Khalil Gibran: A më thua, pse vallë, ia ke frikën dashurisë?

Pse ia ke frikën asaj, moj e vogla ime?
A ke frikë nga rrezet e diellit?
A ia ke frikën ardhjes së pranverës?
A më thua, pse vallë, ia ke frikën dashurisë?
E di që pak dashuri nuk të kënaq.
Siç e di se pak dashuri nuk më kënaq.
Unë dhe ti nuk do të kënaqemi kurrë me pak.
Ne duam shumë,
ne duam gjithçka.
Duam të plotën, të përsosurën.
Prandaj, mos ia ki frikën dashurisë, o mikja e zemrës sime!
Detyra jonë është t’i nënshtrohemi asaj,
pavarësisht nostalgjisë dhe dhimbjes në të.

Se dashuria është si vdekja, ajo ndryshon gjithçka.
Sa të ëmbla janë ditët e dashurisë,
sa të freskëta janë ëndrrat e saj!
Sa të hidhura janë ditët e saj të trishtimit,
sa të shumta janë pasiguritë e saj!
Atëherë, mos mendo, moj e dashura ime,
ta ngasësh dashurinë në rrugën e saj.

Sepse, nëse të gjen të denjë,
dashuria bëhet ajo që nget rrugën tënde.
Dhe ajo dashuri që i lan
sytë me lotët e vet
i bën ata të pastër, të bukur dhe të përjetshëm.

Dhe së fundmi,
nëse dashuria jua bën me shenjë, ndiqeni!
Edhe nëse rrugët e saj janë
gjarpëruese dhe të thepëta.

*Titulli i origjinalit: “Dashuria të gjen vetë”

Përktheu: Agron Islami

ObserverKult


Lexo edhe:

GIBRAN: DHIMBJA COPËTONTE ZEMRËN TIME DHE SHPRESA RROPATEJ TA ARNONTE…