Këshilli Atlantik nderon Dua Lipën, ajo ia dedikon çmimin të rinjve të Kosovës

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, është nderuar me Çmimin e Lidershipit të Dalluar (DLA) nga Këshilli Atlantik, këshill ky që ia ndan këtë çmim individëve shembullorë që kanë kontribuar në misionin e këtij organi për të formësuar së bashku të ardhmen globale në një gamë të gjerë fushash.

Në mesin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leye, shefit të Pfizer, Albert Bourla, së bashku me bashkëthemeluesit e BioNTech, Özlem Türeci dhe Ugur Sahin, Dua Lipa foli për atdheun dhe tha se e pranon çmimin me mirënjohje për të gjithë të rinjtë e Kosovës.

Me rastin e ndarjes së çmimeve, Këshilli Atlantik thekson mes tjerash se këngëtarja Dua Lipa e pikturoi vendlindjen e prindërve të saj si një qendër kulturore.

“E nderuar për përpjekjet e saj për të ndihmuar Kosovën përmes Fondacionit të saj Sunny Hill, i cili synon të përmirësojë cilësinë e jetës në kombin e ri, këngëtarja me origjinë shqiptare e pikturoi vendlindjen e prindërve të saj si një qendër kulturore të lulëzuar ‘duke shpërthyer me kreativitet”.

Megjithatë, siç thonë më tej në këtë këshill “plagët e luftës mbeten të dukshme dhe madje edhe brezi i ri lufton për të kapur mundësitë për t’u rritur, për të punuar dhe për të udhëtuar”, transmeton EO.

Në këtë ngjarje foli edhe këngëtarja me famë botërore Dua Lipa e cila tha se “ne kemi vetëm 13 vjet të pavarur në rrugëtimin tonë të pavarësisë dhe si pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar, ne do të lulëzojmë emocionalisht. Ne do të lulëzojmë ekonomikisht dhe kulturalisht”, tha ajo. “Është në gjenet tona”.

“A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova do të mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte dhimbjen e konfliktit? Me këtë vizion në mendje, unë e pranoj këtë çmim me mirënjohje për të gjithë të rinjtë e Kosovës”, ka thënë Dua Lipa.

LEXO EDHE: DUA LIPA I BASHKOHET FUSHATËS SENSIBILIZUESE TË VASFIJE KRASNIQI GOODMAN