 

Hektori, i biri, trashëgoi nga ati dashurinë dhe pasionin për teatrin dhe u bë aktor, e shijoi skenën, por skena ishte e mbyllur, se “për atdheun ne ishim qenie midis maskave të gjalla dhe këpucëve. Ata na lëviznin si të donin”- shkruan Zhiti.

Hektori është një ndër personazhet që pëson ndryshime rrënjësore. Personazh i dy kohërave, i dy sistemeve: aktor në qytetin L., që i pëlqen Enverit në një kohë dhe aktor në Teatrin Kombëtar në periudhën e demokracisë. Hektori, aktor kur dramat nuk mbaroheshin nga vetë autori, por shpesh herë nga regjisori apo ata të komitetit. Aktor në kohën kur aktorët që para se t’i ndiqte spektatori, i ndiqte sigurimi. Aktorë që hiqen nga puna, aktorë që burgosen, përndiqen dhe më pas vetëvriten. Hektori, aktor gjumëvjedhur, këpucëvjedhur, ecjevjedhur. 

Dhe brezi i tretë është Irisi, aktore dhe ajo, por me fatin e mirë që të shijojë në liri të plotë skenën jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj. 

Kur flasim për subjektin e një romani, dy nga pikat për të cilat diskutohet së tepërmi janë: a ia vlen kjo ngjarje të rrëfehet, dhe a është treguar artistikisht bukur. Ngjarja e rrëfyer është një sagë familjare e shtrirë në tri epoka, që nuk mbetet vetëm brenda kufijve të ngushtë të familjes, kjo është histori e Shqipërisë në skenën e madhe të jetës ku secili prej nesh është një aktor që ka zgjedhur të luaj rolin e tij.

Romani ka kreun e parë të titulluar “Këpucët e kohës gjysh”, të flasësh për Moisiun”; kreun e dytë që titullohet  “Perdja e skenës në kohën baba, zvarritjet e Hektorit”; dhe i treti, “E tanishme me kohën bijë, Irisi në syrin tim”. Tituj që janë një sintezë e ngjarjeve në kreun përkatës.

Ngjarjet marrin më shumë vlerë nën peshën e një rrëfimi të pasur me një figuracion në funksion të idesë. Këpuca, një metaforë e fuqishme që siç është shprehur edhe Andreas Dushi, është këpuca e ecjes së Shqipërisë.  Jo pak herë Zhiti e ka përdorur këpucën në poezitë e tij, dhe nuk mjaftohet, por e ka bërë atë pjesë të titullit të romanit dhe metaforën më të fuqishme të tij.  Në fakt, këpucët ndihmojnë për të komunikuar veçantinë dhe për të përcaktuar identitetin tonë personal. Ato janë një gjuhë që lidh trupin dhe psikikën dhe na ndihmojnë të afrohemi me imazhin tonë më të përsosur. 

Ajo që nuk mund të kalojë pa të lënë mbresa në këtë roman, është edhe vlera stilistike e ndërtimeve sintaksore, ku ndër të tjera, shfaqet edhe individualiteti krijues i stilit të autorit. “Vështirë të gjesh dy shkrimtarë, qofshin këta edhe binjakë, që ta ndërtojnë një fjali njësoj. Heroina kryesore e stilistikës është fjalia si kompozimi më i plotë dhe më i arrirë i shprehjes së mendimit”,  thekson Shkurtaj.

Në romanin “Këpuca e aktorit”, Zhiti spikat për mënyrën e të shprehurit dhe ndërtimit të fjalisë që mbart një mendim konçiz dhe të mirëstrukturuar. Jo pak herë vihet re përdorimini fjalive të paplota, të cilat plotësojnë kuptimin e tyre duke i qëndruar kontekstit të paragrafit, apo më gjerë. Përdorimi i këtyre fjalive, vjen si një lloj ftese, grishjeje për lexuesin për të plotësuar atë çfarë mungon. Retiçenca  e përdorur me vend, rijetëson në fillimin e fjalisë mendimin që mbetet pezull në fund të saj. Ja si shkruan Zhiti: 

“Bija ime! Që s’e pata… u prek ime më. Eja të vallëzosh me ne…”

Më lart theksova që ky roman është një roman i dashurisë. Dashuri në epoka të ndryshme, e llojeve të ndryshme, në mosha të ndryshme të personazheve. Kemi dashurinë e pastër e të dlirë të Moisiut me ciganen, më pas dashurinë me Marinë që u bë edhe bashkëshortja e tij.

Në një tjetër epokë kemi dashurinë e Hektorit me Erikën një dashuri e cila u trondit  dhe përfundoi si rezultat i kohës në të cilën jetuan. E pashpresë, e vrarë shpirtërisht, e friksuar, Erika detyrohet që bashkë me të bijën të kthehen në Tiranë. Hektori mbetet i vetëm me dy fustane të bashkëshortes si dy skelete në dollap dhe kukullën e së bijës që shpesh herë, i kujtonte mungesën e forcës për të ruajtur familjen e tij.

Dashuria e Irisit dhe Marinit. Dashuri e lindur dhe e forcuar në liri, dashuri që ravijëzon bukur dhe ëmbël edhe fundin e romanit: “Unë jam shtatzënë, – mërmëriti Irisi dhe ndjeu brenda vetes qiell plot dritë.”

Ky fëmijë simbolizon dëshirën për jetë, në një skenë që s’ka kufij, në një skenë larg asaj që u shemb duke zënë  përfund, aktorin që i dedikoi asaj jetën, në një skenë, ku secili i zgjedh vetë këpucët e tij. 

ObserverKult


Lexo edhe:

VISAR ZHITI: DUKE TË DASHUR TY MERR KUPTIM ÇDO NGJARJE