Kiço Londo: Arti nuk mund të ndalet

Pandemia është tashmë realitet serioz, por jeta dhe arti nuk mund të ndalet. Kështu e mendon drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ndërsa bëhet gati për sezonin e ri artistik.

Megjithatë, – shton ai, – Eksperimentali i nisi sezonin më herët se vitet e shkuara, me një turne në rrethe, të shfaqjes “Jul Çezari”, me regji nga Ivica Buljan, i cili e pat premierën korrikun e shkuar në oborrin mes dy godinave të Teatrove Kombëtarë (tashmë të shembura).

I konceptuar nga regjisori kroat për ambiente të jashtme, “Jul Çezari” e pat ndoshta, më të lehtë përshtatjen me realitetin e ri, gjatë pandemisë, duke u bërë e para shfaqje, të cilën publiku mundi ta ndjekë nga afër, pas lehtësimit të masave të karantinës, këtë korrik, në teatrin veror të Universitetit të Arteve.

“Kemi dhënë shfaqje në Shkodër, në Fier, Lezhë, kemi dhënë shfaqje në Tiranë dhe do të vazhdojmë në Berat, Gjirokastër, në Dibër të Madhe, Elbasan”, – rrëfen Londo, ndërsa zbulon se Teatri Eksperimental i Tiranës po bëhet gati me dy shfaqje për fëmijë, por jo më, në mjedise të hapura.

“Mendojmë t’i nisim më 26 dhe 27 shtator paradite, në mjediset e brendshme të sallës së TKEKS-it”,- thotë ai, ndërsa i referohet sallës së dedikuar Eksperimentalit, në godinën e “ArTurbina”, pasi dy sallat e dikurshme të këtij teatri, “Molier” dhe “Goethe”, u shembën më 17 maj, së bashku me ndërtesën kryesore të Teatrit Kombëtar.

Atë ditë, Londo u shfaq i përlotur, madje ndërsa merrte në mënyrë instiktive për nga pjesa e Eksperimentalit, aty ku dikur kish qenë biletaria, u kthye duke iu bashkuar atyre që dolën të revoltuar në orët e para, kur nisi shembja. “Më lini në hallin tim”, – ishin të vetmet fjalë që mundi të artikulonte atë ditë, ndërsa njoftimin për shembjen nga Bashkia Tiranë, siç do të thoshte ai, e kishte marrë vetëm verbalisht.

“Masat për mbarëvajtjen e shfaqjes dhe ato antikovid, do të jenë serioze. Do të respektojmë të gjithë protokollin; salla do të ketë një të tretën e kapacitetit, do të dezinfektohet para dhe pas shfaqjes, do të vendoset distanca, do të matet temperatura, maskat janë të detyrueshme dhe natyrisht, do të shohim ecurinë”, – zbulon më tej Londo, ndërsa ministrja e Kulturës, Margariti, tha pak ditë më parë, se hapja e shkollave do të jetë testim edhe për institucionet e artit dhe kulturës, për të parë ecurinë.

Eksperimentali bëhet kështu, i pari teatër, që nis shfaqjet brenda, duke marrë shembull nga vendimi i kryeministrit britanik, për rihapjen e teatrove të mbyllur dhe mjediseve të tjera të arteve performuese, nga 15 gushti, me masa të shtuara sigurie dhe me uljen e kapacitetit në një të tretën, që çon edhe në reduktimin e shitjes së biletave, që janë dëmtuar rëndë nga pandemia dhe ishin të fundit ndër aktivitetet që rinisën aktivitetin pas pandemisë,  kryesisht virtualisht, me transmetimet e shfaqjeve online apo edhe ato në mjedise të hapura.

Megjithatë, – ngulmon Kiço Londo, – Teatri Eksperimental, e ka gati repertorin që mund të përshtatet në mjediset e hapura. “Do të risjellim “Shumë zhurmë për asgjë”, “Antigona” dhe “Salome”. Repertori i Teatrit është i gatshëm, shfaqjet tona janë prodhuar për t’u dhënë jashtë, i përkasin antikitetit dhe periudhës së mesjetës dhe e krijojnë mundësinë e të shfaqurit jashtë”, – thotë Londo, ndërsa pandemia e ripozicionoi edhe njëherë rolin e teatrit, duke e rikthyer në zanafillën e shesheve dhe amfiteatrove, ku emocioni nga aktori tek audienca, ishte më i afërt, më i gjallë dhe i papërsëritshëm dy herë, me të njëjtën formë dhe ndjesi.

Pas asaj që do të jetë si testim i parë i shfaqjeve në teatro të mbyllura, Londo thotë, se një javë më pas do të shihet mundësia për ta hapur sallën e Eksperimentalit, me shfaqje për të rritur. Ndërkohë, – zbulon ai, – kanë nisur edhe projektet për shfaqje të reja, për muajt nëntor e dhjetor, megjithëse asgjë nuk dihet me siguri dhe zyrtarët e Organziatës Botërore të Shëndetit flasin për një valë të dytë të koronavirusit në Europë, ku shifrat janë rritur me më shumë se 10 për qind në dy javët e fundit, në më shumë se gjysmën e vendeve europiane dhe në shtatë prej tyre, rastet janë dyfishuar.

Por, Kiço Londo duket optimist për të vijuar punën, ndërsa e mbyll prononcimin, duke thënë se: Eksperimentali do të bëjë më të mirën e mundshme, që arti të mos ndalet përballë asnjë fatkeqësie…