Liri Lubonja, kjo grua e guximshme!

Në rreshtat e fundit të esesë time të gjatë “Për një puthje u shemb Troja”, (që ishte dhe parathënie e Antologjisë poetike “Porta e fshehtë e një gruaje”, dhe që u botua dhe në Itali, perkthyer nga Emanuele Rocinni), kam shkruajtur:

….Dhe si për të mos mjaftuar tërë këto dashuri, një mesnatë mbërritën në qytetin tonë, me ca makina të vjetra, ngarkuar plot tesha e njerëz, familja e Fadil Paçramit, si dhe Todi Lubonja me familjarët e tij. Thuhej e përshpëritej nga mëhalla në mëhallë se, shteti qe nervozuar me to, mbasi ato kishin kërkuar më shumë dashuri dhe puthje. E shikoja Lubonjën kur dilte darkave për të bërë xhiron e zakonshme me Lirinë. Kalonte bri pallatit tonë dhe humbte në periferi, atje ku rrugët qenë të qeta dhe pa njerëz. Ai pati lënë kryeqytetin e madh, rrugët e gjëra, shtëpitë e mobiluara, vajzat e bukura të Tiranës që shëtisnin më të çlirta dhe pa teklif, djemtë e veshur bukur që këndonin në kodrat e liqenit serenata. I pati lënë të gjitha, (për atë “liberalizmin e tij”, që njerëzit e përkthenin “që të kishte më shumë dashuri dhe puthje”), Dhe e patën sjellë e rrasur në qytetin tonë të vogël, me pak njerëz, me rrugica të ngushta e me tri lagje të vjetra. Kisha një dhimbje të turbullt e të zbehtë prej fëmije kur e shihja. Vërtetë për pak më tepër dashuri dhe pak më tepër puthje, qe shembur dhe Troja e këtij burri”….

***

Kjo grua në foto me mua është Liri Lubonja, që mbërriti në qytetin tim të lindjes atëherë kur unë isha para adolëshent, dhe mësoja si të gjithë shokët e mi, përmendësh këngët festivalit të 11, për të cilin u dënua i shoqi,

Mbaj mend: E sollën mësuese në Gjimnaz të Qytetit. Djali i saj Agimi i binte pasditave kitarrës, dhe ishte me orkestrën e gjimnazit. Kur u bë një Takim i këngës i gjimnazeve të Shqipërisë, në kinema “Drini” të Lezhës, kryetari i Jurisë ardhur nga Tirana, ndali shfaqjen e Gjimnazit “Hydajet Lezha”, dhe në mënyrë solemne urdhëroi të zbriste nga skena Agim Lubonja dhe të mos i binte më kurrë kitarrës. Gjimnazisti me kitarrë në dorë, i kërrusur dhe tutluar sa më s’ka, zbriti shkallët që të sillnin në sallë, dhe duke kaluar anash publikut, hapi derën dhe u zhduk.

Mbaj mend se atëherë sapo u bëra adolëshent, (me entuziasmin për dashuritë dhe për vajzat), si me magji, se si më erdh në dorë një libër që e pati përkthyer pikërisht Liria prej rusishtes. Titullohej “Vam djevoçki” (“Për ju vajza”). Se ku e kishte gjetur dhe ma solli fshehtas një shoqja ime e klasës. Kurioz dhe si me faj e hapja tinzash atë libër Ishte plot ilustrime dhe pamje, që trajtonte disa nga këshillat që duhet të merrnin vajzat në adolëshencë, njëfarë edukate seksuale, etj etj.

Dhe kur e shikoja zysh Lirinë në rrugë, më shumë se e shoqja e Todit dhe mësuesja e Marksizmit në gjimnaz, ishte ajo gruaja e guximshme dhe e emancipuar që kishte përkthyer atë libër të veçantë.

Mbaj mend ditën kur e arrestuan Todi Lubonjën, dhe nëpër të gjithë qytetin, nën zë, flitej për të. Pastaj Lubonjat i degdisën nëpër interrnime fshatrash, dhe në qytet dukeshin përherë e më rrallë.

Todin e kam takuar në sallën e Teatrit Kombëtar, me rastin e një filmi dokumentar për Petro Markon, Kam qenë me Dritëroin dhe Sadijen, si dhe me Lefter Çipën. Aty kam parë për herë të parë Jamarbër Markon, i lodhur, i sëmurë e i drobitur, i pafuqishëm, s’ngrihej dot as për t’iu dhënë dorën miqëve të Petros që kishin ardhur për filmin.

Lirijen, kur e takova pas ‘90 (dhe iu prezantova se kush isha, mbasi nuk më mbante mend mbasi kisha qenë fëmijë), më tha se, ndër njerëzit e pakët që na përshëndeste në Lezhë mua dhe Todin, ishte babai juaj, profesor Gjoni.

Më dhuroi librin që kishte shkruar për jetën plot andralla në Lezhë dhe internime të shumta. Unë i dhashë librin tim “Komshinjtë e vdekjes” një ese e gjatë dhe studim i gjërë.

Më lejoni të hap një parantezë. Dikund në librin tim kam një dilemë për një poezi titulluar “Shega”. Herë kam fakte se këtë poezi e ka shkruar Carducci dhe përkthyer Hilë Mosi, e herë të tjera më rezulton se është poezi autentike e Hilë Mosit. Më ngatërrojnë dy gjëra. Në vitet ‘30 ka patur raste kur poezitë e përkthyera kanë marrë jo rrallë autorsinë e përkthyesit, duke e quajtur mirëfilli vepër të përkthyesit. Dhe së dyti, poezia ka në target një shegë që rreth saj është kujtimi i birit të vdekur. Hilë Mosi dhe Carducci, kanë patur të njëjtin fat të zi, iu kanë vdekur djemtë pothuaj në të njëjtën kohë, dhe ato kanë elegji të thekshme ndaj bijëve.

Edhe pas tre vitesh që ia pata dhënë librin “Komshinjtë e vdekjes”, kur e takova Lirinë në një promovim libri, më pyeti se a e kisha gjetuar më në fund se e kujtë qe poezia. E pati mbajtur në mend dilemën time për aq e aq kohë. Një memorje shumë e kthjelltë.

Këto ditë më dhuroi librin e saj me kujtime, që është një anatomi e kohëve që po jetojmë. Eshtë 92 vjeçe, shkruan e lexon parreshtur, jeton intelektualisht. Bravo./mapo