U promovua libri monografik “Abdurrahman Shala – Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë”

Është promovuar në Prishtinë libri monografik “Abdurrahman Shala – Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë” nga autori Visar Krusha.

Ceremonia e promovimit filloi nën interpretimin artistik të Armend Smajlit me poezinë “Deti” të Fatos Arapit e cila në mënyrë figurative përshkruante jetën e protagonistit.

Nisma për botimin e këtij libri u tha se ka pasur për qëllim parësor hedhjen dritë mbi një figurë të jashtëzakonshme artistike të vendit tonë, si një thesar i çmuar i trashëgimisë sonë teatrore dhe filmike.

Ky libër ka përmbledhur gjithë jetën dhe veprimtarinë artistike të Abdurrahman Shalës. I ndarë në disa kapituj, ky libër pasqyron jetën e tij që nga fëmijëria, pastaj, në mënyrë kronologjike, rrugëtimin e tij sfidues e plot dramë jetësore, prej aktori të teatrit dhe filmit, regjisori, skenaristi, themeltari e drejtuesi institucional.

Ndërsa duhet theksuar se pjesë shumë e rëndësishme e këtij libri monografik janë edhe intervistat me familjarë, miq, artistë, si dhe me persona të tjerë që e kanë njohur dhe kanë punuar ngushtë me Abdurrahman Shalën.

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku në fjalën e tij në promovimin e librit monografik për Abdurrahman Shalën tha se i ndjeri, si aktor, regjisor, producent dhe si drejtues nismëtar i një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës në Kosovë, Kosovafilmit, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e institucioneve publike kulturore të vendit.

Botimi i kësaj monografie pikërisht në 30-vjetorin e vdekjes, sipas Çekut është akti më i bukur i përkujtimit. Fjalë rasti në këtë promovim mbajtën edhe autori Visar Krusha dhe mbesa e Abdurrahman Shalës, Miranda Shala. Përndryshe, botimi i kësaj monografie është realizuar nga Integra dhe është përkrahur nga MKRS-ja.


ObserverKult


e gjithkohshmja anderr

Lexo edhe:

SOT PROMOVOHET LIBRI “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” I DONIKA DABISHEVCIT

Sot duke filluar nga ora 12:00, në Institutin Albanologjik promovohet libri i fundit me poezi i poetes Donika Dabishevci “E gjithkohshmja Andërr”, botuar nga Littera.

Për librin flasin studiuesit Gëzim Aliu dhe Agron Gashi, aktorët Xhejlane Tërbunja dhe Fisnik Istrefi lexojnë poezi nga libri, shoqëruar në kitarë nga Astrit Stafai, ndërsa moderon poetja Alketa Gashi Fazliu.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult