Kjo dashuri e sëmurë, e paushqyer, bërë me fjalë të thyera…

grua

Nga Gigi Proietti

Kjo dashuri,
kjo dashuri,
kjo dashuri!
Kjo dashuri e sëmurë,
e paushqyer,
bërë me fjalë të thyera;
kjo dashuri e përdorur, tretur,
hedhur si vakt
tek njerëzit e paditur,
si të ishte diçka
e këndshme;
kjo dashuri mbrapshtuar
nga mërzia
e njohësve të mëdhenj jomjeshtërorë të historisë,
përtypur nga njëqind burra
të lexuar,
vjellë nga parimet
prelate;

kjo dashuri që mirëpret,
që fal,
bërë për njerëzit me gojë të mirë,
është një dashuri
prej hareje të kalbur
që shfuqizon gjithçka, madje, edhe padrejtësinë;
kjo dashuri e sakatuar,
e paplotë,
përplasur në fytyrat e njerëzve
si kocka një qeni
të dëshpëruar;
kjo dashuri e zhveshur, brejtur,
me leckat e trupit
të lakuriqtë;
kjo dashuri për të cilën flasim
festohet me të gjitha
daullet,
kjo dashuri ka zbritur mes masave
dhuruar nga hiri i fuqisë,
se të gjithë duhet
ta shijojnë.

Një dashuri
e shformuar,
e lënë pas dore,
lindur nga kapitali i vjetër
mes kofshëve të botës perëndimore.
Për këtë dashuri është më mirë të mos këndosh,
sepse s’ka muzikë
që ia del
dhe kjo kënga ime
e pafre
as nuk e di se çfarë të mbështesë.

Të paktën të kishte
nurin e dekoltesë
së një lavireje të vetmuar,
dëshpëruar,
sesa maninë e shkujdesur
dhe hijeshinë e dhjerë
të kësaj borgjezie.

Por kjo dashuri
që ishte siguri,
dremitur nga përkëdhelja
e fundit,
ngadalë i palosi gjethet,
duke hequr dorë,
tani për tani,
nga dëshirat e veta.

Prandaj shpirti im
u sëmur,
nuk ëndërron më
e rri në gjumë.
Para se zbrazëtia
të na gllabërojë të gjithëve,
eja, eja shpejt!
Koha kur dashurohesh.

Ujdisi shqip Rielna Paja

ObserverKult


Lexo edhe:

TË TË DUAN NUK ËSHTË ASGJË, NDËRSA TË DUASH ËSHTË GJITHÇKA