“Këpucët e kuqe”: Dita e Gruas- jo, dhunës

Dita ndërkombëtare e Gruas, erdhi ndryshe në Durrës. Teatri “Aleksandër Moisiu” vjen me një tribut ndaj të gjitha nënave, motrave, vajzave dhe grave, të cilat, humbën jetën nga dhuna e burrave.


Shkallët e galerisë “Nikolet Vasia” ishin mbushur këtë ditë, me këpucë të kuqe, që janë mbledhur jo vetëm nga gratë e qytetit, por edhe më gjerë. Ato janë simbol i humbjes së jetës së grave, si pasojë e dhunës barbare të ushtruar mbi to.

Me dhjetëra palë këpucë sollën edhe njëherë vëmendjen ndaj grave dhe vajzave, që janë simbol i jetës, simbol i vazhdimësisë së njerëzimit.

Duke u ndalur në faktin se qarku i Durrësit, sipas INSTAT, ka numrin më të lartë të grave të dhunuara, regjisorja Driada Dervishi theksoi gjatë fjalës për mediet. Se simbolika e aktivitetit të sotëm është pikërisht, ndërgjegjësimi i të gjithëve për këto fakte tronditëse.

Ndërsa aktorja Adelina Muça, u bëri apel grave dhe vajzave të ngrenë zërin e të denoncojnë rastet e dhunës, sepse nuk do të jenë asnjëherë vetëm. Vetëm kështu mund të parandalohen rastet e tjera të dhunës. Mund të frenohet vrasja e një tjetër gruaje.

Këtë 8 Mars, nisma “Këpucët e kuqe” vjen për herë të parë, në Durrës.

Prej vitit 2009, këpucët e kuqe të Elina Chauvet, artistes meksikane që humbi motrën, si pasojë e dhunës, në familje kanë shëtitur botën.

Prej më shumë se një dekade, “Këpucët e kuqe” vijnë si simbol i humbjes së grave prej dhunës.

Në orën 19:00 vijnë premierë në faqen në Facebook, të teatrit “Aleksandër Moisiu”, historitë e vërteta të 8 grave që kanë pësuar ose kanë humbur jetën, si pasojë e dhunës në familje. Aktore të njohura, si: Anisa Markanian. Monika Lubonja, Suela Bako, Andia Xhunga, Adelina Muça etj., sjellin për publikun këto histori dhimbjeje dhe absurdi./konica.al

LEXO EDHE: BABË, PSE U DËSHPROVE AQ SHUMË KUR LINDA?!